Prokuroria e Korçës ka zhvilluar ditën e enjten analizën për vitin 2015. Gjatë analizës ishte i pranishëm dhe Kryeprokurori Adriatik Llalla, që shprehu vlerësimet e tij për punën e kryer nga seksioni antikorrupsion tek ky organ i akuzës në qytetin juglindor.
Kryeprokurori Llalla u shpreh se prokuroria ka një rol të rëndësishëm në koordinimin e raporteve ndërmjet agjencive të tjera ligjzbatuese. “Dua të shpreh vlerësimet pozitive për punën e njësisë antikorrupsion në Prokurorinë e Korçës. Në bazë të statistikave të përpunuara në Prokurorinë e Përgjithshme, rezulton që kjo njësi ka ndër rezultatet më të mira të çështjeve të dërguara në gjykim, krahasuar me numrin e rasteve të trajtuara”, tha ai.
Sipas Llallës, duhet të shtohen hetimet proaktive. “E kam përmendur edhe në analizat e tjera dhe këtu po e them me forcë, prokurorët duhet të shtojnë numrin e hetimeve proaktive dhe hetimeve kryesisht. Vetëm në këtë mënyrë do të bindim edhe institucionet e tjera të forcojnë aktivitetin e tyre në luftën kundër korrupsionit dhe krimit”, tha Llalla.
“Në Prokurorinë e Korçës dhe të Pogradecit konstatohet një numër i lartë mosfillimesh dhe pezullimesh. Këto raste kanë shtuar ndjeshëm ngarkesën e punës në Prokurori. Për të menaxhuar si duhet ngarkesën e punës, si dhe për të mos trajtuar rastet që dukshëm nuk përmbajnë elementë të veprës penale, ju nxis që të zhvilloni analiza periodike me institucionet e tjera ligjzbatuese. Vetëm në këtë mënyrë, duke diskutuar paraprakisht çdo aspekt të rasteve, prokuroria do të ketë më shumë mundësi të ulë ngarkesën e tepërt dhe të rrisë efektivitetin”, vijoi ai.
Sipas Llallës, Prokuroria e Përgjithshme do të vijojë të kërkojë me forcë nga prokurorët këtu, por edhe në të gjithë Shqipërinë, për të shtuar ritmin e punës hetimore. “Ne jemi në dijeni të problematikës me Policinë Shkencore dhe kemi diskutuar me strukturat përkatëse për të përmirësuar punën e atij sektori. Po ashtu, besoj se kemi plotësuar nevojat me burime njerëzore në Prokurorinë e Korçës dhe të Pogradecit. Pra, ne jemi në dijeni të nevojave tuaja dhe kemi marrë masat për plotësimin e tyre. Në vijim do të kërkohen rezultate më të larta nga ana juaj”, tha Llalla.