Ligji i ri, sa lekë do paguani për siguracionin e makinave çdo vit
Projektligji i ri i Autoritetet të Mbikëqyrjes Financiare përcakton që siguracioni i makinave do të paguhet sipas sistemit Bonus-Malus. Një sistem që i cili parashikon që sa më shumë aksidente të shkaktoni aq më i lartë do të jetë siguracioni i makinës, apo nëse nuk bëni aksident ulet çmimi i tij.
Në projektligjin që ka miratuar bordi i AMF-s përcaktohet se personat që shkaktojnë aksident do të paguajnë dëmet edhe palëve të treta, për çdo rast që shkaktojnë dëme materiale apo dëmtime në trup. Gjithashtu, në projektligji thuhet se dëmi nga kompanitë e sigurimit duhet të paguhet brenda 60 ditëve të gjithë shoferëve që nuk kanë rezultuar me faj në aksident dhe në rast se nuk paguhet dëmi, atëherë mund të ngrini padi ndaj kompanisë.
Është parashikuar se do të paguhet një dëm biologjik në masën 100.000 lekë për çdo 10% të humbjes së aftësisë. Ja ndryshimet e plota të projektligjit “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”:
Sistemi Bonus-Malus
Shoqëria e sigurimit duhet të përfshijë sistemin bonus-malus në përcaktimin e tarifave të sigurimit të detyrueshëm për përgjegjësinë ndaj palëve të treta, të cilat i zbaton menjëherë pas përfundimit të afatit vjetor të kontratave të sigurimit në fuqi.
Kriteret themelore të sistemit bonus-malus, kategoritë e mjeteve ku ai zbatohet si dhe të dhënat e nevojshme për zbatimin e tij do të përcaktohen nga Autoriteti. Shoqëria e sigurimit mund të vendosë kritere shtesë mbi aplikimin e sistemit bonusmalus, të cilat nuk janë në kundërshtim me kriteret e përmendura.
Certifikata e historikut të dëmeve do të jetë në formë elektronike dhe i vihet në dispozicion të siguruarve, sipas formës, metodës, afateve kohore dhe përmbajtjes të përcaktuara me rregulla të nxjerra nga Autoriteti. Kur shoqëria e sigurimit shkel dispozitat Autoriteti i revokon shoqërisë licencën për kryerjen e veprimtarisë së sigurimit të detyrueshëm.
Tarifa e primit
Shoqëria e sigurimit i përcakton vetë tarifat e primit të sigurimit të detyrueshëm. Shoqëria e sigurimit njofton Autoritetin brenda 10 ditëve përpara aplikimit të tarifave të reja të primit dhe depoziton në Autoritet, bazat teknike dhe vlerësimet aktuariale të përdorura për llogaritjen e këtyre primeve të shoqëruara me opinionin e aktuarit të autorizuar të shoqërisë. Autoriteti, në funksion të mbikëqyrjes së veprimtarisë të shoqërisë së sigurimit, ka të drejtë të kthejë për rishikim tarifat e reja të primeve nëse konstaton se shoqëria e sigurimit nuk ka vepruar në me rregullat dhe parimet aktuariale. Autoriteti përcakton me rregullore bazën e të dhënave të përdorura për llogaritjen e tarifave të primit.
Dëmshpërblimi
Siguruesi përgjegjës është i detyruar të trajtojë kërkesën për dëmshpërblim për dëme pasurore dhe jo-pasurore dhe të kryejë njoftimin përkatës, brenda 60 ditëve kalendarike nga data e plotësimit të dokumentacionit për dëmshpërblim. Nëse ky afat nuk është respektuar, interesat mbi shumën e llogaritur nga shoqëria e sigurimit apo gjykata, fillojnë pas përfundimit të këtij afati.
Siguruesi përgjegjës gjatë periudhës 60 ditore mund të njoftojë palën e dëmtuar edhe në rast kur nuk janë përcaktuar qartë dëmet e ndodhura apo në rast kur nuk është përcaktuar ende masa e dëmshpërblimit. Pala e dëmtuar mund të ngrejë padi civile kundër siguruesit përgjegjës vetëm pas mbarimit të ankimit administrativ te shoqëria e sigurimit, në rastet kur: Siguruesi përgjegjës nuk i përgjigjet palës së dëmtuar brenda afatit të përcaktuar dhe pala e dëmtuar nuk është dakord me masën e dëmshpërblimit të ofruar nga siguruesi përgjegjës.
Pagesa e dëmshpërblimit
Kryerja e pagesës së vlerës së dëmshpërblimit që rrjedh nga kontrata e sigurimit të detyrueshëm dhe ky ligj, deklarimi formal i pranimit të vlerës nga pala e dëmtuar apo përfituese shuajnë përfundimisht detyrimin e shoqërisë siguruese. Pala përfituese e dëmshpërblimit nuk ka të drejtë të kërkojë vlerë tjetër dëmshpërblimi të ndryshme nga ajo që ka pranuar me vullnet të lirë nëpërmjet nënshkrimit të marrëveshjes dhe/ose deklaratës së pranimit të vlerës.
Masa e dëmshpërblimit
Për dëme pasurore, kur shkalla e dëmtimit është e vogël, dhe vlerësohet deri në 200,000 lekë, afati i trajtimit të kërkesës për dëmshpërblim është brenda 14 ditëve nga data e marrjes së kërkesës për dëmshpërblim. Shoqëria e sigurimit duhet të kryejë pagesën e dëmshpërblimit vetëm në llogarinë bankare personale të të dëmtuarit ose përfituesit. Në asnjë rast vlera e shpërblimit për shërbimet e ofruara nga mbrojtësi ligjor, për dëmet e ardhura si pasojë e një ngjarje sigurimi nukmund të kalojë 5% të vlerës së dëmshpërblimit të përfituar nga i dëmtuari. Rregullat, procedurat për trajtimin e dëmeve si dhe llogaritja e dëmshpërblimit që mbulohet nga kontrata e sigurimit të detyrueshëm.
Kur bëni aksident
Pronari i mjetit motorik detyrohet të lidhë një kontratë të sigurimit të përgjegjësisë për dëmet pasurore dhe jo-pasurore që mund t’u shkaktohen palëve të treta nga përdorimi i këtij mjeti, me pasojë dëmtimin dhe humbjen e pronës, vdekjen, dëmtimet trupore dhe përkeqësimin e shëndetit. Kontrata e sigurimit të detyrueshëm mbulon përgjegjësinë e të siguruarit, i cili për shkak të veprimeve apo mosveprimeve me faj të tij i shkakton dëm palëve të treta gjatë qarkullimit të mjetit në rrugë.
Kontrata e sigurimit mbulon edhe dëmet, me pasojë vdekjen, dëmtimet trupore, përkeqësimin e shëndetit, shkatërrimin ose dëmtimin e sendeve personale të personave në mjetin motorik. Kontrata e sigurimit, mbulon edhe dëmet pasurore dhe jo-pasurore që mund t’u shkaktohen këmbësorëve, çiklistëve si dhe përdoruesve të mjeteve jo-motorike që lëvizin në rrugë. Kontrata e sigurimit, mbulon dëmet që shkaktohen nga mjete në lëvizje në rrugë dhe sipërfaqe të tjera në të cilët ka trafik, mjete të cilat janë subjekt i regjistrimit sipas legjislacionit në fuqi.
Përfitimi
Drejtuesi i mjetit motorik përfitues i cili është konstatuar me shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor të cilat ndikojnë drejtpërdrejtë në masën e dëmit nuk mund të përfitojë më shumë se 50% ose gjysmën e vlerës dëmit të pësuar.
Dëmi në aksident
Dëmi biologjik do të jetë jo më shumë se 100 000 lekë për çdo 10 për qind të shkallës së paaftësisë të përhershme të pjesshme ose të përhershme të plotë. Dëmi moral dhe ekzistencial, për secilën formë, do te jetë jo më shumë se 1/2 e dëmit biologjik. Dëmi moral dhe ekzistencial, për secilën formë, për secilin nga familjarët (prind, fëmijë, bashkëshort) do të jetë jo më shumë se 1/20 e dëmit biologjik. Dëmi moral dhe ekzistencial, për secilën formë, për secilin nga familjarët (prind, fëmijë, bashkëshort), për vdekjen e të afërmit do te jetë jo më shumë se 100 000 lekë. Dëmi moral dhe ekzistencial, për secilën formë, për shkallë paaftësie të përkohshme, do të jetë jo më shumë se 5,000 lekë për çdo muaj paaftësi.
Drejtimi i makinës
“Drejtues i paautorizuar” është personi, i cili në rastin e aksidentit drejton mjetin pa miratimin e pronarit të mjetit, nuk është punësuar prej tij për të drejtuar mjetin, nuk është anëtar i familjes së tij dhe nuk e ka marrë mjetin në dorëzim nga mbajtësi. “Miratim i pronarit” është autorizimi më shkrim i lëshuar nga pronari për përdorimin e mjetit nga persona të tjerë.
“Ngjarja e sigurimit” është ngjarja e parashikuar në kontratën e sigurimit në të cilën dëmtohen një apo më shumë persona apo pasuria e tyre, e cila, kur ndodh, i jep të drejtën palëve të treta të dëmtuara të dëmshpërblehen nga siguruesi sipas kritereve, procedurave dhe afateve deri në kufirin minimal të përgjegjësisë së parashikuar nga ky ligj.
Përgjegjësia e shoferit
“Kufiri minimal i përgjegjësisë” është shuma maksimale e sigurimit që siguruesi merr përsipër nëpërmjet kontratës së sigurimit deri në kufirin e së cilës ai dëmshpërblen të gjitha palët e dëmtuara së bashku në një ngjarje sigurimi. i siguruari dhe siguruesi me marrëveshje me shkrim mund të parashikojnë një kufi më të lartë përgjegjësie ndaj atyre të përcaktuara në këtë ligj.
Informacioni
“Qendra e informacionit i mundëson palës së dëmtuar të dhëna në lidhje me emrin dhe adresën e pronarit ose përdoruesit të mjetit motorik, shkaktar të dëmit, nëse pala e dëmtuar ka një interes të ligjshëm për marrjen e këtij informacioni. Për qëllimet e kësaj dispozite, qendra e informacionit i drejtohet në veçanti shoqërisë së sigurimeve ose organit përkatës të regjistrimit të automjeteve. Në rastet e mjeteve të cilat janë të përjashtuara nga sigurimi i detyrueshëm qendra e informacionit e informon palën e dëmtuar në lidhje me autoritetin përgjegjës për pagesën e dëmshpërblimit.
Sa do paguhen sigurimet me ligjin e ri
Siguracioni rritet kur bëni aksident, ulet kur nuk e shkaktoni. Me ndryshimet në ligj që ka miratuar Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare sistemin “Bonus-Malus”, krijohet një sistem që ndan të gjithë shoferët në 18 kategori, ku secila prej tyre do të ketë një koefiçentët me të cilën do të llogaritet sigurimi i makinës.
Të gjithë pronarëve të mjeteve do t’u llogaritet pagesa për sigurimin me koefiçentin 1, pra klasa e 13-t. Pra të gjithë shoferët do të paguajnë 16 mijë lekë të reja duke filluar nga miratimi i ndryshimeve në ligj. Por ata shoferë të cilët shkaktojnë aksident do të kenë një rritje të konsiderueshme të çmimit. Sistemi Bonus-Malus parashikon që nëse shkaktoni aksident do të lëvizni nga klasa e 13-t në klasën e 15-t, pra dy shkallë më lartë. Kjo do të thotë se çmimi 16 mijë lekë do të shumëzohet me koefiçentin 1.3 dhe çmimi që do të paguani do të jetë 20 mijë e 800 lekë (16.000*1.3). E njëjta gjë ndodh edhe nëse shkaktoni 2 aksidente brenda një viti, pra drejtuesi i mjetit, çmimi i siguracionit do t’i llogaritet me koefiçentin 1.75. Kjo do të thotë se nëse shkaktoni dy aksidente atëherë do të paguani 28 mijë lekë siguracion.
Ulja
Por ndryshimet në ligj favorizojnë edhe ata që nuk shkaktojnë aksidente. Nëse një shofer nuk bën asnjë aksident përgjatë një vitit, atëherë çmimi i siguracionit do të ulet një klasë. Pra nëse për një vit nuk shkaktoni aksident atëherë koefiçenti ulet nga 1 në 0.94, që do të thotë se çmimi do të ulet me 1 mijë lekë (16.000*0.94=15 mijë lekë). Për çdo vit që nuk do të bëni aksident do të ulet dhe çmimi i siguracionit. Nëse për 5 vjet nuk shkaktoni asnjë aksident atëherë do të paguani 11 mijë e 800 lekë (16.000*0.74=11.800)