“Një dritare për këdo që ka kërshërinë për të kuptuar me çfarë merrem unë si profesioniste dhe kush jam unë si qytetare e angazhuar”.
Me këto fjalë, përmes një videomesazhi, bashkëshortja e kryeministrit Rama ka prezantuar platformën e saj online të komunikimit, websajtin linda.al, që siç thotë vetë ajo, është hapja e një porte të botës dixhitale mbi jetën e saj profesionale dhe qytetare.
“Linda.al nuk është një akt pendese për mosqënien në rrjetet sociale por hapja e një porte të botës dixhitale mbi jetën time profesionale dhe qytetare.
Është një portë për çdo kureshtar që mund të ketë interes për çfarë trajtohet në rreth 50 publikime, të botuara ndër vite si autore, bashkëautore, kontribuese apo për mendimet e dhëna në daljet e mia jo të shpeshta publike.
Në një farë mënyre, Linda.al është edhe një moment modestisht ceremonial për mua…”, thotë në video Linda Rama.
Linda Rama ka shpërndarë videomesazhin e saj në twitter, ku edhe shkruan: Cili është aktiviteti im profesional dhe kush jam unë si qytetare e angazhuar?
Ftoj të gjithë ata që janë të interesuar ta dinë, të klikojnë në linda.al. Por përpara se të klikoni, në këtë moment të një celebrimi modest për mua, një mesazh mirëseardhjeje mund të gjendet në https://youtu.be/rEl9zcXyOJ4