• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Sunday, March 22, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Liria e shtypit në Shqipëri, e tradhtuar dhe e dhunuar nga ata që duhet ta mbrojnë

by Carlo Bollino
09/05/2024 20:17
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Carlo Bollino

Tani që festa mbaroi dhe të gjitha fjalët e mira të shprehura në ditën e Lirisë së Shtypit u rimbyllën në sirtar në pritje të vitit të ardhshëm, do të doja të thoja edhe unë diçka lidhur me gjendjen e informacionit në Shqipëri. Kur në vitin 1993 kolegët e mi më pyesnin rreth të njëjtës gjë, përgjigjesha se në Shqipëqri kishte liri shtypi, por nuk kishte ende shtyp të lirë. Synoja të thoja se edhe pse ligjet formalisht siguronin lirinë e mendimit, mediat (në atë kohë gati eksluzivisht gazeta) vazhdonin të mos ishin të lira. Varej nga militantizmi politik i gazetarëve dhe nga shtypja e qeverisë që shkelte ligjet e veta dhe godiste abuzivisht mediat që e kritikonin. Tridhjetë vite më pas, gjendja ka ndryshuar vetëm pjesërisht. Sot ligjet në mbrojtje të lirisë së informacionit janë më të forta dhe abuzimet e pushtetit janë më të vështira nga pluralizmi i gjerë informativ dhe nga ndjeshmëria më e madhe (dhe kontrolli) ndërkombëtar. E megjithatë shtypi në Shqipëri vazhdon të mos jetë plotësisht i lirë. Nga kush varet atëherë? Përgjigja është e thjeshtë: Varet nga politikanët, nga botuesit por edhe dhe nga gazetarët.

E nisim me kategorinë e gazetarëve, të cilës i përkas prej 42 vitesh dhe për këtë arsye e kam për detyrë ta vendos në vendin e parë. Dhe e nisim me një pyetje: Ç’do të thotë “shtyp i lirë”? Shtypi konsiderohet i lirë kur nuk pëson asnjë kontroll të paligjshëm nga ana e institucioneve shtetërore ose nga pushteti politik dhe përpiqet të tregojë të vërtetën pa ndjekur asnjë formë propagande. Këtu lind problem i parë. Sot, ashtu si 30 vite më parë, një numër i madh gazetarësh shqiptarë vazhdojnë të jenë politikisht militantë dhe në këtë mënyrë për këta militantë me kompjuter apo mikrofon në dorë, koncepti i “lirisë” reduktohet me mundësinë e të shkruarit lirshëm dhe të goditjes së kundërshtarëve politikë, edhe duke gënjyer, për t’i shërbyer propagandës së partisë përkatëse, pa hasur asnjë pengesë dhe asnjë kosto. Eshtë e vërtetë se është shumë e vështirë të dallohet nëse informacioni i një gazetari militant përmban të vërteta apo është vetëm shpifje, prandaj, për këtë arsye gazetaria militante është kërcënimi i parë i lirisë së informacionit.

Në fakt një gazetar, kur është larg kushtëzimeve partiake apo të propagandës, e ka për detyrë të tregojë me prova akuzat e veta, ose të paktën të ofrojë dy versione alternative. Janë të famshmet “dy burime”, të cilat gazetaria militante shqiptare i injoron me dashje. Këtu i referohem publikimit të lajmeve që referohen si fakte të cilat janë burim kryesor dizinformimi, pasi kur flasim për opinion është normale që çdo gazetar të shprehë idetë e veta pa qenë nevoja t’i faktojë. Pikërisht dallimi i fakteve nga opinionet është ligji themelor i informacionit të lirë perëndimor, por është ekzkaktësisht ky ligj që ushtria e gazetarëve militantë, e rreshtuar në Shqipëri, e shkel përditë, duke paraqitur bindjet e veta sikur të ishin ngjarje të ndodhura realisht.

Një tjetër aspekt që kërcënon lirinë e informacionit është pushteti që kanë “të fortit” për të kërcënuar gazetarët. Sigurisht që kjo ndodh në mbarë botën dhe edhe në Shqipëri më të ekspozuarit ndaj këtyre kërcënimeve janë gazetarët që punojnë nëpër rrethe. Ndërsa është një fenomen fatkeqësisht shqiptar ai i lidhjes së disa gazetarëve me kriminelë, lidhje që mbetet e pandëshkuar. Ekzistojnë përgjime në duar të prokurorisë që tregojnë se disa gazetarë paguhen nga banda për të kryer “misione” të paqarta. Kjo bashkëjetesë e frikshme është një tjetër fenomen shumë i rëndë të cilin ruajtësit e lirisë së shtypit nuk kanë gjetur kurrë guximin ta denoncojnë, madje duke vazhduar të mbajnë nëpër redaksi, apo të ftojnë si analistë në studio televizive, këta të infiltruar të krimit në botën e informacionit.

Pastaj, në shkallën e përgjegjësisë së dëmtimit të shtypit të lirë janë dhe botuesit, pra pronarët e medias. Në epokën e social mediave është e vështirë t’ua ngjeshësh botuesve një rol qendror si 30 vite më parë, kur pronarët e gazetave në Shqipëri ishin 4 apo 5 dhe kishin me të vërtetë pushtetin për të kushtëzuar opinionin publik. Sot me vetëm 7 gazeta të mbijetuara por me mbi 50 televizione, 100 radio dhe gati 1000 portale online, ndikimi i një botuesi të vetëm në peshoren e informacionit është holluar. Këto janë shifra që tregojnë një obezitet informativ që prej vitesh karakterizon Shqipërinë, të cilave iu shtohen edhe dhjetëra e mijëra profile Facebook, twitter, Instagram, tik tok përmes të gjithë këtyre, vërtetë kushdo, mund të shprehë opinion apo të bëjë informacion (ose dizinformacion). Të gjithë në mënyrën e tyre janë “botues” apo gazetarë të lirë. Pra kush e akuzon Shqipërinë për pluralizëm të mangët të informacionit, ose është injorant, ose gënjen qëllimisht. Edhe kur Bashkimi Europian këmbëngul me qeverinë e Tiranës të bëjë transparencë vetëm mbi pronarët e televizioneve (në fakt të vetmet media të cilava iu njihen me ligj pronarët), duke harruar të kërkojë transparencë edhe mbi pronësinë e portaleve online, tregon se sa burokratët e Brukselit janë të lidhur me skema tashmë të vjetra dhe sa larg janë nga realiteti shqiptar.

Diplomatët ndërkombëtarë (dhe shpesh dhe shumë organizata jo qeveritare të cilat ata financojnë) denoncojnë edhe pushtetin e kushtëzimit që botuesit kanë mbi gazetarët. Kjo është teorikisht e vërtetë, pasi në Shqipëri mungon çdo formë mbrojtjeje sindakale për kategorinë (që vetë e kanë refuzuar duke besuar se është më e leverdisshme një tratativë individuale, apo të fragmentohet në dhjetëra shoqata, asnjëra prej të cilave nuk ka asnjë peshë në mbrojtjen e informacionit), por kjo e vërtetë përfaqëson vetëm një anë të medaljes në këtë treg. Pikësëpari sepse injoron rolin ndotës të atyre qindra gazetarëve militantë, të gjithë të rreshtuar si vullnetarë meqë askush nuk e bën militantizmin politik me detyrim; dhe e dyta, sepse shtiren sikur nuk e dinë se asnjë gazetar në Shqipëri, i cili ka një minimum kapaciteti profesional, nuk rrezikon me të vërtetë të mbetet i papunë për shkak të ideve të tij. E vërteta e vështirë për t’u pranuar është se, nëse është faktuar që një botues vazhdon të ketë pushtetin për të penguar një gazetar të transmetojë një lajm që prek interesat e tij private apo politike (pushtet që ne fakt kanë të gjithë botuesit në mbarë botën perëndimore, edhe pse personalisht nuk e kam ushtruar kurrë), një gazetar shqiptar është i lirë të largohet dhe të publikojë diku tjetër lajmin ”e ndaluar”, duke gjetur njëkohësisht edhe një punë të re e ndoshta duke fituar edhe më shumë.

Një privilegj që mund ta gjesh në pak vënde të tjera perëndimore (ku frika për të mbetur të papunë dobëson ata që informojnë) dhe që përbën forcën e vërtetë dhe veçantinë e gazetarëve shqiptarë, shpesh viktima autoçensure se sa censure autentike.Gazetarë të papunë ende nuk janë parë të ketë në Shqipërinë e sotme. Brishtësia e vërtetë e gazetarëve shqiptarë që të gjithë e injorojnë, është ajo ekonomike (numri i ekzagjeruar i mjeteve të informacionit krahasuar me përmasat e kufizuara të tregut të reklamave, e ka çuar këtë sektor të jetojë në krizë të përjetshme financiare) edhe pse mes të punësuarve, gazetarët janë tashmë më të mirëpaguarit. Megjithatë, nga ana tjetër, duhet thënë se një numër i madh gazetarësh pranojnë të bëhen fajtorë-bashkëpunëtorë të botuesve të tyre duke shmangur taksat mbi një pjesë të rrogës, që vazhdojnë ta marrin cash (pra me zarfe dhe jo në bankë) pa asnjë kundërshtim dhe pa denoncuar. Një shkelje ligji që nga ana tjetër i bën dhe botuesit të shantazhueshëm nga gazetarët e tyre. Fenomeni i fshehjes se një pjese të rrogës prek të gjitha kategoritë e punës në Shqipëri, por është e papranueshme të jenë pjesë e kësaj edhe gazetarët të cilët duhet të ishin vigjilentë në respektimin e ligjshmërisë mbi të tjerët. Pra, para se të deklarohen të gjithë gazetarët si viktima të lirisë së informacionit, duhet bërë dallimi rast për rast.

Në fund, jo për nivel përgjegjësie, si kërcënues të lirisë së shtypit në Shqipëri janë politikanët. Edhe në këtë aspekt ka dy nivele të fenomenit. Niveli i parë, i dukshëm për të gjithë, është pushteti i intimidimit i ushtruar nga qeveria dhe nga përfaqësuesit e saj që përjetohet me ndroje të tillë saqë prej vitesh mjafton të thuhej fjala “kazan” (për fat tani e fshirë nga fjalori i kryeministrit) për të terrorizuar gjithë kategorinë e gazetarëve. Sikur, të lavdërosh një gazetar nga ana e pushtetit nuk është gjë më e denigruese dhe e pështirë se sa ta ofendosh. Për hir të së vërtetës tonin arrogant nga një politikan edhe e pres (ndodh fatkeqësisht edhe në vende demokratike), ndërsa nga një gazetar nuk e toleroj, pasi ne pretendojmë të jemi më të mirë se ata. Ndërkohë ajo që shumica e gazetarëve nuk kundërshtojnë, për çudi, është refuzimi nga pjesa më e madhe e përfaqësuesve të institucioneve, duke filluar nga ministra, t’i përgjigjen çdo lloj pyetje. Preferojnë monologë të njënashëm shpesh të postuara në Facebook pasi janë regjistruar për të shmangur çdo kontakt me mikrofonë.

Edhe zëdhënësave shqiptarë iu është ndaluar të bëjnë deklarata. Përballë këtij komunikimi me një kah, që i pengon gazetarët që dëshirojnë të bëjnë detyrën e tyre në mënyrë korrekte dhe të balancuar (si gjendet burimi i dytë kur askush nuk pranonm të flasë?), në Shqipëri ka një ligj mbi të drejtën e informimit mes më liberalëve në Europë, që bën të dalin nga dritarja ato informacione që zyrtarët bllokojnë në dyer. Nga një esktrem tek esktremi tjetër. Falë këtij ligji kushdo është në gjendje të dijë praktikisht çdo gjë, edhe informaicone sensitive si janë faturat e arkëtuara nga çdo ndërmarrje private, dhe nëse kërkohet mirë, edhe rrogat që marrin të punësuarit. Lajme që gjithësesi, pa shpjegimet e nevojshme, rrezikojnë të deformohen duke gjeneruar njw tjetër lloji dezenformimi.

Niveli i dytë i të vërtets i përket përdorimit skandaloz që politika i bën gazetarëve militantë dhe lirisë së shprehjes. Këtu viktimat nuk janë gazetarët, të cilët huazohen vullnetarisht për të bërë rolin e “killerit” që i paguan, por ata që përfundojnë në “grirësen e mishit” të tyre. Një përdorim kriminal i informacionit që i përfshin të gjithë, pa dallim roli politik. Për të qenë të ndershëm, është kryesisht opozita e sotme (një kohë në qeverisje) dhe veçanërisht Sali Berisha ai që aplikon këtë metodë më shumë. Shantazhi (gjoba) një kohë armë e shëmtuar e disa gazetarëve që godisnin biznesmenë që nuk paguanin reklama, tani është bërë mjet publik i luftës politike. Politikanë paguajnë gazetarë për të goditur kundërshtarë ose për të mos u goditur ata: Kriminelë politikanët që paguajnë, kriminelë gazetarët që pranojnë të paguhen. Një qark i shkurtër i helmatisur që po godet në mënyrë vdekjeprurëse besueshmërinë e informacionit shqiptar.

Por akoma me kriminalë janë ata politikanë që jo vetëm paguajnë gazetarët për t’u shërbyer, por e përdorin dhe ata vetë shpifjen e vazhdueshme si mjet dizinformimi dhe kërcënimi ndaj shtypit të lirë. Çuditërisht asnjë raport ndërkombëtar nuk e denoncon këtë fenomen, pasi kjo duket e pakuptueshme në kancelaritë e largëta perëndimore që janë mësuar ta shohin vetëm Pushtetin si fajtor që manipulon informacionin dhe kërcënon gazetarët. Fatkeqësisht në Shqipëri ndodh edhe e kundërta, pra, që është opozita ajo që e bën, e aftë si pak raste në Europë të kërcënojë gazetarët që nuk bëhen militantë të saj.  Për këtë opozitë në fakt, gazetarët ose bëhen zëdhënës të saj, ose etiketohen si zëdhënës të qeverisë. Fjalën ”pavarësi” nuk e kanë konceptuar asnjëherë që në kohët kur ishin në shërbim të Enver Hoxhës, duke treguar edhe sot e kësaj dite një përçmim total ndaj figurës profesionale të cilitdo gazetar, të cilin e konsiderojnë shërbëtor ose të njërës ose të tjetrës palë.

Aspekti më kriminal i këtij fenomeni është se, nëse ndonjë gazetar guxon t’i kundërshtojë këta “killera të informacionit” të paguar nga politika për t’u hakmarrë përmes shpifjes, fillimisht e linçojnë publikisht, e më pas çirren për “lirinë e shtypit”. Kundër kësaj makine të baltës e vënë në lëvizje në emër të kësaj lloj lirie, nuk ka gjykatë që të shpëton. Mungesa e rregullave ligjore dhe profesionale mbi ndalimin e kopjimit nga një portal në tjetrin dhe ngadalësimi i drejtësisë, në pak orë bën që ajo baltë të shpërndahet në çdo mjet digjital, duke e bërë shpifjen të duket sikur ishte lajm i vërtetë. Këta ”gazetarë”, totalisht militantë, janë në të vërtetë politikanë të infiltruar në botën e informacionit për të deformuar realitetin, duke përfituar njëkohësisht nga imuniteti profesional që duhet të ishte një tutelë e posaçme vetëm për gazetarët vërtetë të lirë dhe profesionalë. Por edhe këtë fenomen, askush nuk guxon ta tregojë.

Pra, arsyeja se pse në Shqipëri liria e shtypit është ende e dobët, është se në fund të fundit askush nuk e mbron me të vërtetë. Një liri që goditet pas krahëve, e tradhëtuar pikërisht nga ata që do të duhej ta mbronin dhe e shqyer nga kush mbi barrikadat e demokracisë e shpalos, duke u shtirur. sikur të ishte flamuri i vet. Një skandal politik dhe moral që na takon të gjithëve.

Next Post
Kuvend/ Deputetët e PS mbështesin njëzëri projektin e Veliajt me KfW gjermane për transportin e gjelbër

Kalojnë në Kuvend tre projektligjet, mes tyre edhe projekti i Veliajt me KfW gjermane për transportin e gjelbër në Tiranë

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Protestuesit drejtohen nga ish-Blloku, molotovët thyejnë xhamat e bizneseve buzë rrugës

Protestuesit drejtohen nga ish-Blloku, molotovët thyejnë xhamat e bizneseve buzë rrugës

March 22, 2026
PD nuk është më parti e demokratit kuksian

Një flamur gjerman për molotovët e revolucionit

March 22, 2026
Protesta/ Akuzat për integrimin, Berisha zëvendëson flamujt e SHBA-së me ato të Gjermanisë dhe BE-së

Protesta/ Akuzat për integrimin, Berisha zëvendëson flamujt e SHBA-së me ato të Gjermanisë dhe BE-së

March 22, 2026
Taulant Balla reagon me ironi për protestën e PD-së: Berishën e braktisën edhe të vetët

Taulant Balla reagon me ironi për protestën e PD-së: Berishën e braktisën edhe të vetët

March 22, 2026
“Qeveri e krimit”, Berisha dhe protestuesit i drejtohen Drejtorisë së Policisë së Tiranës

“Qeveri e krimit”, Berisha dhe protestuesit i drejtohen Drejtorisë së Policisë së Tiranës

March 22, 2026
Molotovë dhe fishekzjarrë drejt Kryeministrisë, dy ministrive dhe selisë së PS, digjet automjeti i Policisë së Shtetit

Molotovë dhe fishekzjarrë drejt Kryeministrisë, dy ministrive dhe selisë së PS, digjet automjeti i Policisë së Shtetit

March 22, 2026
Berisha largohet me nxitim pas hedhjes së molotovëve drejt Kryeministrisë, mbrohet me çadra nga truprojat

Berisha largohet me nxitim pas hedhjes së molotovëve drejt Kryeministrisë, mbrohet me çadra nga truprojat

March 22, 2026
“Ndiqni flamujt”/ Tym dhe gaz lotsjellës para Kryeministrisë, marshimi zhvendoset drejt Bashkisë së Tiranës dhe ministrive

“Ndiqni flamujt”/ Tym dhe gaz lotsjellës para Kryeministrisë, marshimi zhvendoset drejt Bashkisë së Tiranës dhe ministrive

March 22, 2026
‘Grupi i zjarrit’ nuk mungon në protestën e PD, fshihet nën pankarta dhe me kapuçët e zinj

‘Grupi i zjarrit’ nuk mungon në protestën e PD, fshihet nën pankarta dhe me kapuçët e zinj

March 22, 2026
Pamjet me dron/ Bulevardi i boshatisur, Berishës nuk i shkojnë më në protestë as militantët (VIDEO)

Pamjet me dron/ Bulevardi i boshatisur, Berishës nuk i shkojnë më në protestë as militantët (VIDEO)

March 22, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In