Këngëtarja Lindita Theodhori u është përgjigjur akuzave të Gjergji Lekës me një intervistë të dhënë sot për shtypin e dites.
Këngëtari u shpreh para disa javëve se Theodhori dhe Parashqevi Simaku ishin “dashnore të sigurimit”, çka u mundësonte marrjen e këngëve më të mira në festivale. Në intervistën e sotme, Theodhori e ka cilësuar një gjë të tillë si skandaloze.
“Më ka tronditur nga themelet. Si merr përsipër një njeri të cenojë figurat e një vendi. Do ta quaja skandal të paprecedent, në asnjë vend të botës nuk ndodh kështu. Jemi tronditur familjarisht dhe i jam drejtuar gjykatës. Duhet dënuar penalisht, por mendoj se do të gjobitet me dy milionë lekë”, thotë Lindita Theodhori, e cila jeton prej vitesh në Londër, për Panoramën.
Këngëtarja shton se i gjithë vendi ka reaguar ndaj akuzave të Lekës, ndërkohë që edhe familja e tij ka kërkuar ndjesë, çka tregon se kjo çështje i ka kaluar përmasat persionale, duke u kthyer në kombëtare.









