Emiljan Hysa ka rënë në pranga pasi lëvizte me kallashnikov me vete. Qarkullonte me armë zjarri me vete, falë inteligjencës informative dhe reagimit në kohë, lokalizohet dhe vihet në pranga 30-vjeçari.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar në inteligjencën informative se një shtetas po qarkullonte me armë zjarri, menjëherë kanë organizuar punën dhe në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Reagimi”.
Gjatë këtij operacioni u bë i mundur lokalizimi i shtetasit që qarkullonte me armë zjarri, në fshatin Muriqan, Elbasan. Falë ndërhyrjes profesionale, shërbimet e Policisë kapën në flagrancë shtetasin E. H., i cili po lëvizte me armë zjarri automatik, me një krehër me fishekë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan arma e zjarrit automatik dhe municioni luftarak.
Në përfundim të veprimeve procedurale u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. H., 30 vjeç, banues në Muriqan, Elbasan, për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.
/s.f











