Leximi i librave është një kulturë që ushqen trupin dhe mendjen, me energji, dëshira, fantazi e botëkuptime të ndryshme.
Shpesh herë rutina e përditshme na bën të justifikojmë veten për mospasjen kohë për të lexuar librat që duam.
Lista është e gjatë, qoftë e autorëve klasikë apo e librave më të famshëm e të vlerësuar në gjithë botën, ndaj asnjëherë nuk ka kohë për të harxhuar kur është puna për të lexuar sa më shumë libra.
Pushimet e verës janë ndoshta piku i leximit të librave, e reflektuar kjo jo vetëm në bibliotekën kombëtare ku ka një fluks të madh studentësh e qytetarësh që rendin të marrin veprat e tyre të preferuara letrare, por dhe në libraritë e Tiranës.
Në një vëzhgim të vogël në disa nga pikat më të frekuentuara të shitjes së librave rezulton se shqiptarët synojnë të blejnë librat e rinj, ata më të fundit që natyrisht janë më të reklamuarit në televizione e kudo nga shtëpitë botuese.
Sipas asaj që shitësit tregojnë nuk ka shumë rëndësi përmbajta por shtëpia botuese, apo qoftë rrahja e veshit me tituj të caktuar duke bërë që stenda më e frekuentuar të jetë ajo e librave më të reklamuar së fundi.
Shitësit shprehen se shqiptarët nuk janë lexues që rikthehen pas për të lexuar veprat e kaluara, pasi preferojnë gjithnjë të jenë të update-uar me titujt më të rinj.
Ndërkohë punonjësit e Bibliotekës Kombëtare thonë se librat më të preferuar nga anëtarët e saj janë ato klasike, vepra të cilat gjimnazistët i kanë të detyruara t’i lexojnë dhe ata zgjedhin këtë periudhë për t’u përkushtuar në leximin e tyre, por jo vetëm.
Romanet e autorëve të huaj janë gjithashtu pjesë mjaft e kërkuar, ndonëse mundësia e bibliotekës për t’i plotësuar të gjitha këto kërkesa është e vogël duke patur mjaft mungesa.
Guidat turistike të shqipërisë mbajnë vendin e dytë si më të kërkuarat në libraritë e kryeqytetit, ku shitëset sqarojnë se janë të huajt ata që i preferojnë më tepër për t’u njohur me rivierën dhe alpet e mrekullueshme shqiptare.
Por vepra më e shitur rezulton të jetë Kanuni i Lek Dukagjinit i cili blihet nga shqiptarët e të huaj, nga kurioziteti i madh, për kulturë apo për traditë. Bashkë me ta librat e preferuar të të huajve janë dhe ato të historive të veçanta të shqipërisë, sidomos librat mbi fenomenin e burrneshave.
Edhe fëmijët kanë një sërë titujsh për të lexuar gjatë verës, ku përveç librave shoqërues të klasave të fillores për t’i mbajtur sa më aktivë e për të rifreskuar dijet e marra gjatë klasave të mëparshme, ata janë të apasionuar pas librave serialë, librave klasikë për fëmijë, fabulave e natyrisht përrallave.










