Nga Eduard Zaloshnja
Nga informacionet që janë dhënë në media, për aksidentin tragjik të Velipojës (ku humbën jetën një baba dhe tre fëmijët e tij), rezulton se vetëm e ëma e fëmijëve (e cila mbijetoi), e kishte lidhur rripin e sigurimit. Ndërkohë, të dy personat në fuoristradën që shkaktoi aksidentin, e kishin lidhur rripin e sigurimit dhe që të dy shpëtuan.
Gjithashtu, nga informacionet që janë dhënë në media për aksidentin tragjik të Maminasit, rezulton se taksisti e pasagjerja që vdiqën, nuk e kishin lidhur rripin e sigurimit, ndërsa dy personat e makinës që goditi taksinë, e kishin lidhur rripin e sigurimit (të dy shpëtuan).
Në 20 vjetët që kam punuar për Pacific Institute for Research and Evaluation (me qendër në Washington DC), kam kryer mbi 50 studime statistikore rreth aksidenteve. Dhe nga këto studime, më ka rezultuar se, rreziku i vdekjes në aksidente të rënda automobilistike, pothuaj përgjysmohet për të rriturit që e lidhin rripin e sigurisë, apo për fëmijët që mbërthehen në ndenjëset e sigurisë. Më tej, në qoftë se të gjithë personat që udhëtojnë me automjete, e përdorin rripin e sigurisë (apo ndenjëset e sigurisë), numri i plagosjeve të rënda pakësohet me 28% (në vend që të plagosen rëndë, plagosen lehtë).
Përdorimi i rripit të sigurisë nga të rriturit dhe i ndenjësve të sigurisë nga fëmijët, nuk i shmang dot aksidentet, por i shpëton ata (në shumë raste), nga vdekja apo nga plagosja e rëndë. Jo më kot, populli përdor shprehjen: “Zoti thotë ruaju, që të të ruaj!”
Kur vjen puna te aksidentet, në qoftë se shpejtësia mesatare e automjeteve në të gjithë vendin, ulet me 5 km/orë, numri i aksidenteve, do të ulej me 25%. Ndërsa, një përgjysmim i numrit të shoferëve të dehur, do të ndikonte në një reduktim prej 25% të aksidenteve automobilistike.
Për sa më sipër, policia rrugore në Shqipëri, është mëse e vetëdijshme dhe zhvillon fushata të pandërprera ndëshkimore ndaj shkelësve të kodit rrugor. Por sidoqoftë, eksperienca e vendeve të tjera, mund të na ndihmojë për të gjetur mënyra shpenzimi sa më efektive të parave publike, në funksion të uljes së vdekjeve dhe plagosjeve nga aksidentet rrugore.
Kështu, studime të panumërta të institutit ku kam punuar, tregojnë se 1 dollar i shpenzuar për fushata publicitare sensibilizuese për aksidentet rrugore, në shumë vende të botës, ka qenë shumë më efektiv se sa 1 dollar i shpenzuar për fushata shtrënguese (policore-ligjore). Në fund të fundit, nuk mund të nxirret një patrullë policore në çdo 100 metra rrugë, si dhe nuk mund të shtohen burgjet pafundësisht.
Fushatat publicitare sensibilizuese për aksidentet rrugore, kudo në botë, janë përqendruar kryesisht në tri drejtime:
1 – Pakësimi i kilometrave të përshkuara nga shoferë të dehur; 2 – Shtimi i kilometrave të përshkuara me rripin e sigurisë të lidhur;
3 – Pakësimi i përdorimit të celularit në timon.
Kështu, në SHBA për shembull, më pak se 1% e të gjithë kilometrave të përshkuara në vitin 2015, janë bërë nga shoferë me nivelin e alkoolit mbi 0.8 gram për litër gjak, ndërkohë që në vitin 1980, kjo shifër ishte 5.2%. Një reduktim i tillë dramatik nga 5.2% në 1%, i atribuohet 71% fushatave publicitare sensibilizuese dhe 29%, fushatave shtrënguese policore-ligjore. Efektive kanë qenë sidomos, spotet publicitare në televizion të shoqatës MADD (Nënat Kundër Ngarjes së Automjeteve nga Shoferë të Dehur), të cilat kanë patur në qendër të tyre, nëna që kanë humbur bijtë apo bijat në aksidente, ku alkooli ka qenë faktor kryesor.
Aktualisht, në Australi dhe Kanada, niveli i përdorimit të rripit të sigurisë nga të gjithë shoferët/pasagjerët, është përkatësisht 95% dhe 93% e totalit të kilometrave të përshkuara. Ndërsa në SHBA, është në nivelin 87%. Por në vitin 1980, përdorimi i rripit në SHBA, ka qenë vetëm në nivelin 41%. Ky dyfishim i përdorimit të rripit të sigurisë i atribuohet 78% fushatave publicitare sensibilizuese dhe 22% fushatave shtrënguese policore-ligjore. Të panumërta kanë qenë spotet publicitare në televizionet amerikane, që tregonin shoferë/pasagjerë të palidhur në momente të simuluara aksidentesh tragjikë.
“Një vrasës i pamëshirshëm endet në rrugët tona. Është i kudondodhur. Madje, tamam tani, mund të ndodhet në xhepin tuaj. Quhet telefon celular.” Me këtë tekst, fillonte një spot publicitar i Departamentit të Transportit të SHBA-së në vitin 2009, i cili pasqyronte një skenë të tmerrshme aksidenti, ku dikush që dërgonte SMS gjatë kohës që drejtonte automjetin, humbi jetën tragjikisht. Këtë spot, Departamenti i Transportit të SHBA-së e transmetoi në të gjitha kanalet televizive amerikane, pas një sondazhi natyralistik të universitetit, Virginia Tech, nga i cili rezultoi se rreziku për aksident ose pothuaj-aksident, rritet 2.8-23.2 herë, kur drejtuesi i automjetit përdor celularin për të folur apo për të komunikuar me SMS.
Në fakt, rezultatet e atij sondazhi shërbyen si shtysë për pothuaj të gjitha parlamentet lokale të shteteve të SHBA-së, që të sanksiononin në kodet e tyre rrugore ndalimin e përdorimit të celularëve nga drejtuesit e automjeteve. Pra, u ndërthur fushata sensibilizuese me atë shtrënguese, për të parandaluar një “vrasës” që po bënte kërdinë në rrugët e Amerikës.
Ende nuk janë bërë studime për analizimin e efektivitetit të këtyre dy fushatave, por përvoja e fushatave të mëparshme (për alkoolin dhe rripin e sigurisë), tregon se fushatat sensibilizuese do të kenë qenë më efektive, se sa ato shtrënguese.
Të dyja llojet e fushatave, si ato sensibilizuese edhe shtrënguese, synojnë të ngacmojnë ndjenjën e frikës tek përdoruesit e automjeteve – të parat frikën nga vdekja dhe të dytat frikën nga gjoba/burgu. Disa njerëz ndikohen nga spotet sensibilizuese e disa, ata më fatalistët (që mendojnë se ç’është e shkruar do të ndodhë), ndikohen nga fushatat shtrënguese policore-ligjore.
Përvoja botërore tregon se, fushatat sensibilizuese me më pak dollarë, ndikojnë tek më shumë njerëz. Bazuar në këtë përvojë, ministria e Brendshme bën mirë t’i kërkojë ministrisë së Financave, që të shtojë vetëm 1 cent në muaj për frymë, për t’u përdorur në spote publicitare sensibilizuese, në lidhje me rripin e sigurisë, celularin, alkoolin etj. Ky cent përkthehet në rreth 30 mijë dollarë në muaj, me të cilat mund të transmetohen reklama në programet më të shikuara televizive…
/Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”