Nga Gafur Muka/
Duket paradoksale, por nuk është kështu. Në përgjigje të shqetësimit që ngriti një koleg i Fakultetit Gjeologji Miniera në takimin me Kryeministrin për problemin që nxjerr Ligji i Arsimit të Lartë lidhur me administrimin e Institucioneve të Arsimit të Lartë Publik, Kryeministri u shpreh: më gjeni një nen, po një nen të vetëm që është gabim. Kolegu citoi diçka nga ligji lidhur me kompetencat e Rektorit dhe të Bordit të Administrimit, por prapë Kryeministri këmbënguli në të tijën që, nuk e ka fajin ligji por personat në Bordin e Administrimit dhe Senatin Akademik, duke iu referuar rastit të Universitetit të Tiranës. Tani dhe unë po them që nuk e ka fajin ligji. Po kush atëhere? Cilësia e ligjit që është shumë i mirë-do përgjigjesha unë.
Ai është një ligj që i referohet “Shqipërisë që Duam”. Dhe Kryeministri ynë është në “Shqipërinë që Duam”, pra në atë Shqipëri ku ekonomia është në atë nivel arritjesh dhe atë fazë zhvillimi që kërkon e pranon vetëm studentë të aftë duke u krijuar atyre të gjitha kushtet, filluar me infrstrukturën akomoduese e duke vazhduar më tej me atë didaktike e të kërkimit shkencor. Ku fondet për arsimin e lartë dhe shkencën janë në vlera të tilla që mbështesin pa asnjë problem realizimin e objektivave e strategjive të zhvillimit të arsimit të lartë e aktivitetit kërkimoro shkencor në mënyrë të tillë që t’u paraprijnë zhvillimeve në fushën e ekonomisë, teknologjisë dhe shkencës, të cilat inkurajojnë përpjekje të guximshme për objektiva e strategji të reja drejt një zhvillimi të sigurtë e të qëndrueshëm, ku ligji është ligj jo vetëm në letër por edhe në zbatim, ku morali të detyron të tërhiqesh “me bisht në shalë” edhe kur ligji nuk të penalizon, ku…
E pra, në “Shqipërinë që duam” nuk ka mungesë fondesh, nuk ka keqpërdorim fondesh, nuk ka tarifa të papërballueshme për studentët, nuk ka të dridhura në auditor nga të ftohtit e “dalje mendsh” nga të nxehtit, nuk ka laboratore pa paisjet e kohës, po ca vjetërsira ku “thyen miu kokën , nuk ka borde administrimi që shpërdorojnë fonde, nuk ka pedagogë që kërkojnë ryshfete e bëjnë ndere për përfitime personale, nuk ka…asgjë që të pengojë zbatimin e një ligji ‘shumë të mirë”, siç është ai që ka në letër Kryeministri.
Por ç’e do, jemi në “Shqipërinë që kemi”, ku veç të tjerash, dhe ato fonde që vihen në dispozicion keqpërdoren e nuk shkojnë në destinacionin e duhur, ku bordi i administrimit dhe Senati Akademik përfshihen në dyluftim, më së paku për trafikim influencash, ku “i zoti ta jep e tellalli s’ta shet” siç thotë populli, ku ligjit i vihen përballë “letra të kopsitura” dhe moralin e ka ngrënë…macja. Ja po jap një shembull, jo aq tipik sa i përket vlerës së investimit por shumë domethënës për keqpërdorimin e tij.
Vitin e kaluar në Fakultetin tonë të Gjeologjisë dhe Minierave, u bë një investim për banjot. Në fakt, banjot e fakultetit tonë nuk kanë ujë të rrjedhshëm që kur… nuk mbahet mend. Natyrisht do kishte kuptim investimi për të sjellë ujin e rrjedhshëm fillimisht e pastaj për “lulkat”. Por jo. Investimi u bë për të zbukuruar banjot dhe jo për t’i funksionalizuar ato. Morali?! Natyrisht po të shtrosh pyetjen: a do të investoheshin këto para kështu po të mos ishin të “Shqipërisë që kemi”. Unë nuk besoj. Dhe këtë sjellje kështuadministruese e favorizon ligji, sepse anëtarët e Bordit të Administrimit, kushdo qofshin ato, nuk e kanë paranë e tyre. Sepse kur është paraja e tyre, si në rastin e Arsimit të Lartë Jopublik, atëhere dale se “ka Çeçua bixhak”.
Ka shumë gjëra për të shkruar për cilësinë “shumë të mirë” të këtij ligji, por tek ky problemi i administrimit duket sheshit që kjo “shumë e mira” jo vetëm që nuk na jep bereqet, por kërkon të na ngopë me lugë bosh. Se psh lufta për të rritur kompetencat, deri në mënyrë të paligjshme, është krejt e huaj për “Shqipërinë që Duam” por në “Shqipërinë që kemi”…Merr e lexo të lutem diskutimet e dekanëve në mbledhjet për hartimin e statuteve të institucioneve të Arsimit të Lartë dhe do kuptosh se sa me “parimitet” përcillet fryma e ligjit për të bërë vendimtare në aktivitetin mësimor e kërkimoro shkencor, njësinë bazë, pra departamentin. E, për ta mbyllur, nuk mund të rri pa trajtuar edhe njëherë problemin e pronave të paluajtshme në Institucionet e Arsimit të Lartë Publik. Ligji i “Shqipërisë që Duam” e ka, e zeza mbi të bardhë që “Institucionet e Arsimit të Lartë i kanë pronat vetëm në administrim, pasi për këtë të ketë vendosur Këshilli i Ministrave pas propozimit të ministrit përgjegjës për arsimin…
Institucionet nuk mund të ndryshojnë destinacionin e tyre dhe mund t’i zhvillojnë pronat me miratim paraprak të subjektit që i ka kaluar pronën në administrim”. Po i lëmë këto përcaktimet e para dhe po ndalemi vetëm tek rasti i zhvillimit të pronave. Sipas një VKM-je që ka firmosur Kryeminitri Edi Rama më 5.11.2014, prona në administrim të UTP-së, ku është akomoduar Fakulteti Gjeologji Miniera, i ka kaluar në administrim Ministrisë së Drejtësisë për ambiente të Gjykatës së Lartë. Atëbotë, u organizua një protestë studentësh dhe pasi një përfaqësi studentësh e pedagogësh të UPT, kontaktuan me Kryeministrin Rama , ai premtoi ndërtimin e një godine të re që, sipas fjalëve të tij do të ishte modeli se si do të duhet të ishin godinat e fakulteteve në… “Shqipërinë që Duam” .
Po çfarë ndodhi? Kjo godinë mbase është ndërtuar në “Shqipërinë që Duam”, por ne të “Shqipërisë që kemi” nuk e shohim. Tani pa u zgjatur, ky problem iu ngrit Kryeministrit në takimin e datës 17 dhjetor. Kërkesa ishte që Kryeministri ta tërhiqte VKM dhe UPT-së t’i lejohej ta zhvillonte godinen në interes të përmirësimit të infrastrukturës mësimore e kërkimoro-shkencore. Sepse, në zbatim të Ligjit për Arsimin e Lartë edhe ai investimi për banjot do të quhej i kundraligjshëm. Apo jo?! Dhe cila ishte përgjigja e Kryeministrit? Hë, ju ka lëvizuar njeri nga Godina!? Rrini të qetë se kjo s’ka për të ndodhur. Po çfarë ndodh me zbatimin e VKM-së?
Nuk ka kuptim të pohosh që Kryeministri i firmos VKM-të dhe është i kënaqur që ato të mos zbatohen, për t’i përdorur si argument tek përgjigja “rrini të qetë”!!! Çfarë të bën përshtypje këtu? Së pari, mosmbajtja e premtimit për ndërtimin e godinës model dhe së dyti , vendosmëria e Kryeministrit për të mos anulluar këtë VKM, e cila e detyron institucionin që të mos ndërmarrë asnjë ndryshim infrastrukturor pa miratimin e subjektit që ia ka dhënë në administrim (!!!). Duke e ditur këtë fakt, studentët dhe pedagogët kanë dyshime të qënësishme nëse Kryemistri do t’i mbajë premtimet e shpallura në VKM-të e firmosura prej Tij dhe, se vërtet do reagojë ashtu siç, së paku ka thënë, për ndryshimin e situatës së rëndë në Arsimin e Lartë Publik. Edhe po të veprojë nuk e dimë nëse do veprojë në frymën e ligjit aktual për arsimin e lartë apo… Ndaj kërkohet anullimi i ligjit, në mënyrë që ai t’i referohet “Shqipërisë që kemi”, për të na çuar “me këmbët në tokë” drejt “Shqipërisë që duam”.