Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka reaguar lidhur me lajmin e publikuar në disa media mbi ekzistencën e një raporti që flet për lidhjet biznes-politikë.
Në reagimin e saj, prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka bërë me dije se është njohur me botimin, të paautorizuar, të disa pjesëve nga një përmbledhje e brendshme e vitit 2014, bazuar në informacion që qarkullonte në publik, për lidhjet e mundshme mes biznesit dhe politikës.
“Përmbledhja bazohej në informacionin e nxjerrë nga raportimet në mediat lokale në Shqipëri, si background për klimën politike dhe për akuzat që qarkullonin në publik në atë kohë. Ne nuk mund të komentojmë lidhur me vërtetësinë e raportimeve në media. Përmbledhja nuk pasqyron asnjë qëndrim zyrtar apo gjykim të OSBE-së”, nënvizon OSBE në njoftimin zyrtar.
Më tej, OSBE shton se “prezenca e OSBE-së beson fuqimisht në rëndësinë themelore të etikës në jetën publike dhe do të vijojë të punojë me Kuvendin e Shqipërisë dhe me të gjitha partitë politike për ta theksuar këtë”.