Politika italiane është tronditur pas një operacioni antimafia të zhvilluar të enjten, ku pjesë e hetimeve janë edhe drejtues të rëndësishëm partish.
Lorenzo Cesa ka dhënë dorëheqjen si drejtues i Partisë “Bashkimi i Qendrës” pasi deklaroi se po hetohej në lidhje me operacionin kombëtar policor që kishte nën shënjestër mafian e ‘Ndrangheta-s.
“Kam marrë njoftimin se jam nën hetim për disa ngjarje të ndodhur në vitin 2017. E konsideroj veten të pafajshëm ndërkohë që flas. Kam besim të plotë tek sistemi i drejtësisë”, tha ai.
Ndërkohë një zyrtar i kësaj partie për rajonin e Calabria-s, Franco Talarico, është vendosur nën arrest shtëpie. Gjithsej në pranga u vunë 13 persona, ndërkohë që 35 të tjerë janë vënë në arrest shtëpie. Shumica e të dyshuarve nga këto hetime janë punonjës administrate shtetërore.
Si ndikon kjo tek kriza politike?
Ky operacion ka vënë në pikëpyetje edhe qeverinë Conte. Pritej që partia e qendrës të futej në mazhorancë, por me largimin e Cesa-s gjërat ndryshojnë.
Plani i Conte-s ishte që të bisedonte me drejtuesit e Forza Italia-s, parti që mban bashkë socialistët, të pavarurit dhe demokristikanët. Nga këtu, pritej që Conte të siguronte të ardhmen, por mesa duket çdo lëvizje do të bllokohet.
Liderët e Lëvizjes 5 Yjet nuk duan të bashkëpunojnë me parti që kanë lidhe me mafian apo që kanë qenë të dënuar më parë. Ata i mbyllin portat Mateo Renzi-t, por hapin disa spirale për bashkëpunim me përfaqësuesit e partisë së tij.
Për të kaluar pengesën e fundit, Conte-s mund t’i duhet Partia Demokratike. Megjithatë, mediat shkruajnë se fundjava do të ketë shumë lëvizje politike pasi e djathta është duke kërkuar zgjedhje të parakohshme.
“Me këtë parlament e kemi të pamundur që të punojmë”, thuhej në një deklaratë të opozitës.
/a.r