Kandidatja e Partisë Socialiste në Qarkun Gjirokastër, Mirela Kumbaro, në takimet e zhvilluara në fshatrat Drino e Bulo të bashkisë e Libohovës, u tha banorëve se e ardhmja e tyre do të varet nga zgjedhja që do të bëjnë më 25 qershor. “Mendoni nëse do të votoni për veten tuaj apo për një individ – iu drejtua Kumbaro banorëve, duke theksuar se PS nuk është parti për të zgjidhur hallin e një personi, por jep zgjidhje për gjithë komunitetin.
“Në 25 vjet, Libohovën tonë me të gjitha fshatrat rrotull, që nga Zagoria deri në Nepravishtë, që nga Bulo deri në Stegopul nuk e kishte njeri në plan, nuk e kishte njeri në defter. Ndaj është shumë e rëndësishme që të kuptojmë që vota nuk mund të jetë për një moment. Nuk kemi ardhur t’ ju kërkojmë votën pas katër vitesh dhe tu themi na jepni votën sot, se do ta bëjmë nesër. Erdhëm t’ju themi ja çfarë kemi bërë në katër vite, ja si kemi punuar, ja cfarë dimë të bëjmë, ja ku duam të shkojmë . Kjo është shumë e thjeshtë. Në 25 qershor ju me votën tuaj keni të drejtë të vendosni nëse programi dhe modeli i Edi Ramës do të vazhdojë, që të bëhen edhe rrugë të tjera dhe investime të tjera, siç ka treguar që i bën, apo do të ndërpresim çdo gjë dhe do kthehemi pas në 2012-ën. Fshijeni rrugën në një moment, të gjitha investimet, ndalon zhvillimi dhe ne ngelim në vend. Sepse vota nuk kërkohet dhe nuk jepet as për një thes miell e as për një lopë të vaksinuar më shumë a më pak, e as për një numër telefoni që të përgjigjet a nuk të përgjigjet. Se kjo mund të zgjidhë hallin e një njeriu,por nuk zgjidh sistemin, nuk zgjidh fshatin”, tha ajo.
Kumbaro ka sjellë në kujtesën e banorëve disa prej arritjeve të qeverisjes socialiste vetëm në 44 muaj, ndërkohë që për dekada të tëra kjo zonë ka qenë e harruar.
“U deshën plot 25 vite që të bëhej rruga e Bulos, që e kishte lënë të izoluar këtë fshat që ndodhet vetëm 10 km larg Gjirokastrës. Tashmë ju keni një rrugë brenda standarteve bashkëkohore, po kështu jemi kujdesur edhe për kanalet vaditëse, të domosdoshme për bujqësinë dhe banorët e fshatrave. “ – pohoi kandidatja e PS-së.
“Ne sot vimë përballë jush ballëlartë për punët tona. Libohova që ju njihnit nuk do të ekzistojë më. Transformimi i saj tashmë ka filluar. Shumë shpejt do të nisë zbatimi i projektit për restaurimin e plotë të sheshit të qytetit. Një tjetër projekt i rëndësishëm i qeverisë Rama është edhe unaza e Pogonit, që i shërben dy bashkive, asaj Libohovë dhe Gjirokastër, projekt i cili nis së shpejti – shtoi Kumbaro.
Në mbyllje të fjalës së saj Kumbaro ka theksuar se PS është e vetmja forcë që mund t’u japë rrugë reformave të nisura dhe transformimeve urbane, në shërbim të komunitetit. Ajo ka kërkuar nga banorët t’i kërkojnë llogari çdo kandidati dhe çdo partie, për punët e kryera në këto vite, në shërbim të atyre që sot u kërkojnë votën.
ma.me