Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Lisandër Hoxha, i ftuar në emisionin “Temë e Ditës” nga Arbër Hitaj, deklaroi se protestat e opozitës do të vijojnë, duke i konsideruar ato si mjetin kryesor përballë asaj që ai e cilësoi si një “regjim abuziv”.
Sipas tij, protestat janë mjeti më i fuqishëm që ka në dispozicion Partia Demokratike.
“Vazhdimi i qëndresës qytetare ndaj një regjimi që po i vjedh çdo ditë është misioni i opozitës. Opozita e bëri detyrën e saj dhe duhet të vazhdohet me këtë kërkesë derisa drejtësia të bëjë punën e saj dhe të shkojnë para drejtësisë ata të cilët kanë abuzuar me pushtetin duke vjedhur popullin më të varfër të Europës. Me këtë lloj anormaliteti, me këtë lloj mënyre se si është qeverisur dhe qeveriset Shqipëria, meriton vetëm protesta. Shqipëria ndodhet tashmë në një sistem qeverisës jo demokratik, në të cilin mbizotëron korrupsioni në çdo qelizë të saj, ndaj mendoj që protestat janë një hap i mirë drejt mobilizimit kombëtar dhe ndërkombëtar që të çojmë Shqipërinë drejt një qeverie teknike dhe të ecë vendi përpara drejt reformave. Besimi tek protestat dhe protestat në përgjithësi janë mjeti më i madh që një parti demokratike ka në dorë”, tha Hoxha.
Duke iu referuar situatës së brendshme në Partinë Demokratike, Hoxha nënvizoi domosdoshmërinë e ndryshimeve në lidership, si edhe nevojën për një rikonceptim të plotë të strukturave drejtuese të opozitës.
Sipas tij, në krye të PD-së duhet të vendosen njerëzit më të ndershëm dhe me integritet, të aftë për ta çuar partinë përpara.
“Duhet rikonceptuar e gjithë struktura e opozitës. Të gjithë nivelet drejtuese të opozitës duhen parë se kush janë elementet më të mira që ta çojnë PD përpara. Opozita ka mundësi t’i japë vetes një restart, duhet të vendosë në krye të saj njerëzit më të ndershëm në radhët e saj. Një muaj më parë, dërgova propozim me shkrim. Nuk mund të mbajnë në pozicione drejtuese njerëz të lidhur me tendera, përmes vetes dhe familjarëve të rrethit të parë të tyre me qeverinë”, theksoi Hoxha.











