Ditën e hënë, tre partitë e mëdha në vend dërguan në KQZ listën e kandidatëve për zgjedhjet e 25 prillit. Si i lexoni emrat e përfshirë për herë të parë dhe renditjen në fund të listës fituese të personazheve emblematik të PS-së?
Me përjashtime fare të rralla, emrat e përfshirë për herë të parë në lista, nuk ka asnjë befasi. Ato kryesisht vijnë nga një karrierë apolitike dhe katapultohen në parlament si nevojë për makiazh, por jo si aliazhi i nevojshëm që lidh votuesin me ligjvënësin, që kushtëzon ngjyrën e qeverisjes me vullnetin e tij. Në Shqipëri ka pafund njerëz të tjerë, njëlloj si ato apo dhe më mirë se ato emra, që me pak fat, me njohjen e duhur me kryetarin përkatës të partisë dhe duke u gjendur në kohën e duhur në vendin e duhur, mundësojnë një karrierë tjetër. Në vend të shumicës dërmuese të atyre kandidatëve, sërish me përjashtime fare të rralla, si KryeZonjat Çomo e Bozo, mund të ishte kushdo tjetër. Por ky është sistemi i zgjedhur dhe nuk mund të ketë produkt të ndryshëm nga ky. Kjo është pjesë e keqkuptimit të madh që kanë të gjitha palët për politikën dhe trajtimin e saj si këmishë llastiku që mund të rrijë në çdo format trupi. Në fakt duhet të jetë totalisht ndryshe, por do të vazhdojë të jetë njësoj sa kohë ne kemi një sistem formalisht parlamentar, por në thelb jemi në një sistem të kryetarëve të partive dhe listat janë produkt i shijes së tyre. Dhe shijet nuk diskutohen, siç thoshin latinët e vjetër, shijet janë vetë njeriu. Listat e partive politike janë portretet e vetë kryetarëve. Diferenca mes dy blloqeve qëndron tek vendosja në kate të ndryshme të personazheve të rëndësishëm. Tek PD e LSI, kryetarët dhe drejtuesit e partive dhe aleatët janë në zonën e sigurtë të hyrjes në parlament, tek PS është e kundërta. Renditja në listën e PD-së kjo reflekton, sa frikën e Bashës, sa klithmën e subkoshiencës së tij për të garantuar pjesën dhe për të mos guxuar për të tërën, po aq edhe paranojat, pasiguritë dhe llogaritë e vogla individuale të tij. Është fare e palogjikshme se çfarë do t’i duhej nesër atij apo edhe zonjës Kryemadhi një mandat deputeti nëse humbasin zgjedhjet. Nëse opozita humb, Basha i pari dhe ndoshta edhe Kryemadhi mbas tij, do të duhej të largoheshin. Këtë bast të llojit “të gjitha për të gjitha”, duhej të vinin të dy, por nuk e bënë. Ose fitore, ose largim për në shtëpi si qytetarë të lirë. As njëri dhe as tjetra nuk kanë një objektiv të qartë se deri ku mund të shkojë viza që ndan deputetin e nesërm nga kandidati i sotëm. Kjo mungesë guximi në rastin më të keq dhe vizion i munguar në rastin më të mirë, i jep Ramës një epërsi në tavolinë përballë tyre. I ve ata në mbrojtje përballë Ramës që sulmon, ndërkohë që do të duhej të ishte e kundërta. I ve përballë si dy modele të kundërta, Basha si çuni i mirë, por i njëtrajtshëm si terital kinez dhe tjetri si djali i prapë i politikës, por kontravers si xhinse të grisura. Njëri fotografi pa njolla, tjetri instalacion me dritëhije, njëri asfalt i lëmuar e tjetri kalldrëm me gunga, njëri dhëndër i mrekullueshëm, tjetri dashnor i paparashikueshëm. Basha si një shoqatë bamirësie, të cilit është gjynaf t’i gjuash, Rama si një bohem grindavec që ndan veç e veç edhe gurët që gjen bashkë për të gjuajtur me to çdo kalimtar që i vjen përballë. Njëri serioz, por që e tregojnë si barsaletë, tjetri “karagjoz” që merr seriozisht vetëm barsaletat. Në listën e PS-së Rama guxoi vetë për veten dhe vuri edhe emrat më të njohur të partisë që të guxojnë. Një lëvizje që ka së paku disa qëllime kryesore duke nisur që me motivimin e tyre e deri me faktin që në të gjitha rrethanat, kandidatët e tij në zonën e riskut, do të hyjnë në Kuvend sepse do të marrin më shumë vota se anonimët përpara tyre. Dhe mbi të gjitha, formatoi një listë që vepron si lumë që rrjedh nga lart poshtë, përballë listës së kundërshtarëve që është një liqen të cilit votuesi do t’i vere diku bovën e rriskut. Në thelb nuk kanë asnjë ndryshim, por ndryshimi në formë do të bëjë edhe diferencën në zgjedhje.
Partia Demokratike nuk përfshiu në listë e 2021, vetëm 11 nga deputetët që dolën nga zgjedhjet 25 qershor të 2017. Megjithatë përveç 2-3 emrave që vijnë nga pjesa akedemike, të tjerët duket se plotësojnë atë që konsiderohet “listë normale”. Si e komentoni?
Eshtë mungesë guximi. Eshtë mungesë kurajoje për të bërë një listë fituese përballë presionit për të bërë listë kompromisi. Në katër vjetët në opozitë Basha duhet të kishte menduar së paku për disa emra, përtej të majtës dhe të djathtës, të cilët do të pranoheshin nga publiku. Përballë tij Rama e bëri me Çomon dhe Bozon, që deri në momentin e listës, ishin shqiptare të mira që kishin një konsensus shumë të gjerë të publikut. Ato të dyja dhe gjithë lista u imponuan nga Rama me autoritetin e tij të pakonkurueshëm në parti, që pikërisht për këtë arsye, ka luksin të thotë se lista e tij është produkt kolektiv. Kurse Basha nuk e pati këtë shtysë të brendshme. Ai ishte pengmarrës i listës së PD-së dhe u morr peng nga frika e tij për të dëshmuar lidership në vendimmarrje. Ajo nuk është lista e tij. Ajo është refleks i dilemave dhe dyzimeve të tij duke mos afruar më shumë se Marku në Shkodër dhe duke mos premtuar më pak se Marku në Sarandë.
Zgjedhjet e 25 prillit do jenë edhe përballje emrash në listë respektive apo përzgjedhje subjektesh?
As njëra dhe as tjetra; as përballje emrash dhe as përzgjedhje subjektesh. Këto zgjedhje do të jenë referendum për një njeri të vetëm, për Edi Ramën. Pro tij apo kundër, kjo është çështje tjetër. Ai ose do të pranohet, ose do të refuzohet nga shqiptarët pa llogaritur ofertën përballë. E cila bëri shumë zhurmë në katër vjet, por pa mundur të ngrihet në nivelin e ofertës.
Ambasadorja Amerikane Yuri Kim në një takim në Elbasan tha se do të ketë ndryshime në listën e dorëzuar nga forcat politike në KQZ, ku saktësoi se janë tre individë të shpallur “non grata” nga SHBA. Si e lexoni qëndrimin e saj dhe cilën forcë politike mund të prekë dekriminalizimi?
Ndërhyrjet e forta të ambasadores amerikane edhe në një rast të tillë, i kanë lënë të gjithë të pakënaqur. Edhe nga e majta, edhe nga e djathta zyrtare. Dhe ky është një lajm shumë i mirë për publikun. “Antiamerikanizmi” sovranist që ka nisur të shprehet nën zë nga gjithmonë e më shumë zëra, kryesisht ato të lidhura me qëndrime të dyzuara për reformën në drejtësi dhe një lloj tjetër dyzimi që ndjehet, por nuk shpallet hapur për problemet e dekriminalizimit, dëshmon se “të pakënaqurit” me ambasadoren Yuri Kim, janë segmente domethënës në politikë. Ambasadorja amerikane nuk firmos skedina penale. Ajo nuk mund të përfshihet as në thashethemet provinciale të Tiranës që tek çdo portofol ministri apo ish-ministri shohin dorën e tij që merr çdo qindarkë për në xhepin vetjak, që tek çdo lajm droge, shohin politikanët që sillen si shpërndarës të saj dhe as nuk mund të quajë kryeministrat apo ish-kryeministrat e këtij vendi siç ata e mendojnë njëri-tjetrin: armiq e tradhëtarë të vendit të tyre. Ambasadorja Kim përmendi kësaj here listën e Departamentit të Shtetit, por të vërtetat që ajo thotë, me shumë gjasa, janë shumë herë më pak se të vërtetat e tjera për të cilat ajo zgjedh të heshtë.
Intervistoi Fernanda Cenko, gazeta Fjala