Ligji që çliron universitetet nga nomenklatura
Nga Pëllumb Xhufi/
Nuk jam e nuk mund të jem aspak një mbështetës i bindur i reformës në arsimin e lartë e në kërkimin shkencor. Kjo reformë, si shumë nga iniciativat ligjvënëse të qeverisë Rama, pati një fillim konfuz. Ishte një alkimi modelesh të huaja, voluntarizmi abstrakt e pragmatizmi allashqiptar. Për të qenë “politikisht korrekte”, qeveria angazhoi një komision pluralist, ku shkëlqenin me dështimet e tyre disa nga protagonistët e reformësantireformë të vitit 2007. Si rezultat, u prodhua një variant i parë i projektligjit për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor, që me të drejtë alarmoi qarqet akademike. U duhet njohur merita e madhe atyre dhjetëra e qindra profesorëve me dinjitet e integritet profesional e moral, që mu për këtë arsye u përjashtuan padrejtësisht nga procesi, të cilët kritikuan ballazi pasazhe të tëra të projektligjit, duke e detyruar Ministrinë dhe komisionin të kalonte në një variant të dytë, të tretë e pastaj të katërt të tij.
Nëse ligji i ri shënon një progres në raport me të shkuarën, kjo i detyrohet pikërisht qëndresës së tyre në mbrojtje të universitetit si bastion i dijes, i lirisë dhe i vlerave qytetare. Ligji i ri, në variantin përfundimtar, më së paku i shpëton universitetet nga ata rektorë, dekanë e shefa të përjetshëm, që në emër të “autonomisë” e të “lirisë akademike” kanë ndarë tituj, para, bursa e vende pune, kanë bërë shiun dhe breshërin, por rrallë herë kanë qenë në gjendje të bëjnë intelektualin, profesorin e udhëheqësin shkencor.
Prandaj, çlirimin e universiteteve nga drejtuesit e sotshëm feudalë e konsideroj një fillim të mbarë, një lloj bigbangu për nisjen e një jete të re në auditorët e laboratorët e universiteteve tona. Dhe këtë çlirim ligji i ri e siguron. Për sa i përket çështjeve të tjera që ligji trajton dhe që kanë të bëjnë me vendimmarrjen, me lirinë akademike, autonominë universitare, meritokracinë, integrimin e mësimdhënies me kërkimin shkencor, administrimin e parasë publike, marrëdhëniet e universiteteve publike me ato private etj. etj., këto janë çështje që meritojnë çdo lloj skepticizmi e vigjilence nga ana e profesoratit dhe e studentëve. Por, nuk meritojnë absolutisht nihilizmin e A.Fugës dhe të shokëve të tij, që përkunden në komoditetin që u ofron atyre personalisht një universitet i kapur nga mediokriteti, korrupsioni dhe stanjacioni.
MBLEDHJA E PRESIDENTIT ME AKADEMIKËT
Nëse nisem nga akademikët e profesorët që zunë vend pranë Presidentit dhe që ishin edhe më të zhurmshmit, ajo ishte një mbledhje e zakonshme me të njëjtët personazhe partiakë, që i shohim të deportohen në mjediset e Presidencës, sa herë që PD shpall fushatën e radhës kundër iniciativave të qeverisë. Pra, ishte një takim me nomenklaturën e partisë të emëruar politikisht nga PD në krye të institucioneve akademike e universitare, pas reformdeformës së viteve 2005 2007, që e përçudnoi, e katundarizoi dhe e çoi universitetin dhe kërkimin shkencor në kufijtë e mosqenies. Presidenti e justifikoi thirrjen e asaj tryeze me akademikë e profesorë, siç pohoi vetë, për t’u siguruar prej tyre lidhur me përputhshmërinë e ligjit të ri me Kushtetutën. Nëse Kushtetuta është vërtet meraku i Presidentit (unë vetë, nisur nga disa precedentë, e dyshoj shumë një gjë të tillë), lind pyetja se ç’këshilla kushtetutshmërie pret Presidenti, për shembull, nga A. Fuga, një anëtar i dikurshëm i PPSH, i cili sot vetëkënaqet si intelektual ultra i djathtë. E pra, ai që sot e shohim “t’i ankohet” Presidentit për antikushtetutshmërinë e Ligjit të Arsimit të Lartë, është autori i thirrjeve antikushtetuese për të braktisur laicitetin e shtetit dhe për të futur mësimin e fesë në shkollë. Z.Fuga dhe ata 34 ndjekës të tij, bashkë me ishministrat pëdëistë të arsimit që i nxisin nga selia e partisë, janë bashkautorë të reformës vrastare të vitit 2007, që shpartalloi Akademinë e Shkencave dhe që e ktheu universitetin në një strehë të paaftësisë, të përjashtimit, të ligësisë, të despotizmit, të provincializmit dhe të korrupsionit. Paralajmërimet e tyre për apokalipsin në universitet e në shkencë, janë në fakt thirrje për ruajtjen e “status quo”së, që do të thotë ruajtje e titujve e privilegjeve të tipit feudal që ata gëzojnë në mënyrë të pamerituar si kanakarë të partisë e të prijësit të saj feudal.
“ALBANOLOGJIA NË RREZIK”
Thirrjen e Ardian Marashit “Albanologjia në rrezik”, që të kujton thirrjen leniniste “Atdheu në rrezik”, do ta ndaja edhe unë, sikur autori të mjaftohej me aq dhe të mos hynte në detaje. Z.Marashi duhet ta kishte kuptuar, pas 78 vjetësh drejtimi sovran, se Albanologjia është diçka krejt tjetër nga ajo çka ai përfytyron. Albanologji nuk janë vetëm e nuk janë kryesisht vlerat monetare, arkeologjike, etnografike, dokumentare, bibliografike që ruhen në mjediset e Qendrës së Studimeve Albanologjike.
Janë në radhë të parë njerëzit, studiuesit e asaj qendre, që brez pas brezi i kanë mbledhur, i kanë studiuar dhe i kanë vlerësuar ato shkencërisht në të mirë të ndriçimit të historisë, gjuhës e kulturës sonë kombëtare. Për ta, për kushtet mizerabël në të cilat ata punojnë, z.Marashi nuk shpenzoi e nuk ka shpenzuar ndonjëherë ndonjë fjalë. Albanologjia është në krizë e në rrezik jo prej dy vjetësh, siç rreket të thotë ai, por prej 25 vjetësh, që nga koha kur politika është interesuar për Albanologjinë vetëm për të vënë në krye të saj drejtorë politikë, që asgjë nuk i lidh me militancën albanologjike e gjithçka i lidh me militancën partiake. Më vjen keq ta them se ai vetë si drejtor i Qendrës së Studimeve Albanologjike është produkt i ndërhyrjes së politikës në shkencë, madje i një politike banale të mishëruar në sharlatanizmin e Jozefina Topallit. Nuk them se s’dyshoj që të njëjtën qasje sharlatane ndaj shkencës e Albanologjisë, në veçanti, ta ketë edhe qeveria e Edi Ramës dhe “hirësitë gri” të pallatit kryeministror. Shenjat e këqija i kanë dhënë edhe ata në këta dy vjet. Por, e kam të vështirë të gjej fjalët e duhura për të rrëfyer atë që i është punuar Albanologjisë, qoftë edhe nga drejtorë parvenus, në këto 10 vjetët e fundit. Kështu, për shembull, në vitin 2013, vetëm pak vjet pas reformës berishiane të vitit 2006, që e asgjësoi Akademinë e dikurshme të Shkencave, një ndër institutetelitë të saj, Instituti i Historisë, ishte katandisur me 1213 punonjës shkencorë. Departamenti i Mesjetës dhe ai i Rilindjes Kombëtare, që dikur kishin qenë shtyllat mbajtëse të atij instituti me rreth 15 studiues të kualifikuar, ishin në shuarje të plotë, me 23 studiues gjithsej. Drejtuesit e atyre viteve, të emëruar politikisht, arritën ta kthejnë Institutin e Historisë nga një Institut i Studimeve Albanologjike, në një institut çfarëdo të marrëdhënieve ndërkombëtare apo të studimeve “zogiste”. Politikat shkencore, politikat e personelit dhe politikat financiare u ndërtuan sipas oreksit të Kryeministrit, që kërkonte me ngulm “revizionizmin” e historisë së shek.XX. Pak vlen tani të bërtasësh për ruajtjen e Albanologjisë e të Qendrës së Studimeve Albanologjike, aq më tepër kur kjo kuptohet si një depo relikesh apo si një kuvend murgjish, ku, ashtu si në universitet, për gjithçka vendosin autoritetet e emëruara politikisht. Pak vlen gjithashtu ta shtrosh (me të drejtë) nevojën e një ligji të posaçëm për shkencën e në veçanti për shkencat albanologjike, kur deri më sot drejtuesit e Qendrës dhe të instituteve të saj deklaroheshin të kënaqur me statusin e një qendre universitare, nën hijen e Rektoratit dhe në mëshirën e ministrave të Arsimit, të cilët për dreq, prej 40 vjetësh na kanë qëlluar të jenë gjithnjë fizikanë e matematikanë. E, duke pasur parasysh përgjegjësitë që drejtuesit e Qendrës së Studimeve Albanologjike, së bashku me drejtuesit e universiteteve publike dhe me mecenatët e tyre politikë mbajnë për gjendjen e mjerueshme në ato institucione, do të thosha se ata prej tyre që paralajmërojnë apokalipsin e shkencës, ata “të zhurmshmit”, do të bënin mirë t’ia fillonin me një “mea culpa”, nëse vërtet nuk bëjnë dot pa folur. Përndryshe, heshtja do të ishte flori, për ata vetë, do të ishte shpëtim edhe për të gjithë të tjerët që për muaj të tërë u është dashur të dëgjojnë vajet e tyre hipokrite mbi fundin e botës….dhe të universitetit.
“PANORAMA”