Letra e Brahos, Prokuroria nis verifikim e hyrje-daljeve në Burgun e Fierit
Letra e deputetit Spartak Braho drejtuar institucioneve të vendit në lidhje me një “komplot ndaj kreut të Kuvendit Ilir Meta” bëhet objekt hetimi për Prokurorinë. Një ditë pasi mori shkresën e kreut të Komisionit Parlamentar të Sigurisë, kryeprokurori Adriatik Llalla ka urdhëruar që dokumenti t’i dorëzohet Prokurorisë së Tiranës, shkruan sot gazeta Panorama.
Prokurorja e dosjes së biznesmenit që akuzohet se ka vjedhur paratë e CEZ, ka nisur ditën e djeshme verifikimin penal në lidhje me faktet e renditura në letrën e Spartak Brahos. Verifikimi i nisur ka të bëjë me ofrimin e shpërblimeve apo kërcënimet në adresë të biznesmenit Kastriot Ismailaj dhe gruas së tij për të dhënë deklarime kundër kryetarit të Kuvendit Ilir Meta.
Burime të Prokurorisë së Tiranës kanë thënë pwr Panoramwn se pas marrjes në dorëzim të letrës së deputetit Spartak Braho ka nisur verifikimi i fakteve që përmenden aty. Procesi i verifikimit sipas procedurës mund të zgjasë deri në 30 ditë. Më pas, nëse Prokuroria gjen elemente të veprës penale në faktet e pretenduara në letrën e Spartak Brahos, atëherë vendoset regjistrimi i procedimit penal.
Biznesmeni Kastriot Ismailaj, i cili mbahet në arrest me urdhër të Prokurorisë, ndodhet në burgun e Fierit. Në letrën e deputetit Spartak Braho pretendohet se persona nga jashtë burgut kanë shkuar te biznesmeni duke i kërkuar të japë dëshmi të caktuara.
Për këtë arsye, pritet që Prokuroria të verifikojë librin e fletëhyrjeve në burgun e Fierit. Grupi i hetimit pritet të marrë në pyetje edhe biznesmenin me të shoqen. Mësohet se dy javë më parë Kastriot Ismailaj është lëvizur nga burgu i Fierit dhe është sjellë në Tiranë, pasi në Gjykatën e Apelit u mbajt seanca për çështjen e sekuestros së pasurive të tij.
Pasi ka marrë pjesë në seancën në Gjykatën e Apelit Tiranë, biznesmeni është mbajtur pak orë në Policinë e Tiranës, ku është marrë në pyetje nga Prokuroria dhe më pas është rikthyer përsëri në burgun e Fierit.
Si rregull, për sa kohë qëndron në paraburgim, biznesmeni Kastriot Ismailaj mund të lejohet të takohet vetëm me persona, për të cilët prokuroria ka dhënë miratim. Prokuroria pritet të marrë në pyetje edhe bashkëshorten e Kastriot Ismailajt në lidhje me takimet që ajo ka pasur me deputetin Tom Doshi dhe nëse ka komunikuar me ishdeputetin Dritan Prifti.









