Të shumta kanë qenë akuzat e Lulzim Bashës kundër qeverisë në lidhje me shumat e kripurave të teksteve shkollore dhe rradhëve të gjata ku duhet të presin prindërit shqiptarë, por të gjitha sulmeve i është përgjigjur Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, e cila do të mbajë edhe për 4 vitet e ardhshme këtë post.
Përmes një postimi në rrjetin social, Ministrja Nikolla ka habitur me propozimin e saj drejtuar Lulzim Bashës, ku i kërkon një takim me qëllim që të dëgjojë e të diskutojë me kryedemokratin propozimet e opozitës për arsimin në Shqipëri.
Nga ana tjetër, Nikolla nuk harron t’i kujtojë Lulzim Bashës se prej 3 muajsh ministrinë e Arsimit e ka drejtuar një person i cili është vënë nga vetë kreu i demokratëve (ministrja teknike Mirela Karabina).
Për më tepër lexoni statusin e Lindita Nikollës:
Zoti Basha, mbase e keni harruar që prej më shumë se tre muajsh, dikasterin e arsimit e drejton një e zgjedhura juaj. Prandaj po jua kujtoj!
Mbase nuk e dini edhe që pavarësisht dorëheqjes, e zgjedhura juaj ka qenë shumë aktive në çoroditjen e dikasterit përmes vendimeve e veprimeve të paligjshme. Ndërkohë që mund të ju kish informuar për organizimin e shpërndarjes së librave duke i dhënë fund evazionit, si dhe për paketën e teksteve që lidhet me kurrikulën e re.
Prandaj po jua bëj me dije.
Dhe së fundi, mbase nuk e dini, por është e pavërtetë që librat shkollorë janë falas për të gjithë në të gjithë rajonin. Prandaj po iu informoj.
Megjithatë, me të marrë zyrtarisht detyrën e Ministres së Arsimit, Sportit e Rinisë, unë do iu kërkoj një takim për të dëgjuar idetë tuaja dhe në vazhdimësi, do te dëgjoj me respekt çdo ide a sugjerim tuajin apo të grupit tuaj parlamentar. Shumë faleminderit dhe suksese në detyrën tuaj si kryetar i opozitës në katër vitet e ardhshme.











