Në ambientet e Postës Qendrore në Tiranë, radhët nuk kanë të mbaruar, teksa që nga mëngjesi e deri në orët e pasdrekes, me qindra njerëz dërgojnë zarfe. Janë 4 sportele, për të cilat punonjësja e informacionit i kthen përgjigje gjithsecilit se ata duhet të drejtohen pikërisht në to për të bërë dërgesa. Ndërsa, në stolat e pritjes, njerëzit shkruajnë të dhënat e tyre dhe adresat, duhet thënë se 99 për qind e tyre shkojnë në të njëjtën adresë. Bëhet fjalë për lojën e kuponit tatimor, e cila u mbyll pikërisht në ditën e fundit të vitit 2015 dhe tashmë, deri në datën 11 janar, kërkon në zbatim të rregullores së saj dërgimin e zarfeve. “Sot nuk ka shumë njerëz, ndërsa dje kishte pafund”, tregon njëra prej mijëra pjesëmarrseve, teksa thotë se një ditë më parë nuk mundi të dërgonte kuponët që grumbulloi në muajt nëntor-dhjetor.
Tarifat
“Do të dërgoj 5 zarfe, nga një për secilin pjesëtar të familjes. Uroj që të fati të qëllojë të paktën te njëri e ta nisim vitin mbarë”, thotë Shajne, 55 vjeç, e cila pasi gjen një vend për të shkruar të dhënat për secilin anëtar, tregon se që kur loja u reklamua nga Ministria e Financave përmes medies së shkruar dhe televizionit, thotë se e ka kërkuar kuponin me ‘forcë’ në të gjitha bizneset ku ka shpenzuar. “Jo vetëm unë, por u kam thënë të gjithëve në shtëpi që të më sjellin kuponët”. Ajo shpjegon edhe mënyrën se si duhet të plotësohet zarfi. “Në krahun e majtë, sipër shkruhen të dhënat e dërguesit me numrin e kuponëve dhe vlerën e tyre, ndërsa në krahun e djathtë, poshtë shkruhet adresa e marrësit”. Në sportele, janë njerëz të të gjitha moshave të vendosur në radhë në mënyrë të paorganizuar, që presin derisa të marrin kodin, me të cilin do të aplikohet shorti që do të hidhet në datën 15 janar. Procedura për postimin e kuponëve, duket se krijon bezdi te njerëzit, pasi vetëm një zarf kërkon rreth 1 minutë e gjysmë, për të cilin punonjësja e postës kryen veprimet përkatëse. Ai dërgohet me shërbimin rekomande dhe për të nuk paguhet një tarifë unike, por duke u llogaritur sipas peshës së tij, shërbimi shkon nga 70 deri në 100 lekë.
Mbledhja e kuponëve
Një çift të moshuarish, të cilët janë ulur në një kënd të postës, kanë grumbulluar afro 130 kuponë, të cilët i kanë vendosur në dy zarfe të ndryshme. “Bashkë me gruan i mblodhëm dhe tani po i dërgojmë se ndoshta fitojmë ndonjë lek. Si pensionistë që jemi, ua kemi nevojën lekëve. Donim të mblidhnin më shumë kuponë, për të luajtur me zarfa të tjerë, por nuk arritëm”, tregon Frrok Përgega, pensionist. Kur e pyesim për çmimet që fitohen, ai nuk i di si ndahen ato. “I di bashkëshortja. Ajo është marrë me to dhe më la porosi që të mos dilja nga lokali pa marrë faturën”, thotë ai duke qeshur. Në fakt, pjesa më e madhe e njerëzve, kanë zgjedhur të luajnë për çmimet e kategorisë së tretë dhe të katërt, ku nga shorti do të shpallen 500 fitues, nga të cilët 200 do të fitojnë 15 mijë lekë dhe 300 të tjerë do të fitojnë nga 10 mijë lekë. Por, në turmën e qytetarëve që luajnë për lotarinë promocionale të kuponit, ka dhe nga ata që synojnë të fitojnë një nga 11 çmimet e mëdha të kategorisë së parë. Kështu në radhë për të postuar qëndron një mesogrua, e cila në një zarf të vetëm ka hedhur 450 kuponë me vlerë 350 mijë lekë. Për 2 kategoritë e para, fituesit do të do zgjidhen sipas vlerës totale dhe numrit të kuponëve të dërguar. Ata do shpallen duke llogaritur pikët që do merren nga ponderimi 70 për qind me vlerën nominale të kuponëve dhe 30 për qind me numrin total të kuponëve të postuar. Pra, sa më i lartë numri dhe vlera totale e kuponëve të dërguar, aq më e lartë dhe mundësia për të fituar.
Fituesit
Pas postimit të zarfit, qytetari duhet të tërheqë në postë një faturë, e cila përpos të informacionit standard me gjeneralitetet dhe konfirmimit të postimit, ka brenda tij një kod-bar me 13 shifra. Këtij numri duhet t’i referohen lojtarët, gjatë hedhjes së shortit, ndërkohë që Ministria e Financave njofton se ata që nuk do të kenë mundësi ta ndjekin lojën direkt, duhet t’i referohen faqes online të lotarisë, e cila do të publikojë listën e të përzgjedhurve.
Zarfet me probleme
Në qoftë se një qytetar shpallet fitues i kategorisë së parë, te çmimet e mëdha dhe kjo del me bazë pikësh, komisioni bën certifikimin e procesit. Në qoftë se një apo disa nga fituesit e çmimeve të para rezultojnë me probleme, komisioni i përbërë nga 7 anëtarë i nxjerr zarfet të pavlefshëm dhe ata kalojnë një vend më poshtë. Qytetarët që do të shpallen fitues, direkt, nëpërmjet përzgjedhjes rastësore të sistemit informatik, do të shpallen fitues jo në atë moment. Pra, numri do të shpallet fitues vetëm pas certifikimit.
Pra, do të bëhet verifikimi i zarfit me numrin e kuponëve dhe vlerën nominale të tyre dhe në qoftë se nuk përmbush kriteret, ai s’kualifikohet. Por, në këtë rast nuk e ka një shans të dytë zëvendësimi, (sepse shorti është hedhur direkt dhe nuk ripërsëritet).
Çmimet do të ndahen brenda 511 numrave që do të përzgjedhë sistemi dhe do të përfitojnë ata që kanë zarfet në rregull. Ekziston mundësia që të ndahen të gjitha çmimet, ashtu siç mund të ndahen më pak se 511.
80 milionë lekë janë vënë në dispozicion ng Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për lojën e kuponit, e cila, sipas tyre ka si qëllim sensibilizimin e blerësve për ta tërhequr atë
4 ditë kohë për të hyrë në garë
Loja e kuponit tatimor, e organizuar për herë të parë në vend, do të shpallë 511 fitues. Faza e parë e lojës, ajo e grumbullimit të kuponëve është mbyllur, ndërkohë që deri në datën 11 janar, qytetarët që kanë grumbulluar faturat e biznesit, duhet t’i drejtohen sporteleve të Postës Shqiptare. Brenda një zarfi, lojtarët duhet të vendosin të paktën 50 kuponë, me vlerë të paktën 5 mijë lekë. Bashkëngjitur, në një etiketë të futur po aty, ata duhet të shkruajnë numrin e kuponëve dhe vlerën totale të tyre, si dhe të dhënat personale (emër, mbiemër, numri i kartës së identitetit dhe numri i telefonit). Pjesëmarrësi duhet të verifikojë të gjithë kuponët, të cilët duhet të kenë logon e flamurit shqiptar dhe akronimet RSH e MF në të djathtë të logos. Po ashtu, ai duhet të identifikojë dhe datën e secilit kupon, e cila detyrimisht duhet t’i përkasë periudhës 15 nëntor-31 dhjetor 2015. Ndërkohë, pas këtyre veprimeve, zarfi duhet të dërgohet nëpërmjet shërbimit “rekomandé” në adresën “Për Lojën promocionale të kuponit tatimor; Shtypshkronja a Letrave me Vlerë (ish-topografia ushtarake), Tiranë”. Nga ana tjetër, Posta e pajis pjesëmarrësin me një numër (bar-kod), me të cilin pjesëmarrësi do të luajë dhe në të njëjtën kohë të kontrollojë te 511 numrat, nëse është shpallur fitues a jo.
Hedhja e shortit
Hedhja e shortit do të bëhet më datën 15 janar, ndërsa përzgjedhja e fituesve do kryhet në mënyrë elektronike dhe do të transmetohet në njërin prej televizioneve kombëtare në vend, në një orar që do të përcaktohet gjatë ditëve në vijim. Pas kësaj, lista e fituesve do publikohet në faqen online të lojës. Në rastin kur një numër është përzgjedhur në mënyrë rastësore fitues dhe të dhënat e deklaruara në zarf nuk përputhen me gjendjen faktike të tij, çmimi anulohet. Duke e konsideruar një lojë ndërgjegjësuese dhe sensibilizuese për tërheqjen e kuponit, organizatorët (Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve) kanë akorduar një shumë prej 8 milionë lekësh për qytetarët, e cila do të ndahet në 4 kategori fituesish. Kështu, në dy kategoritë e para, I dhe II do ketë 11 fitues, të cilët do përzgjidhen në bazë të klasifikimi sipas vlerës totale dhe numrit të kuponëve të dërguar. Fituesit do shpallen duke llogaritur pikët që do merren nga ponderimi 70 për qind me vlerën nominale të kuponëve dhe 30 për qind me numrin total të kuponëve të postuar. Pra, sa më i lartë numri dhe vlera totale e kuponëve të dërguar, aq më e lartë dhe mundësia për të fituar. Në këto kategori do ndahen 2 milionë lekë, ku vetëm një fitues do të marrë 1 milion lekë, ndërsa 10 të tjerë do të ndajnë secili nga 100 mijë lekë. Nëse pas vlerësimeve për vendin e parë apo edhe për 10 fituesit e tjerë rezultojnë më shumë se një fitues për kategorinë e parë, apo më shumë së 10 fitues për kategorinë e dytë me të njëjtat pikë, përzgjedhja e fituesve bëhet nga aplikacioni elektronik në mënyrë rastësore të bar-kodit respektiv. Për kategoritë III dhe IV, Financat kanë vënë në dispozicion 6 milionë lekë të cilat do të ndahen për 500 qytetarë, nga të cilët 200 do të fitojnë secili nga 15 mijë lekë dhe 300 të tjerë nga 10 mijë lekë. Këta fitues, do të përzgjidhen sipas një mekanizmi elektronik. Për kategorinë e III dhe IV, shpallja e fituesve do bëhet pas hedhjes së shortit dhe pasi të jenë verifikuar të dhënat e deklaruara nga pjesëmarrësit me gjendjen e zarfit brenda 15 janar./Shekulli