Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Evis Kushi dhe Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja kanë dorëzuar në mënyrë simbolike librat shkollorë tek tre fëmijët e një familjeje në Elbasan.
“Patëm kënaqësinë t’u dorëzonim tekstet shkollore falas tre fëmijëve në familjen e Fatmir Sinanit, baba i binjakëve Xhuel dhe Nuel në klasën e dytë, dhe Sevit nxënëse në klasën e nëntë“, shkruan Ministrja Kushi në statusin e saj në rrjetin social.
Ajo më tej shprehet se këtë vit nisma “Librat Falas” u zgjerua edhe me klasat 8 dhe 9, duke i pajisur kështu me tekste shkollore të gjithë nxënësit e shkollave publike 9-vjeçare. Së bashku edhe me 16 kategoritë në nevojë nga klasat 10-12, numri i nxënësve përfitues në total është 280 mijë.
Ministrja ka bërë të ditur se duke filluar që nga data 1 shtator, tekstet shkollore do të shpërndahen për të gjithë nxënësit në të gjitha shkollat e vendit.
Ndërkohë, ministrja Kushi gjatë vizitës nuk ka lënë pa përmendur rëndësinë e vaksinimit për mbarëvajtjen e procesit mësimor.
“Shpresojmë që ky vit shkollor të jetë një vit normal, pasi pjesa më e madhe e mësuesve janë vaksinuar“, shprehet Kushi.
/a.r