Liqeni i Shkodrës, ka ende shpresë…
Turi i përbashkët i gazetarëve në Liqenin e Shkodrës, organizuar pak kohë më parë, ishte një aktivitet ndërkufitar që synonte të rriste mirëkuptimin dhe punën e përbashkët të vendeve fqinje (Shqipërisë dhe Malit të Zi) për zgjidhjen e problemeve madhore ekologjike që lidhen prej kohësh me Liqenin e Shkodrës, një vlerë e përbashkët natyrore.
Objektivi konkret, referuar organizatorëve, ishte lehtësimi i realizimit të materialeve për transmetim në mediat kryesore, prandaj ishte ideuar si trajnim produktiv, me qëllim që të rritet sensibilizimi publik mbi të ardhmen e Liqenit dhe nevojën për të punuar bashkërisht.
Problematikat kryesore aktuale të Liqenit të Shkodrës janë shkarkimi i ujërave të zeza të papërpunuara, peshkimi dhe gjuetia e paligjshme, si dhe hedhja e mbetjeve, sidomos e atyre plastike. Në ditët tona, liqeni përcjell dy problematika: Së pari, niveli i ujët gjatë sezonit të shirave përbën rrezik të vazhdueshëm për përmbytje shkatërruese. Rrezik tjetër po aq shkatërrues ndaj biodiversitetit të liqenit është Uzina e Aluminit në Podgoricë dhe mbetjet boksite, që quhen rezervuari me “baltë të kuqe”. Për këtë arsye gazetarët udhëtuan në dy vendet për të parë, folur dhe raportuar…
Nga Shkodra, Ben Andoni
Të mjafton të shikosh sjelljen e sforcuar të politikë-bërësve, disi bezdinë e specialistëve dhe pavolinë e përgjithshme në aktivitetin e organizuar profesionalisht nga OSBE, që të bindesh se prirja që Liqeni i Shkodrës të vuajë do të vijojë dhe më tej. Kjo urë lidhëse mes dy vendeve to vogla Ballkanike, Malit të Zi dhe Shqipërisë, tregon edhe sa pak veprojnë politikat e përbashkëta. Mu këtu qëndronte dhe sfida e OSBE-së por këtë herë përmes medias shqiptaro-malazeze për t’i sensibilizuar në të gjithë këtë tollovi…
Kryetarja e re e Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi flet me një intonacion monoton dhe në pauzat kohore, ku zakonisht duhet të qërohet mendimi dhe rregullohet kadenca e zërit, ajo e përdor ta shikojë mu para fytyrës Robert Ëilton-in. Nënkryetari i Prezencës së OSBE-së ia kthen vështrimin dhe bën miratimin instiktiv me kokë. Dialogojnë me sy dhe duket sikur jemi gati zgjidhjes: Më në fund ka ardhur koha edhe për Liqenin e Shkodrës. Por s’është kështu. Një mori gazetarësh i ndjek palëvizur. Gazetarët shqiptarë janë majtas, ata malazezë qëndrojnë djathtas. Dy persona përkthejnë në një aktivitet që Prezenca e OSBE-së e organizon në Shqipëri dhe Mal të Zi për të sensibilizuar mediat e të dy vendeve.
…
Liqeni i Shkodrës, një nga më të mëdhenjtë në kontinent, është vlerësuar si një ndër hapësirat ujoret që përmban një ekosistem të pasur në peshq e shpendë. Jo më kot, qeveritë shqiptare dhe malazeze prej kohësh e kanë me dokumenta në “zonë të mbrojtur”. E theksojmë në dokumente. Pasi të dy vendet kanë treguar se pak duan t’ia dinë dhe thjesht mbrojtja këtij areali do t’i vij, më së pari, nga vetë sensibilizimi i njerëzve. Por nëse për vlerat natyrore që mbart, liqeni i Shkodrës ka tërhequr e vazhdon t’i kushtohet vëmendja e organizmave ndërkombëtare, që kanë dhënë donacione për minimizimin e ndotjes, pushtetet lokale dhe qendrore thjesht sodisin. Kurse OJQ-të, këndej e andej kufirit, marrin e marrin fonde, që në fund rezultojnë se asnjëherë nuk e bëjnë punën e tyre. Suprina e liqenit shpesh mbulohet me shtresën e hirtë të aluminit, ashtu si mbeturinat plastike, peshkimi palejuar vazhdon njësoj.
Në Shkodër
Kjo e bën aktivitetin ndërkufitar të organizuar nga Prezenca e OSBE me gazetarët e dy vendeve fqinje të ruajë një fokus të precizuar, i cili synon të ndihë lidhjet por edhe të forcojë punën e përbashkët dhe mirëkuptimin e kolegëve, si edhe t’i afrojë më afër burimeve të specialistëve të dy vendeve. Specialistë të dy vendeve shpjegojnë dhe shpesh nënzë kundërshtojnë njëri-tjetrin. Mjafton ky qëndrim të më bindë se situata do jetë njësoj dhe pas pak muajsh, vitesh…Nënkryetari i Prezencës së OSBE në Shqipëri, Robert Ëilton me shqipen me fonemat e vështira gotike, mundohet të shpjegojë se kjo situatë i prek fqinjët dhe ne të gjithëve: në shëndet, ekonomi, turizëm. “Ndaj Liqeni i Shkodrës në të dyja anët e kufirit duhet të jetë gjithëpërfshirës. Edhe qasja jonë si OSBE synon bashkëpunimin dhe lidhjen e dy kombeve”. Znj.Ademi, pas kortezisë kërkon për më shumë investime, si të gjithë paraardhësit. “Duhet të respektohen marrëveshjet që kanë dy vendet për bashkëpunim mes palëve. Liqeni i Shkodrës sipas të dhënave ka një gjendje relativisht të mirë dhe ndotje të ulët. Por për ta ruajtur nga çdo rrezik i mundshëm duhen më shumë investime. Kryesor është ndërtimi i impianteve për filtrimin e ujërave të ndotura që derdhen në liqen. Liqeni i Shkodrës është një potencial i zhvillimit të turizmit për rajonin e Shkodrës dhe Malin e Zi”, thotë kryetarja dhe largohet po shpejt, ndjekur nga shpura e saj.
…
Një nga specialistët, që më premton një intervistë që nuk bëhet kurrë, z. Ridvan Gjeçaj, e dëgjoj që vazhdimisht tregon gjëra interesante. Veçmas. Kur del përballë grupit stepet dhe kursehet, por është shumë profesional. Nga ai kam lexuar se edhe ndërtimi i urës së re të Bunës ka qenë një nga problemet, që e ka mbajtur të pashkarkuar liqenin e Shkodrës, pavarësisht rritjes së ujit në nivele më të larta se në vitin 1963, e madje argumentonte se ndërtimi i një by-passi për qytetin, i cili synonte të pengonte kalimin e liqenit në zonën e livadheve, do sjellë me kohë probleme. Dhe po prej tij, kam lexuar shkaqet e përmbytjeve: “së pari, prurjet e jashtëzakonshme të lumenjve e përrenjve që shkarkohen në liqen. Së dyti, ngushtimi i grykëderdhjes së Bunës, burimit të saj. Së treti, ndërhyrjet pa kriter që janë bërë në shtrat, kanë hyrë në të dhe pengojnë grykën, si lokale, banesa, pika karburanti etj. dhe së katërti Ura e Re e Bunës”.
Teksa shefi i Emergjencave nga Kalaja do të na shpjegojë më vonë skemën e shpëtimit dhe arsyet e përmbytjeve, ai na shpjegon se ndërtimi i urës ë re të Bunës është arsye që ka krijuar një kapërderdhje… Shefi i Emergjencave e shpjegon fare thjesht gjithçka, pasi edhe me problemet tashti pretendohen se janë masat. “E sa u përket përmbytjeve, eksperti Pllumb Dani, nga Zyra e Emergjencave Civile ka theksuar se ato janë të paevitueshme, por duhet të merren masa që të mos ketë humbje në jetë njerëzish si dhe të minimizohet dëmi ekonomik”.
Të shikojmë, kur të ketë përmbytje, i them dikujt. Shikojmë njëri-tjetrin. Sikur të jetë e vërtetë. Do të doja ta shikoja realisht, kur të vinin lumenjtë. Më ka rastisur që dy përmbytjet e fundit të udhëtoja nëpër qytetin e Shkodrës, sikur të isha në Venedik. Por habia s’mbaron këtu. Bashkia e Koplikut, administron 30 km të liqenit, ndërsa Bashkia e Shkodrës, 7 kilometër, por si institucion, kuptohet se qendra e Malësisë së Madhe asnjëherë nuk pyetet për çështjet e mbrojtjes së mjedisit. Shiroka dhe Zogaj, ku do na çojnë në një impiant të ujërave të zeza merr vëmendjen kryesore, që sipas një specialiste, kur të mbaronte ky impiant bashkë me pyllëzimin gradual të bregut perëndimor do bënte përmirësimin e ekosistemin ujor të liqenit. Sikur të jetë kështu. “Pak kohë më parë, nëpërmjet fondit IPA dhe Bankës Botërore u dhanë 1.9 milionë dollarë amerikanë, për pjesën shqiptare të liqenit të Shkodrës. Porse këto fonde u thërrmuan për 18 projekte të shoqatave për mbrojtjen e mjedisit, të cilat realizuan trajtimin në çështjet teorike të problemeve mjedisore, si seminare apo takime mes tyre, pa kryer asgjë në terren, aty ku ndotja po kanos të madhin e Ballkanit”, citoj kolegun tim Bledar Hoti.
Rrezikshmëritë dhe problemet
Udhëtimi zgjat disi dhe ndërkohë mundohem të lidhem me tre specialistët, që janë prezentë të komisionuar prej OSBE-së. Të tre më kanë premtuar se do jetë më mirë t’i intervistoj via-email, por kur vjen puna të kthejnë përgjigjet e intervistave bishtnojnë. Email-i im mbetet pa përgjigje. Nuk është vështirë të dish problematikën, por më duhet shpjegimi i tyre. Është Uzina e Aluminit në Podgoricë dhe mbetjet e saj toksike edhe pse ajo e ka ulur tashmë prodhimin e vet. Anipse, për fatin tonë të keq, lexo: liqenit, kjo pikë është një nga pesë pikat më të ndotura të vendit fqinj. Kurse në Shirokë, nga ana jonë, e këqyrim realisht me kolegët malazezë sesi kullosin të lira lopë, kurse specialistët na thonë se ende shkarkohen ujërat e zeza të papërpunuara, bëhet peshkimi i paligjshëm dhe bëhet hedhja e pafundme e mbeturinave. Kombinati i Aluminit, në Malin e Zi, i ka derdhur lirisht mbetjet e kimikateve në lumin Moraça, dega kryesore e furnizimit me ujë për liqenin e Shkodrës, edhe pse sot vazhdon në një masë më të ulët. E lumi me prurje 200 metër kub në sekondë, i transporton mbetjet kah liqenin nga Mali i Zi deri në Shkodër. Ambientalistët e kanë ngritur si shqetësim, pasi duke i shtuar edhe ndotjet kimike që krijohen nga shkarkimet e fabrikës, mbetjet e inerteve nga ndërtimi i Bay-Passit në hyrje të qytetit dhe atyre që kërkojnë truall, që arrijnë në sasira të mëdha metra kub, me qëllim krijimin e zonave të reja për ndërtime, përbëjnë realisht problem. Gati një e treta e pjesës së pedonales, kanë thënë specialistët, ka ndikuar që një pjesë e liqenit të kthehet në moçal. Shefi i organizimit të peshkimit Arjan Çinari shpjegon se megjithëse organizimi i peshkatarëve tashmë është më i kontrolluar gjërat pak kanë ndryshuar sa i përket keqbërësve, ku “Gjuetia me rrymë elektrike apo me lëndë plasëse janë një rrezik serioz për speciet peshkore”, thotë Çinari. Dhe, në një dialog të gjatë që bëjmë në brigjet e Bunës flasim për portat e peshkimit të vendosura mbi lum. Ato nuk janë spostuar prej 50 vitesh. Këto porta që përbëjnë shqetësim edhe nga pala malazeze pengojnë, sipas tyre, qarkullimin e peshqve migratorë, duke mos u lejuar shumimin. E konfirmojnë dhe specialistët dhe z. Gjeçaj shton se: “Nga një legen me fund të thellë që ka qenë shtrati i Bunës dikur, tashmë është si një pjatë e cekët dhe sa herë ka reshje me intensitet të lartë, lumi del nga shtrati”. Inxhinier hidroteknik rri pak pas kuintave, por në një intervistë të mëparshme ka treguar shumë gjëra sa i përket rrëgjimit dhe përmbytjeve. Dhe paradoksi nuk mbaron këtu, peshkimi i dy fqinjëve ballkanikë bëhet në kohë të ndryshme: në Mal të Zi lejohet nga 15 marsi-15 qershor, në Shqipëri është nga 1 prilli-15 maj, kur specialistët thonë se periudha e peshkimit duhet të jetë e njëjtë për të dyja vendet. Portat ndërkohë pengojnë peshkun migrator, qefullin dhe peshqit që hyjnë nga deti apo ngjalat që të dalin për depozitimin e vezëve. Një specialist malazez, një ditë më vonë, do t’i ulë specialistët shqiptarë me këmbët në tokë: “Gjysma e peshkimit në të dyja vendet bëhet në mënyrë të paligjshme”.
Statusi
Prej nga viti 2005, liqeni i Shkodrës gëzon një status i veçantë, që e detyron shtetin shqiptar të mbrojë këtë pasuri të rrallë në Ballkan. Liqeni i Shkodrës dhe lumi i Bunës janë të konsakruar si Zona të Mbrojtura dhe bëjnë pjesë në zonat që respektohen me Konventën e Ramsar. Matanë, ish-Federata e ka bërë këtë respektim që më 1983. Një zhvillim interesant ka qenë edhe fakti që Qeverisë i është propozuar që Liqenit të Shkodrës, pjesës shqiptare, t’i jepet statusi i Rezervës së Biosferës. Duke e ruajtur si tip rrathësh këtë zonë, duke i lënë mundësi zhvillimit të kontrolluar për turizmin, si dhe deri për mbrojtjen e ekosistemit.
…
Liqeni duket sikur fle, por ai sjell vazhdimisht probleme. Specialistët kanë parashikuar ndërhyrje në Bunë që të kalohen pengesat që ndeshen në pjesën e përbashkët, të bëhet zgjerimi i grykës së Vilunit në Velipojë, pasi tani problemi është transferuar në bilancet ujore. Kështu, nga zhvillimet e ndryshme, Drini ka hyrë në shtratin e Bunës, rreth vitit 1860-ta , dhe praktikisht janë dy lumenj në një shtrat. Kështuqë sot problemi është më shumë njerëzor sesa natyror. Kësaj i shtohet dhe papërgjegjshmëria e fshatarëve dhe qytetarëve, që nuk dinë ta vlerësojnë këtë dhuratë natyrore, për ta mbajtur e shpëtuar liqenin më të madh të Ballkanit.
Të mendosh edhe pse me një strukturë tektonike, thellësia e liqenit shkon deri në 5 metra. Hedhja pa kriter e inerteve ka bërë ngushtimin e udhës në qytet, që bëhen me qëllim të caktuar për të fituar tokë dhe për të ndërtuar. Kurse e paimagjinueshme është rritja e barishteve, që bëhet e frikshme në liqen dhe që këtë e kundrojmë të gjithë për çdo ditë. Por, se mos vetëm kjo. Hedhja e ujërave të zeza në liqen, që bëhet në zonën e Malësisë së Madhe, pjesa e Koplikut, e Tuzit të Malit të Zi, s’merr përgjigje ashtu si gropat septike pranë bregut të liqenit janë një problem më vete apo kullotja e lirë e bagëtive në breg, që e kundrojmë të gjithë, teksa zhvendosemi nga një pikë e liqenit në një tjetër…
..
Janë një mal me probleme, që në fund të këtij trajnimi të veçantë dhe tepër profesional të prezencës së OSBE-së, të kërkojnë të bësh si duhet detyrën si gazetar. Por sa të mundur e ka realisht një gazetar t’i verë fre, këtij shkretimi që po i bën faktori njerëzor dhe vullneti i politikëbërësve Liqenit të Shkodrës? Pothuaj asgjë. E megjithatë beteja është e filluar, kurse qëllimi i mirë i këtij udhëtimi, i bind të gjithë sesa pak kemi bërë të gjithë, të paktën për të sensibilizuar…