Dy vite e tre muaj luftë kanë shkatërruar thuajse gjithçka në Gaza: shtëpi, shkolla, spitale, xhami dhe një pjesë të madhe qendrash kulturore të çdo lloji. Por një librari ka mbijetuar, pronari i së cilës, Samir Mansour, e mbajti hapur me kokëfortësi e kurajë mes bombardimeve, luftës e urisë.
“Populli i Rripit s’mund të bëjë më asgjë”, shprehet ai në një telefonatë me Financial Times, “gjithçka ka mbetur është leximi.” Tani ai është i vetmi që mund t’u japë libra dy milionë palestinezëve të shpërndarë andej-këtej nga lufta.
Nën raketat izraelite, Mansour humbi shtëpinë ku jetonte me familjen dhe dy libraritë me emrin e tij, por dega e tretë në Rimal, një lagje tre kilometra larg Gazës qendrore, shpëtoi.
Ai u zhvendos atje bashkë me gruan e fëmijët. “Flemë në dysheme, mbi një shtrat librash të radhitur në tokë”, rrëfen ai. Aty mund të vijë kushdo që do të lexojë diçka. Nëse një lexues nuk ndien siguri për të shkuar te libraria sepse edhe pse armëpushimi është në fuqi, ka ende rrezik, ai ia dërgon librat në shtëpi me korrierë me biçikleta: disa i ka dërguar edhe në kampet e mëdha me çadra për ata që janë zhvendosur në Gazën jugore. “Nuk ishte e lehtë sepse të gjitha çadrat dukeshin njësoj, por në fund ia dolëm.”
Të qenët librashitës rrjedh në venat e tij. Kur ishte fëmijë, luante në librarinë e të atit që më vonë e trashëgoi. Përpara 7 tetorit 2023, Mansour ia dilte me një rrjet të mirëorganizuar prej tre librarish gjatë dy dekadave. Me kohën, ishin kthyer në pikë referimi dhe institut i njohur në Gaza: ai nuk shiste vetëm libra, por edhe i shtypte në shtëpinë e tij të vogël e të pavarur botuese duke ndihmuar shkrimtarët palestinezë, botonte klasikë dhe ese të të gjitha llojeve, drejtonte një bibliotekë falas dhe organizonte prezantime e debate.
“Jo pak nga lexuesit e mi të rinj janë kthyer në shkrimtarë që i botoj”, kujton ai. Në një pikë, kur gazi, vajguri dhe drurët për zjarr mbaruan, ai nisi të dhuronte libra për t’i djegur që të ngroheshin ose të gatuanin. “Disa shkrepëse i kam ndezur vetë”, rrëfen ai pa drojë. Librat janë mision, por mbijetesa është përparësi.
“Po kalojmë një periudhë të vështirë”, përmbyll ai. “Në Rrip, pjesa më e madhe e librave u shkatërruan bashkë me shtëpitë ku ndodheshin. Kultura mbijeton sepse mund ta shkatërrosh një libër, por kultura jeton në mendje.”











