• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Friday, February 27, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Editorial

Lideri është si Zonjat, lind, por nuk bëhet

by Lorenc Vangjeli
14/07/2021 16:20
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Lorenc Vangjeli

Aftësia për të ruajtur qetësinë edhe kur nervat janë gati për të shpërthyer dhe përmbajtja për të mos shpërthyer edhe atëherë kur orgazma ulërin nga padurimi, janë dy spaleta të domosdoshme për t’u graduar në burrë. Burrë në konceptin shumëkuptimësh të kësaj fjale, pavarësisht se krijesa të tilla po bëhen dëshpërimisht më të rralla në kohët moderne, siç kanë filluar të thonë gjithmonë e më shpesh gratë moderne. Edukata dhe kultura, stërvitja e trupit dhe trajnimi i mendjes, takimet me eksperiencën dhe leksionet e psikologjisë, por dhe një numër i pafundëm arsyesh që përfshijnë deri dhe ADN-në e mishit dhe thelbin e shpirtit, janë mundësia e lumtur që shërbejnë në rastin, kur edhe nëse nuk lind burrë, tenton të bëhesh. Sepse është totalisht e kundërta e asaj që ndodh me gjininë e kundërt: zonjë vetëm lind, por është e pamundur dhe nuk ka asnjë shans që të bëhesh zonjë! Nëse pohime të tilla lexohen vetëm si një paragraf prologu në një libër psikologjie, atëherë kuptimi i tyre është i pjesshëm, i mangët dhe i paplotë, madje edhe i keqkuptuar si një kuturisje seksiste nëpër lëndinat e dëshirës. Pavarësisht formës, subjekti i këtyre pohimeve kuptohet dhe trajtohet shumë më  mirë nëse shihet si një traktat politik. Si një filozofi politike që ndihmon të shpjegojë se çfarë ka shkuar keq dhe shumë keq për opozitën në katër vjetët e fundit. Ajo ndihmon të sqarojë arsyet dhe shkaqet se pse opozita e Bashës i dha mundësinë vetvetes që të rizgjidhet sërish si institucion opozitar, minimalisht edhe për katër vjet të tjerë. Kjo lloj filozofie mund të ndihmojë edhe si një udhërrëfyes modest për të treguar piketat e panegociueshme të saj për të pasur një shans për ndeshjen e ardhshme elektorale në 2025-ën. Pra, si të mësojë të qetesojë nervat që e çojnë nga fjalori i molotovit dhe si të përmbajë shpërthimin e pakontrolluar nga ekzaltimi naiv që e prish në kohën e gabuar dhe në vendin e zgjedhur gabim.

Zgjedhjet parlamentare 2013-ës ishin lajm i mirë për Bashën. Ato ishin humbje totale për Berishën në pushtet dhe fitorja e rradhës e Lulzim Bashës në PD. Ishin fatthënia më e mirë për të nesërmen e tij. Kush mban vulën e një prej dy partive të mëdha, ka shanse të plota për t’u bërë kryeministër i vendit dhe këtë e dinte mjaft mirë edhe Berisha që po largohej si ish, edhe Basha që po vinte si pasardhës.

Katër vjetët e opozitës së parë kaluan pa u ndjerë shumë dhe ndonëse e majta ishte e përçarë më shumë se kurrë në aleancën hilacake, dashurinë hipokrite dhe thikat e fshehura të armiqësisë në buqetat e trëndafilave që shkëmbente Rama me Metën, vetëm një gjeni mund të korrte atë humbje që i siguroi të djathtës Lulzim Basha. Atë e tradhëtuan nervat në ndeshjen epike në distancë dhe kokë më kokë me Edi Ramën; shpërtheu kur duhet të ishte i qetë, llogariti gabim si dikush që nuk njeh tabelën e shumëzimit dhe papritur, ende pa hyrë brenda, provoi orgazmën e pushtetit në prag të tij duke prishur gjithçka që rasti i afroi në mënyrë të pabesueshme sepse uleriti si luan xhungle u dritherua si lepurush kafazi.

Fati ishte atëherë si një monedhë në ajër me dy anë, që sido që të binte, kokë a pil, për të do të duhej të ishte fitore, qoftë nga koka e Ramës që afronte “marrëveshje pa vija të kuqe” si në 2021-shin, qoftë nën shenjën e Metës që i jepte kurajo për të luftuar, por jo besimin për paqe pas lufte.

Zgjedhjet e 2017-ës nuk e bënë Bashën kryeministër, por e krijuan si shef real të partisë së tij. Ai kontrollonte plotësisht grupin parlamentar që nuk kishte ndonjë punë të madhe për të bërë: thjesht duhej të shtynte katër vjet në luksin e opozitës që pushteti t’i servirej në tavolinë si alkooli festës së pritshme.

Katër vjetët që paraprinë 2021-shin kanë qenë nga më interesantët në politikën moderne të Tiranës. I vetëm kundër të gjithëve, Rama i relativizonte armiqtë e tij kur i zbulonte edhe aty ku ata nuk ishin, edhe kur i zgjonte për t’ja ndërsyer vetes. Mjeshtër i psikologjisë politike, ndonëse i përbuzte karakteret e fortë, ai ishte njohës i shkëlqyer i dobësive të karakterit. Rama kuptonte më mirë se kushdo tjetër se Basha parapëlqente jetën e lehtë dhe vanitoze, se nuk ja kishte ënda sakrificën dhe të përpjetat, por parapëlqente dhuratën e falur përpara pagës për punën dhe mbi të gjitha, ai dalloi shenjat se projekti vetjak ekonomik i Bashës kishte epërsi mbi politikën si projekt biznesi.

Tre janë momentet që parashkruan herën e tretë të Edi Ramës kryeministër dhe të treja ato ja shkroi kundërshtari. Perëndia që tentoi ta ndëshkojë me tërmet dhe me pandemi, në fakt dha një shembull tjetër se e keqja mbi të gjithë, shpesh vjen për t’i bërë mirë një individi.

E para është raporti i paqartë që Basha krijoi me amerikanët që në majin e largët të çadrës parazgjedhore të 2017-ës. Thyerja duhet të ketë ndodhur fillimisht aty. Dhe arsyeja me shumë gjasa është tek një koktejl dollarësh të pastër amerikanë që flirtuan me ca rubla ruse të padëshiruara që kapërcyen Altantikun bashkë me Bashën aso kohe. Fati apo fataliteti, padijenia apo nguti, hilja që kërkoi rrugën e shkurtër e të pasigurt apo paaftësia dhe përtesa për të ecur në rrugën e gjatë apo ndoshta edhe të gjitha këto bashkë, e futën Bashën në një labirint për të cilin ai nuk ka qenë i vetëdijshëm deri para shumë kohësh. Ky është thelbi për të kuptuar acarrimin e skajshëm të politikës shqiptare gjatë 2018-ës dhe shpërthimin e nervave në shkurt të 2019-ës, me djegien e mandateve që marrëzia e atyre që e bënë, e konsideroi si një shpërthim çlirues orgazme. Nuk ka pasur kurrë pamje më groteske se gëzimi e brohorima e PD-së dhe LSI-së në momentin e vetëvrasjes së tyre politike, kurrë ndonjëherë nuk ka qenë më idiot akti politik i bërjes së politikës nga rruga për muaj të tërë me dialogun mes molotovit të protestuesve dhe gazit lotsjellës së qeverisë. Edhe mbas më shumë se dy vjetësh, të mpirë nga humbja e rradhës, janë shumë të rrallë ata që kuptojnë se djegia e mandateve nuk ishte presion për Edi Ramën, por shantazh i pastër për amerikanët. Nuk ishte ftesë për bisedim me Ramën, por ishte kërcënim për arbitrat e largët. Ata arbitra, të cilët me të gjitha gjasat, i thanë fare thjesht Ramës atëherë: Leri të ikin! Ti vazhdo!

Zgjedhjet e bojkotuara lokale ishin gjithashtu momenti i tretë që theu gotën. Nervat që nuk mbajtën dhe trajtimi i humbjes totale sërish si një orgazmë e çliruar kënaqësie: ne nuk kemi asgjë, por as ai nuk fitoi gjë, ishin sërish dy arsyet se pse opozita u “zhburrërua” në thelb.

Kjo është historia e cila zakonisht me të njëjtat mjete shkruan njëlloj edhe të ardhmen. Që të ndodhë ndryshe, në katër vjetët që pritet të vijnë, opozita ka shumë sfida për të përballuar. Ajo duhet të fillojë të kuptojë se politika është një art që nuk ta jep as afërsia me kryetarin dhe as një zanat që ta jep paktika. Ajo duhet të mos jetë reflektive në kuptimin që çfarë thotë qeveria se është e bardhë, ta quajë të zezë dhe anasjelltas, por të mësojë të pohojë dhe jo vetëm të mohojë. Dhe kryesorja, të arrijë shkallën e burrërisë politike që di të sakrifikojë projektin ekonomik për projektin politik. Ajo duhet të fitojë aftësinë për të ruajtur qetësinë kur nervat janë gati për të shpërthyer dhe përmbajtjen për të mos ju dorëzuar padurimit budalla për të shpërthyer në orgazma gënjeshtare. Kush e sheh pushtetin si qëllim, nuk do të gjejë kurrë mjetet që do ta afronin tek ai. Ndryshe do ta shohin pushtetin ende vetëm nga larg si një iluzion plazhi në instagram: që mund ta ëndërrosh nga fotoja, por nuk e prek dot, që mund ta shohësh detin e lagur, por nuk hyn dot brenda tij, që mund të qash, por nuk mund të kesh dorë për të fshirë lotët, që mund ta quash karmën bit…ch, por mos kuptosh se vetëm ku..vat e mira e përdorin karmën si armë.

Burri, në konceptimin shumëkuptimësh të fjalës, nuk lind si i tillë, por një qënie njerëzore, mund të bëhet. Dhe ky është një proces që nis atëherë kur fillon të mos kesh problem nga koha që rrjedh sepse tullacët, nuk kanë frikë nga thinjat. Lider dhe Zonjë nuk bëhesh dot, nuk zgjidhesh dot as nga Kongreset, as nga parimi një antar, një votë, as nga përkatësia seksuale, por vetëm lind si i/e tillë! Ose je, ose nuk je. Ndryshe, lodhesh kot!

Next Post
Zvarritja nga BE/ Rama: Vafsh në djall, nuk do organizojmë dasëm të tretë! Greqia të kthehet në rajon. Kinezët dhe rusët ofrojnë para që s’janë të lehta, Turqia…!

Zvarritja nga BE/ Rama: Vafsh në djall, nuk do organizojmë dasëm të tretë! Greqia të kthehet në rajon. Kinezët dhe rusët ofrojnë para që s'janë të lehta, Turqia...!

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Ish-nënkryetari i Kamzës shpërthen ndaj Flamur Nokës: Kur ishe ministër emërove Greta Koçin si Drejtoreshë, vetëm 22 vjeçe

Ish-nënkryetari i Kamzës shpërthen ndaj Flamur Nokës: Kur ishe ministër emërove Greta Koçin si Drejtoreshë, vetëm 22 vjeçe

February 27, 2026
“Do prezantojnë nismë të përbashkët për zgjerimin e BE-së”, gazetari gjerman zbulon planin Rama-Vuçiç

“Do prezantojnë nismë të përbashkët për zgjerimin e BE-së”, gazetari gjerman zbulon planin Rama-Vuçiç

February 27, 2026
Shkodra pajiset me sistem inteligjent për zbulimin e zjarreve me dron, Rama: Çdo vatër do zbulohet në kohë reale

Shkodra pajiset me sistem inteligjent për zbulimin e zjarreve me dron, Rama: Çdo vatër do zbulohet në kohë reale

February 27, 2026
Kryenin vjedhje me thyerje në disa biznese, vihen në pranga 3 shqiptarë në Itali

Kryenin vjedhje me thyerje në disa biznese, vihen në pranga 3 shqiptarë në Itali

February 27, 2026
Një fenomen i rrallë astronomik do jetë i dukshëm këtë fundjavë, gjashtë planete rreshtohen në qiell

Një fenomen i rrallë astronomik do jetë i dukshëm këtë fundjavë, gjashtë planete rreshtohen në qiell

February 27, 2026
Turizmi dhe shitblerja e pronave nuk mjaftojnë, FMN: Zgjerimi i PBB nuk e kalon nivelin 3.5% deri në vitin 2029

Turizmi dhe shitblerja e pronave nuk mjaftojnë, FMN: Zgjerimi i PBB nuk e kalon nivelin 3.5% deri në vitin 2029

February 27, 2026
Nga mungesa e fjalimeve te marshimet në rrugë e ngujimi para Kryeministrisë/ Skenarët e protestës së opozitës

Nga mungesa e fjalimeve te marshimet në rrugë e ngujimi para Kryeministrisë/ Skenarët e protestës së opozitës

February 27, 2026
Drejtuesit politik të PS, Andoni: PD në Fier e ka të vështirë! Me kandidimin jashtë liste, Rama i dha një mësim opozitës

De Gol, koteci dhe kasollja me yll

February 27, 2026
Nënkryetarja e Kuvendit në Budapest: Anëtarësimi i Shqipërisë në BE mision kombëtar, tejkalon ndarjet politike

Nënkryetarja e Kuvendit në Budapest: Anëtarësimi i Shqipërisë në BE mision kombëtar, tejkalon ndarjet politike

February 27, 2026
Këta nuk janë ‘aristokratë’, janë thjeshtë të paudhë

‘Tenderat’, 35 vite burg, po për 30 të vrarët në Gërdec e 21 janar sa jep SPAK?

February 27, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In