Një ditë pas ngjarjes së rëndë që ndodhi në fshatin Verjon të njësisë administrative Nikël në Fushë-Krujë, ku një 41-vjeçar u vra me armë zjarri nga kunati i tij, janë mësuar të tjera detaje.
Mësohet se 41-vjeçari Artur Çangu kishte shkuar për vizitë tek shtëpia e prindërve të tij në fshatin Verjon.
Prej gati dy vitesh ai dhe kunati i tij kishin pasur konflikte për një sipërfaqe toke. Mbrëmjen e së premtes së 10 prillit, kur Çangu kishte parkuar makinën në rrugë, kunati E.A ka dalë dhe i ka kërkuar ta lëvizë prej aty me pretendimin se i kishte zënë rrugën.
Pas debatit mes tyre, E.A ka marrë çiften dhe e ka qëlluar Çangun për vdekje.
Autori i dyshuar vijon ende të jetë në kërkim nga policia, pasi pavarësisht kontrolleve ai nuk është lokalizuar dot. Megjithatë, ka dyshime se fshihet në zonën malore të Krujës.











