Kryeministri Edi Rama po zhvillon një takim me studentët e Arkitekturës në Fakultetin e Arkitekturës.Takimi i Ramës me studentët vjen në kuadër të hapjes së një procesi dialogu mes qeverisë dhe studentëve për plotësimin e 8 kërkesave të parashtruara prej 2 javësh nga studentët. Ndërkohë disa studentë thonë se nuk janë lejuar që të hyjnë brenda sallës pasi salla është mbushur plot. Gjatë takimit, Rama u shpreh se qeveria ka angazhimin e duhur për të plotësuar 8 pikat e propozuara nga studentët, por edhe për të shkuar më tej.
Përgjysmimi i tarifës, një ndër 8 pikat që studentët kanë parashtruar në kërkesat e tyre, për të cilat kanë 16 ditë që protestojnë, Rama tha se tarifa për studimet e ciklit bachelor do të përgjysmohet për të gjithë, pa nivel mesatare të caktuar, por për të gjithë.
Rama sqaroi se kjo do të ndodhë vetëm këtë vit, për t;u dhënë një fillim të ri, por nga viti tjetër akademik, tarifa do të paguhet në bazë të notës mesatare.
“Këtë vit do të paguajnë gjysmë tarife edhe ata me katra e me pesa, por kjo do të ndodhë vetëm këtë vit dhe ta harrojnë që vitin tjetër akademik, ata me katra e pesa nuk do ta paguajnë më këtë, nëse nuk duan të mësojnë është problem për ta”, u shpreh Rama.
Ora 17:20
Një grup studentësh braktisin takimin me Ramën, studentja nxjerr SMS-të: Më more në telefon në 10 të natës, më shkrove “dembelë mendore”
Një nga studentët u cua në këmbë dhe iu bëri thirrje studentëve të dilnin nga takimi. Studentja tha se kryeministri e kishte telefonuar dhe e kishte quajtur “dembele mendore”.
Diskutimet
Edi Rama: Qetësohu moj, ç’është kjo histori kështu. Dale ta dëgjojmë shoqen tuaj… Aaaaa ndodh kjo, patjetër…
Studentja: Kemi kontaktuar edhe dje. Më shkruajtët në mesazh. Dembela mendorë. Më keni marrë në telefon në orën 10:30 të natës. Më merr të keqen për zhvatjen me vetëdijen. The një mijë fjalë për nivelin e dembelizmit mendor që është shfaqur gjatë këtyre ditëve. Qetësohu?! Ç’farë jemi ne? Lolot e qeverisë? Nuk na blini dot neve me 1000 freshista. Duke na kërcënuar me makina dhe duke na hequr prindërit nga puna. Doni monolog. Ky s’është dialog, kjo është shfaqje. Dialogu do bëhej me të gjithë. Po luani lojë kukafshehti. Këtë keni bërë në çdo universitet. Ky s’është dialog, kush do të dalë le të dalë. (një pjesë e studentëve largohen).
Ora 17:09
“Jemi ekselentë”, Rama sfidon studentët: Ejani në Postribë, fëmijët mësojnë me çadër në dhomë, ajo është 10.00
Kryeministri Edi Rama ka replikuar me disa student në takimin e zhvilluar në Fakultetin e Arkitekturës. Një nga studentët tha se nxënës ekselent janë edhe ata poshtë notës 10.00. Këtu vjen edhe sfida e kryeministrit.
Debati mes Ramës dhe studentëve:
Studentët: Kam vetëm një sugjerim për këtë gjë. Jam student i inxhinierisë së ndërtimit, të ketë tarifa falas edhe për studentët që nuk janë 10.00
Edi Rama: Po si i bëhet o vëlla? Po të ishte kollaj do ishim të gjithë njësoj në këtë botë. Ata që nuk duan t ëmësojnë është në të drejtën e tij që të abuzojë me prindin, por jo me shoqërinë. Ekselenca në të gjithë planetin është 10.00
Studenti: Jo nuk është 10.00. Ka edhe me 9 pikë ca…
Edi Rama: Ekskelencën ta tregoj unë ty… Do të shkoj në Postribë, do të të çoj në një familje ku fëmijët mësojnë me çadër në dhomë se hyn shiu se janë 10.00
Studentët: Kush e ka fajin që ata mësojnë në çadër?
Edi Rama: Lëreni ju kush e ka fajin për çadrën, 10.00, këtë shikoni ju.
Ora 16:43
Rama me studentët: Ligji se finanon arsimin privat, zero! Premtimi për 5% ishte në 2013-ën
Kryeministri Edi Rama në takimin e zhvilluar me studentët e Fakultetit të Arkitekturës tha se 5% e GDP-së nuk mund të shkojë për Arsimin, në një vend si Shqipëria.
Edi Rama: Unë kam shifra, fakte dhe letra. Merri dhe verifikoji. Ligji i Arsimit të Lartë nuk e financon arsimin privat. S’ka dalë asnjë qindarkë. Janë gënjeshtra, zero! Këto lloj skenash, kështu me batuta nëpër turmë i kam parë vetëm nëpër filma.
Studentët: Ju i keni parë se bëni edhe Meme.
Edi Rama: S’ju them të mos bëni humor, por bën të qeshësh apo kur qesh me veten. Nuk e realizuam dot buxhetin 5%. Ishte premtim i 2013-ës. Në 2017 nuk e kishim në program se është i pabëshëm. Kemi angazhim për të plotësuar 8 kërkesat.
Studentët: Po pse thua për 8 pikat, nëse kjo s’bëhet
Edi Rama: Kjo s’bëhet pra… ehu…
Ora 16:32
Rama –studentëve: Ç’janë këto kore more? Në fillore jeni? S’ju jap llogari si e përdor Instagramin
Në takimin që po zhvillohet tek Arkitektura mes Ramës dhe studentëve të këtij Fakulteti, nuk kanë munguar as replikat e shefit të qeverisë. Rama iu përgjigj disa prej koreve të studentëve, si edhe shqetësimit të një studenti për përdorimin e Instagramit.
Edi Rama: Ç’janë këto kore, more? Ku i keni parë këto kore? Në fillore je? Kush futet në kor për të prishur bisedën, s’ka fuqi të mbrojë argumentin.
Studentët: Kë kërcënon ti?
Edi Rama: Pusho, respekto radhën dhe profesorin. Pse ndërhyn? Mos ndërhy se po dëgjojmë këtë. S’pranoj dot se jam këtu për të folur, ky flet ju bëni kor…Dua përgjigje. Kam ardhur për dialog, jo t’ju dëgjoj juve me kore.
Studenti: Jeni kryeministër diplomat, dhe i matur. Kush mban përgjegjësi për pedagogët me mesatare nën 8.5? Përdorni Instagramin për meme, as unë nuk bëj meme. Nuk e imagjinojmë Merkel të merret me meme.
Edi Rama: Si e ke hallin, do humor? Do të të bëj që të qeshë gjithë Shqipëria me ty?
Ora 16:24
‘Këta janë mjeshtra në ping-pong’, pedagogu ia thotë Ramës në sy: Rektorati promovon pedagogë me mesatare qesharake
Në takimin e Ramës me studentët e Arkitekturës, një nga pedagogët e pranishëm i tha kryeministrit, se pedagogët e këtij fakulteti janë me mesatare qesharake dhe promovohen nga Rektorati.
Studentët: Të kemi dëgjuar, duam të flasim vetë. Ku shkojnë paratë tona?
Edi Rama: Flisni me edukatë. Shqetësimet e studentëve janë të drejta.
Pedagogu: Ligjin këtu se pyet më njeri. Këtu punësohen pedagogë në kundërshtim me statutin. Kur iu tregon ligjin, e marrin me shaka. Unë kam një korrespondencë të gjatë me rektoratin, janë mjeshtra në ping-pong. Iu drejtova gjykatës, u gjetën lloj lloj marifetesh, këtu ka plagjiatura, pedagogë me mesatare qesharake. Rektorati i promovon këta njerëz.
Takimi me Ramën, studentët e Arkitekturës ngelen jashtë, shkak bëhet salla e mbushur plot
Disa studentë të Fakultetit të Arkitekturës kanë ngelur jashtë sallës ku po zhvillohet takimi i kryeministrit Edi Rama me studentët. Studentët kanë kërkuar të hyjnë brenda, por ata janë lenë jashtë, pasi salla është mbushur plot.
/b.d