Nga Ardit Rada
Të mërkurën pasdite, dy ditë pasi Ratko Mladić u varros në Beograd, kryetarja e Kuvendit të Serbisë publikoi një listë. Ana Brnabić e shkroi atë në anglisht dhe ia drejtoi Bashkimit Europian.
“Serbia nuk kërkon trajtim të veçantë. Vetëm trajtim të barabartë”, shkroi ajo, duke renditur shtatë raste nga rajoni që, sipas saj, nuk kishin shkaktuar një reagim nga Brukseli dhe Tirana ishte e para në listë.
Sipas Brnabić, më 17 tetor 2025, mijëra njerëz u mblodhën në kryeqytetin shqiptar në mbështetje të Hashim Thaçit dhe tre ish-drejtuesve të tjerë të UÇK-së që po gjykohen në Hagë; presidenti, kryeministri dhe ministra të lartë mbështetën tubimin; tarifa e Rrugës së Kombit u hoq për atë ditë; ndërsa nga Bashkimi Europian nuk pati asnjë masë.
E zëmë se të gjitha këto ndodhën kështu sicc i ka përmbledhur Brnabić. Sheshi “Skënderbej” u mbush me njerëz, Presidenti Bajram Begaj shprehu publikisht mbështetjen e tij, Kryeministri Edi Rama u bëri thirrje qytetarëve të merrnin pjesë dhe tarifa në tunelin e Kalimashit u hoq për atë ditë. Tani vendosini për një moment këto përballë asaj që ndodhi të hënën në Beograd dhe pyetja që lind është: Përse njëra ngjarje shkaktoi reagim, ndërsa tjetra jo?
Përgjigjja nis nga emrat për të cilët bëhet fjalë.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi u transferuan në Hagë në nëntor të vitit 2020. Gjyqi ndaj tyre nisi në prill 2023. Paraqitja e provave përfundoi në dhjetor, deklaratat përmbyllëse u dëgjuan në shkurt dhe Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë caktuar të mërkurën e ardhshme, më 16 shtator, për shpalljen e vendimit të shkallës së parë.
Deri më sot nuk ka ende një vendim gjykate. Nuk ekziston as një vendim i shkallës së parë që ndonjëra prej palëve të mund ta ankimojë. Të katër vazhdojnë të prezumohen të pafajshëm, sipas ligjit të çdo shteti të cilit kryetarja e Kuvendit serb po i drejtohej, ashtu edhe sipas vetë ligjit të Serbisë.
Ratko Mladić, nga ana tjetër, u shpall fajtor për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte në nëntor 2017. Dhoma e Apelit la në fuqi dënimin në qershor 2021. Kur ai vdiq, çështja e fajësisë së tij nuk kishte më asgjë për t’ia lënë për të vendosur ndonjë gjykate.
Pra, lista e kryetares së Kuvendit serb nis duke vendosur në të njëjtin plan një demonstratë për një proces gjyqësor ku ende nuk ka një vendim dhe nderimet për një njeri ndaj të cilit ekzistonte një vendim përfundimtar. Dhe këtë e bën brenda një rreshti të vetëm.
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, në përgjigje të një kërkese për koment nga Tirana Examiner, e hodhi poshtë këtë krahasim:
“Është qesharake, për të thënë më të paktën. Të krahasosh një person që aktualisht është në gjykim dhe prezumohet i pafajshëm me dikë që është dënuar përfundimisht për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, është një shtrembërim i qëllimshëm si i fakteve, ashtu edhe i parimeve. Një proces gjyqësor në zhvillim nuk është dënim dhe prezumimi i pafajësisë nuk është glorifikim. T’i barazosh qëllimisht këto të dyja nuk është vetëm absurde; është një keqkuptim themelor, ose një shtrembërim i qëllimshëm, i shtetit të së drejtës.”
Tubimi në Tiranë u organizua nga Organizata e Veteranëve të UÇK-së. Ishte një demonstratë qytetare e drejtuar ndaj një gjykate, me kërkesën për drejtësi për njerëz që vazhdojnë të jenë nën gjykim. Begaj shprehu qëndrimin e tij në Facebook. Ish-presidenti Alfred Moisiu ishte mes pjesëmarrësve në shesh. Edhe sipas vetë përshkrimit të kryetares së Kuvendit serb, ajo që ndodhi në Tiranë ishte një demonstratë politike lidhur me një proces gjyqësor ende të papërfunduar. Zyrtarët që ajo përmend shprehën pra normalisht mbështetjen e tyre, por kjo nuk e shndërroi tubimin në një akt shtetëror.
Në Beograd, përkundrazi, ishte vetë shteti që u angazhua drejtpërdrejt.
Një avion qeveritar solli trupin e Mladićit në atdhe dhe ministri serb i Drejtësisë, Nenad Vujić, e priti në pistën e aeroportit. Ushtarë të Ushtrisë Serbe nxorën arkivolin nga avioni. Xhandarmëria nderoi kortezhin gjatë kalimit në autostradë. U zhvillua një ceremoni përkujtimore në Shtëpinë e Ushtrisë, Patriarku Porfirije drejtoi ritet fetare, ndërsa ambasadori rus foli për mediat pranë varrit.
Më pas, secili prej këtyre elementeve u shpjegua veçmas: procedurë, protokoll, pjesëmarrje në cilësi private.
Por një turmë qytetarësh dhe një shtet janë dy aktorë të ndryshëm. Një demonstratë dhe një funeral me ceremoni ushtarake janë dy akte të ndryshme. Asnjë vendim për heqjen e tarifës së një rruge nuk mund ta shndërrojë njërën në tjetrën.
Kryetarja e Kuvendit serb ka renditur edhe gjashtë shembuj të tjerë. Ato kanë të bëjnë me kryeqytete dhe institucione të tjera, të cilat mund të përgjigjen vetë për to. Pra le të merremi me shembullin që ajo vendosi të parin në listë dhe me mënyrën se si ai po përdoret.
Lista është ndërtuar në mënyrë të tillë që një pyetje për një veprim konkret në Beograd të marrë si përgjigje atë që ka ndodhur në një kryeqytet tjetër; një akt specifik të përballet me një ankesë të përgjithshme, derisa i gjithë rajoni të ftohet të japë llogari së bashku dhe, në fund, askush të mos përgjigjet për atë që ndodhi të hënën.
Tirana nuk ka pse të bëhet pjesë e kësaj loje.
Një demonstratë në mbështetje të njerëzve që ende nuk e kanë dëgjuar vendimin e gjykatës dhe nderimet për një njeri që kishte shteruar çdo mundësi apelimi nuk mund të vendosen në të njëjtën kolonë. Shqipëria nuk ka pse të japë shpjegime për të parën përpara se të ketë të drejtën të flasë për të dytën.
Tirana ndodhet në atë listë sepse argumentit i nevojitet. Por krahasimi funksionon vetëm pasi disa gjëra ndryshohen në heshtje.
Njerëzit që presin vendimin e gjykatës paraqiten sikur të ishin tashmë të dënuar. Një demonstratë paraqitet si akt shtetëror. Ndërsa mbështetja për të pandehur që ende nuk kanë marrë një vendim gjykate paraqitet si glorifikim i gjenocidit.
Brnabić thotë se Europa nuk e trajton Serbinë në mënyrë të barabartë. Tirana nuk e provon këtë. Dhe Tirana nuk mund të huazohet si alibi herën tjetër që Beogradit t’i kërkohet të përgjigjet për zgjedhjet e veta.
Kryetarja e Kuvendit të Serbisë ka të drejtë të mbrojë atë që Serbia bëri për Ratko Mladićin. Por nuk ka të drejtë të përdorë Tiranën për ta paraqitur atë si diçka tjetër.










