Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ka reaguar pas letrës së prof.Jorgji Hanxharit botuar dje në DITA
Më poshtë reagimi i tij:
Nga Ilir Beqaj,
Ministër i Shëndetësisë
Në përgjigje të pretendimeve të ngritura në shkrimin me titull: “Letër e hapur nga ‘të fundit e listës’”, të Prof. Asoc. Dr. Jorgji Hanxhari, botuar në numrin 1172, dt. 29/2/2016 të gazetës “Dita”, Ministria e Shëndetësisë dëshiron të sqarojë si në vijim:
Që prej vitit 2003, kategoria e Pensionistëve e merr falas 100% alternativën e parë të çdo bari të Listës së rimbursimit.
Ndërkohë, që përsa i përket alternativave të tjera të barit, ato ofrohen nga lista e barnave të rimbursueshme me bashkëpagesë, që do të thotë, se një pjesë paguhet nga Fondi i Kujdesit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH), dhe pjesa tjetër, nga pacienti.
Kjo është, në fakt, edhe mënyra se si funksionon skema e rimburismit të barnave në çdo vend të zhvilluar të botës demokratike.
Për rastin në fjalë, nga të dhënat zyrtare, rezulton që z. Jorgji Hanxhari, i janë rimbursuar gjithsej 15,456 lekë gjatë kurimit në vitin 2015 me 11 barna të ndryshme nga lista e rimbursimit për njëkohësisht 7 diagnoza të ndryshme sëmundjesh kronike, që përfshijnë që nga diabetis melitus, glaukoma, sëmundje të zemrës nga hipertensioni, crregullime të ritmit të zemrës, e deri te dermatiti nga kontakti, infeksioni akut i rrugëve të sipërme të frymëmarrjes e hipoplazi e prostatës.
Ndërkohë, që z. Hanxhari, ka paguar sipas parimit të bashkëpagesës, gjithsej 8,380 lekë për kurimin në vitin 2015.
Por, kjo ka qenë zgjedhja e z. Hanxhari, që në vend të përzgjedhjes së alternativës së parë të disa prej barnave të listës së rimbursimit, e cila ofrohet FALAS 100% nga shteti, të bëjë zgjedhjen e alternativave të tjera që ofrohen me bashkëpagesë.
Kjo vjen për shkak të zgjedhjes personale të z. Hanxhari, dhe jo për shkak të politikave apo rregulloreve të shtetit.
Në qoftë se z. Hanxhari do të zgjidhte alternativat e para që ofron shteti, atëherë ai do të kishte mundësinë e rimbursimit 100% për zgjedhjen e barnave për kurimin e sëmundjeve të tij, pra ofrimin FALAS të këtyre barnave, por për zgjedhje të vetën, pacienti në fjalë, ka zgjedhur alternativat e barit me bashkëpagesë.
E vërteta është se përgjegjësia nuk bie tërësisht mbi pacientët për këto zgjedhje, por në një masë të madhe, edhe tek disa mjekë, të cilët me rekomandimet e tyre për përshkrimin e barnave të markave të caktuara tregtare të barnave rëndojnë padrejtësisht xhepin e pacientit.
Firma të caktuara farmaceutike, për shkak të reformës rrënjësore që kemi ndërmarrë në sektorin e shëndetësisë, janë të detyruara të ulin mesatarisht 30% çmimin e barnave, dhe duke u përpjekur ta kompensojnë këtë humbje, përpiqen të gjejnë mënyra të tjera për të rënduar xhepin e qytetarëve.
Pikërisht, për këtë qëllim, iu bëjmë thirrje qytetarëve që të zgjedhin alternativat e para të barit, që ofrohen FALAS, apo me rimburim 100% nga shteti, të cilat janë tërësisht të kontrolluara, të sigurta dhe të efektshme,
Dëshirojmë të sqarojmë lexuesit e gazetës “Dita” dhe të gjithë shqiptarët, se Ligji i ri për barnat dhe materialet mjekësore që miratuam në korrik 2014, si dhe ngritja e Agjencisë së re Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore e kanë rritur sigurinë e barnave dhe materialeve mjekësore, duke synuar që as barnat, dhe as materialet mjekësore, ashtu siç jemi angazhuar në programin tonë qeverisës, të mos kushtojnë më shumë se sa në vendet e origjinës.
Kështu, çdo bar (apo princip aktiv), i regjistruar në listën e barnave të rimbursueshme, është i regjistruar me dosjen përkatëse pranë Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, – institucioni i ngarkuar me ligj për të kontrolluar dhe çertifikuar sigurinë dhe efikasitetin e të gjithë barnat që tregëtohen në Republikën e Shqipërisë.
Të gjitha udhëzimet bashkëkohore të protokolleve të mjekimin referojnë që çdo i sëmurë kur futet në skemën e mjekimit fillon trajtimin sipas skemave bazë, të cilat janë jo vetëm me kosto më të ulët por edhe me probabilitetin më të ulët për efekte anësore. Në rast se këto barna nuk rezultojnë të efektshme, kjo nuk do të thotë që barnat nuk plotësojnë standadet, pasi me këto barna kurohen me sukses mijëra pacientë të tjerë. Kalimi i shkallëve të kurimit nga barnat e skemave mjekuese bazë tek ato të gjeneratave më të avancuara nuk bëhet me afate kohore të përcaktuara, por në varësi të rezultatit që ka dhënë kjo skemë mjekimi tek pacienti, e ndjekur në mënyrë periodike.
Megjithatë, Ndodh shpeshherë, në fakt, që krejt ndryshe, nga çdo të duhej të bënte cilido profesionist i shëndetit, mjekë të punësuar kryesisht në sektorin privat dhe të paguar nga kompanitë e mësipërme farmaceutike përshkruajnë qëllimisht markën tregtare, dhe jo alternativën e parë të barit, në një përpjekje të qartë për të rritur fitimet e këtyre kompanive dhe për të siguruar fitimin e tyre të paligjshëm, në kurriz të xhepit të shqiptarëve.
Ndërkohë, falë masave dhe reformës që kemi ndërmarrë, sot, ka një situatë krejt të re në tregun e barnave në vend.
Në përmbushje të angazhimit të Qeverisë, që prej prillit 2014, shqiptarët janë çliruar nga barra e TVSH-së 10% për barnat, dhe 20% shërbimet shëndetësore dhe materialet mjekësore të implantueshme.
Sikundër kishim premtuar, ja dolëm të ulim çmimin e barnave, duke e afruar me çmimin në vendin e origjinës. Sot shqiptarët paguajnë 30% më pak për barnat. Të njëjtat barna, dhe për të njëjtën sasi të vendosura në treg në vitin 2013, sot kushtojnë 70 milion dollarë më pak.
Në më pak se dy vjet, përfshimë 85 barna të reja në listën e rimbursimit, prej të cilave përfitojnë rreth 150 000 qytetarë shqiptarë. Ndërkohë Lista e barnave të rimburshueshme do të vazhdojë të zgjerohet me barna të reja, e cila do të përballohet nga një buxhet prej mbi 9 miliardë lekë të tjera.
Lidhur me tarifat për shërbimet mjekësore për pacientët në Kujdesin Shëndetësor Parësor, Ambulator dhe Spitalor në sektorin publik, duke filluar nga data 1 shkurt, me Urdhër të Ministrit të Shëndetësisë, ka një ulje të ndjeshme nga 7 deri në 10 herë për personat që ndjekin sistemin e referimit
Pas ofrimit të vizitës falas te mjeku i familjes, vendim i cili hyri në fuqi më 27 janar 2016, në rastin e vizitave ambulatore, kryerja e injeksioneve dhe ndërhyrjeve mikrokirurgjikale ofrohet tashmë FALAS.
Dëshirojmë të bëjmë me dije gjithashtu, se FSDKSH-ja, në bazë të kontratave me Qendrat Shëndetësore dhe Spitalet, financon ndër të tjera, zërin 602 të buxhetit për mallra dhe shërbime. Detajimi i këtij zëri (dhe përcaktimi i buxhetit për kite dhe reagent të domosdoshem për analiza) bëhet nga drejtorët përkatës të këtyre institucioneve, bazuar mbi nevojat dhe historikun e tyre.
Ndërsa, përsa i përket çështjes që z. Hanxhari ngre lidhur me të drejtën e rimbursimit të barnave për kategorinë e veteranëve të Luftës Nacional-Çlirimtare përkundrejt veteranëve të punës, sqarojmë se Statusi i Veteranit të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare përcaktohet në bazë të Ligjit Nr. 7874, dt.174.11.1994, “Për statusin e Veteranit të Luftës kundër pushtuesve nazifashistë të popullit shqiptar”, i cili cilëson si më poshtë:
Neni 2 – “Statusin e veteranit të luftës e përfitojnë të gjithë shtetasit shqiptarë dhe të huaj, që luftuan kundër pushtuesve nazifashistë dhe bashkpunëtorëve të tyre që nga 7 prilli i vitit 1939 deri në ditën e Çlirimit të Shqipërisë; luftëtarët e inkuadruar në ato njësi të ushtrisë që luftuan jashtë kufijve të Atdheut gjer më 9 maj 1945; ata që kanë zhvilluar veprimtari të organizuar në ilegalitet në prapavijë të armikut e në zona të çliruara; kryefamiljarët e atëhershëm të familjeve të njohura si baza të Luftës kundër pushtuesve nazifashistë; të burgosurit dhe të internuarit në burgjet dhe në kampet nazifashiste, brenda dhe jashtë vendit, si dhe shtetasit shqiptarë që kanë marrë pjesë aktive në luftë kundër nazifashizmit në vende të tjera. Neni 3 Qenia veteran i Luftës kundër pushtuesve nazifashistë të popullit shqiptar”.
Ne Nenin 9, te ketij Ligji, citohet si më poshtë:
“Veteranët gëzojnë të drejtën e kurimit falas në spitalet, klinikat dentare dhe qendrat e kurimit që financohen nga shteti, si dhe përfitojnë falas barnat për sëmundje kronike, sipas kritereve të caktuara nga Këshilli i Ministrave”.
(Shpallur me dekretin nr.962, datë 22.11.1994 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha.)
Referuar këtij Ligji, Këshilli i Ministrave, me Vendimin Nr. 189, datë 06.03.1995, ka vendosur si më poshtë:
- Veteranëve të Luftës kundër pushtuesve nazifashistë te popullit shqiptar:
- a) U sigurohet shtrimi dhe mjekimi falas në të gjitha institucionet shtetërore shëndetësore buxhetore.
- b) U kryhet mjekimi falas në të gjitha institucionet shëndetësore shtetërore buxhetore stomatologjike, si edhe në kliniken stomatologjike universitare.
- c) U jepen gratis barnat për mjekim ambulator për kategorinë e sëmundjeve kronike, sipas përcaktimit të bërë nga Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes së Mjedist.
(Nënshkruar nga Kryetari i Këshillit të Ministrave, Aleksander Meksi)
Nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, në zbatim të përpiktë të ligjeve, vendimeve dhe udhëzimeve në fuqi, është nxjerrë Udhezimi Nr. 9, më datë 19.07.2006, “Për zbatimin e kufizimeve të barnave të listës së rimbursueshme për invalidët dhe veteranët e luftës”, në të cilin, udhëzohet se :
Personat me statusin e Veteranit dhe Invalidit të Luftës do të përfitojnë falas barnat e listës së rimbursueshme, pavarsisht kufizimeve në listë.
Në recetat me rimbursim për këto kategori të sëmurësh mjekët do të përshkruajnë vetëm barna të regjistruara në Republikën e Shqipërisë. Recetat do të pershkruhen vetëm nga mjekët e kontraktuar me DRSKSH, sot DRF, dhe egzekutohen sipas përshkrimit të mjekut dhe për barnat jashtë liste në farmacitë e rajonit përkatës të kontraktuar.
Së fundi, dëshiroj të theksoj se jemi të ndërgjegjshëm për pengesat e shumta dhe kundërvënien e egër kundër reformës dhe përpjekjes që kemi ndërmarrë për shndërrimin rrënjësor të sistemit të kujdesit shëndetësor, duke abuzuar dhe duke spekuluar me kostot e me dhimbjet e reformave, dhe me mundimet, që në rrugën e reformave janë të pashmangshme.
Pavarësisht masave dhe reformave që kemi ndërmarrë, jemi të vetëdijshëm se ka ende shumë për të bërë, por ndryshimi sapo ka filluar.
Me respekt,
Ilir Beqaj
Ministri i Shëndetësisë
****
LETRA E PROF. JORGJI HANXHARI
Nëse do të jetonte ende babai juaj… (Drejtuar ministrit Ilir Beqja)
Drejtuar Ministrit te Shendetesise, z.Ilir Beqja / Per dijeni: Kryeministrit te Shqiperise, z.Edi Rama
Une, qe po ju shkruaj, jam nje pensionist. Jam matur te shkruaj shume kohe me pare, por, kur degjova programin e Rilindjes, qe do t’a kthente shendetesine falas, vendosa te pres ndryshimet, sigurisht ne favorin e popullit dhe per rrjedhoje, edhe ne favor te pensionisteve, qe eshte shtresa me e diskriminuar e popullsise se Shqiperise! Por, nuk qenka e thene, qe te na qeshe buza!
Shkon te mjeku i familjes, merr rekomandim per vizite tek mjeku specialist, meqenese vuan nga nje semundje kronike. Dhe mjeku specialist shkruan ato barna, qe i vlereson si te domosdoshme per pacientin dhe diagnozen perkatese. Me kete recete kthehesh tek mjeku i familjes, i cili ka te drejte qe te leshoje receten, per te marre barnat tek farmacia.
Deri ketu jemi ne rregull, edhe pse mund te thjeshtohej procesi, per te semuret kronike, me perjashtim te rasteve kur pacienti kronik e shikon te nevojshme qe te beje nje vizite tek specialisti. Mjeku i familjes hap nje liber, te derguar per zbatim nga Ministria e Shendetesise dhe te informon se këtë ilaç qe te ka shkruajtur mjeku specialist, nuk mund t’a shkruaje per ty, mbasi ky ilaç mund t’u jepet vetem veteraneve te Luftes nacional-çlirimtare!
Ky eshte absurdi i pare qe te del perpara! Qe t’a marrin veteranet e luftes jemi plotesisht dakord, mbasi ata e kane merituar plotesisht me vepren e tyre! Por, edhe neve, qe jemi veterane te punes, me moshe mbi 70 vjeç, qe kemi punuar mbi 40 vjet – (shume prej nesh ne sektoret me te veshtire te ekonomise, si nafta, minierat, industria kimike, industria metalurgjike, apo ne sektore te tjere, po kaq te rendesishem e te veshtire te vendit) – a nuk kemi te drejte qe te trajtohemi me po ate vleresim si edhe veteranet e luftes?
Dy brezat qe kane lindur ne vitet ’30 dhe ’40 te shekullit te 20-te, tashme jane te gjithe pensioniste, burra e gra, madje po dalin ne pension edhe ata qe kane lindur ne vitet ’50. Pra, jemi te gjithe 65 vjeç e lart, deri ne mbi 90 vjeç, kush ka patur fatin te arrije ne kete moshe! Ata te brezit tim jane te gjithe mbi 73 vjeç! E cfare privilegji mund te jete, qe te marresh ilaçin, me të cilin mjeku gjykon se ti mund te jetosh edhe disa vjet te tjera?!
Perse kete te drejte ta kene vetem veteranet e luftes dhe jo ata te punes? Lufta zgjati 3 apo 4 vjet ne rastin me te mire, kur veterani iu bashkua luftes qysh ne vitin 1941, kur ende nuk luftohej. Edhe neve, veteranet e punes, e kemi filluar luften me veshtiresite e jetes, qe kur kemi lindur, mbasi lindem ne kohe lufte, provuam sistemin e trisketimit kur nuk merrje sa te nevojitej, as buke, as ushqime e as veshmbathje, por çdo gje e kishim te racionuar! Me vone, qe te mos bejme shume histori, se tashme i dimë te gjithe fazat e veshtiresive, provuam privimin e te gjitha sendeve te dores se pare, me sistemin e tollonave te viteve ’80!
Kemi provuar jeten neper konvikte dhe neper kantiere ndertimi dhe pune me veshtiresi te panumerta dhe me rreziqe natyrore dhe shoqerore qe shkonin deri tek rreziku per te perfunduar me denime ne burg, apo edhe me keq, siç ndodhi me jo pak prej nesh dhe prej shokeve dhe bashkemoshatareve tane! Besoj se te gjitheve na kujtohen valet e denimeve per sabotime te paqena, duke filluar nga veprat e para bonifikuese te mbasluftes e duke vazhduar pa nderprerje me gjoja sabotimet ne nafte e ne miniera, ne vepra industriale dhe ne bujqesi, ne ushtri e ne art e kulture…
Në tehun e asaj ‘’shpate’’ qe na rrinte mbi koke, mund te gjendej gjithseicili prej nesh. Dhe, nje pjese prej nesh, provuan edhe buken e hidhur te kurbetit ne moshe jo te pershtateshme. Pra, edhe pas vitit 1990, e deri me sot, kemi kaluar mbi 25 vjet vuajtje, luftë dhe shpresë! Sot e shohim veten te braktisur nga te gjitha qeverite e te ashtuquajturit tranzicion, te diskriminuar materialisht, me pensione mjerane qe diku dalin e diku nuk dalin per te shtyre jeten vetem me buke!
Takohemi me ish koleget e mij, te gjithe inxhiniera te respektuar te industrise se naftes, te minierave e gjeologjise qe mbajten mbi supet e tyre dikur te njoma peshen teper te rende te ekonomise. Punuan me ndergjegje dhe me vetmohim te rralle e te pakonceptueshem per brezat e sotem, sic thashe e dhe me lart, me rrezikun e denimit pa faj mbi koke, ne çdo çast! Dhe sot, i vetmi defrim, qe na ka mbetur eshte te takohemi grupe-grupe ne zona sa me afer shtepive qe te kursejme edhe parate e urbanit e te pijme nga nje kafe sa me te lire ne oret e mengjezit, kur disa lokale ‘’humane’’ e kane cmimin 50 leke, duke grumbulluar qindarkat qe kane mbetur neper xhepa!
Dhe, kjo jo çdo dite, sepse ne 30 ditet e muajit, duhet te harxhosh mbi 1500 leke te reja, qe do t’i heqesh nga buka! Ata, me te ‘’kamurit’’, pas kafese, here pas here, kane privilegjin qe te shkojne edhe ne ndonje… sall bilardoje! Ky, i nderuar Minister eshte i vetmi argetim i brezit tim te pensionisteve, qe nuk patem fatin te lindim me shpejt e te mund te ishim sot veterane te luftes, qe te na jepej mundesia te merrnim ate ilaç qe e gjykon si me te mirin per diagnozen, mjeku specialist!
Pra, siç thame, ilaçin e pare, ate qe konsiderohet si me i mire per te te mbajtur gjalle edhe ca kohe, nuk ke te drejte ta marresh! Por, nëse ka te rrjeshtuara disa ilaçe me poshte, qe, sic mund te kuptohet lehte, cilesia vjen duke u ulur, ti nuk ke te drejte te marresh as te dytin e as te tretin apo te katertin, nëse lista eshte e gjate, por të jepet e drejta te marresh ilacin e fundit! I cili i takon cilesise me te keqe, qe ne gjuhen e rendomte, edhe mjeket nen zë e quajne pleh!
Sipas rregullit te Ministrise se Shendetesise, i nderuar Minister, te sanksionuar tek libri me listat e ilaçeve, sipas kategorive te semundjeve, nëse mbas gjashte apo dymbedhjete muajsh nuk te jep rezultate ilaçi qe more sipas rregullit, te jepet e drejta qe mjeku i familjes te ngjitet nje shkalle me lart, tek ilaci i parafundit, i cili eshte nje pleh pak me i fisme se i mëparshmi! Dhe kjo do te ndodhe nëse do te kesh fatin t’i rezistosh semundjes se pakuruar gjate gjithe periudhes qe kaloi dhe nuk ke ikur me te shumtit ne Sharre apo ne Tufine!
Keshtu vazhdohet perseri per nje periudhe nga 6 deri ne 12 muaj, deri sa te te jepet e drejta per t’u ngjitur nje shkalle me lart ne listen tuaj, i nderuar Minister, gjithmone nëse do te kesh patur fatin te mbijetosh pa ilaçin e duhur! Dhe, siç mund te kuptohet lehtesisht, duhet te kalojne disa 6 mujore dhe vjet, derisa te kesh arritur tek ilaçi i dyte, sipas rradhes nga kreu i listes, nëse do te kesh mbetur gjalle!
Por, ama atë ilaçin e veteranit te luftes, jo, nuk e arrin dot!
I nderuar Minister! A mund te me thoni se ne cilin vend te botes e keni marre kete eksperience, per te bere selektivitet nga zyrat, per te mbajtur gjalle edhe ca vjet nje brez, qe sakrifikoi jeten, duke punuar ‘’ku kishte nevoje atdheu’’?! Kjo eshte nje tallje cinike me tere kete brez, qe pati fatin e keq te pensionohet ne kete fare tranzicioni te pafund e te pashpirt, ku nje pjese te mire te pensionit mjeran e harxhon per ilaçet, qe shteti gjoja ia jep falas!
Meqe libri juaj burokratik nuk ia jep ilaçin qe i shkruan doktori, detyrohet ta bleje, duke harxhuar pensionin qe nuk del as per buke, ose duke u hyre ne pjese femijëve, kush ka fatin t’i kete ne pune!
Ky eshte nje turp per çdo qeveri qe ka kaluar në keta 25 vjet, mbasi ju vertetë qe e keni gjetur kete situate, por keni premtuar qe do ta ndreqnit! Dhe ndreqja nuk behet duke vazhduar me ilaçe te prodhuara ne vendet me te prapambetura se neve, apo duke blere ilaçet me te lira e disa here edhe me afat skadence te tejkaluar e te korrigjuar, ne menyre qe te ulen gjoja çmimet e ilaçeve, te cilat nuk japin asnje efekt!
Dhe, sigurisht, qe pothuajse te gjithe ne, pensionistet, vuajme nga me shume se nje diagnozë. Konkretisht, une vuaj nga hipertensioni, aritmia e zemres, diabeti, tiroidja, tensioni i syrit dhe shqetesimet e prostates nga mosha! Shume nga ish-koleget e mi kane edhe me shume diagnoza se une!
Zoti Minister! Ne rast se nuk e njihni kete situate, ju lutem, hetoni dhe zhbejeni ate liber te hartuar nga zyrat, nga ata qe nuk kane haber se çfare ndodh me njerezit qe e pesojne ne kurrizin e tyre padijen apo cinizmin qe mbart ky lloj libri i ligjeruar nga Ministria juaj!
Lejojini mjeket qe t’i japin pacientit ate ilaç qe e gjykon ai te arsyeshme se i ben efekt! Dhe, per te shmangur korrupsionin, qe mund te behet, ne çdo rast, ju, si qeveri, i keni te gjitha mjetet dhe hallkat e nevojshme, vetem se duhet qe gjithseicili te beje detyren e vet, perfshi edhe juve, drejtuesit e Ministrise!
Nje problem tjeter, me te cilin hasemi, jo vetem ne pensionistet, por te gjithe pacientet e Shqiperise, eshte ai i analizave te ndryshme, qe jane te nevojeshme qe te kryhen, here pas here. Neper entet shteterore, nuk mund te besh te gjitha analizat e gjakut, te urines apo analiza specifike, qe i duhen mjekut per te ndjekur gjendjen e pacientit, duke u detyruar qe te drejtohesh tek laboratoret private, qe jane te paperballueshme per ne, pensionistet!
Sa per ilustrim, te ben kolesterolin e pergjithshem, pa te bere LDL dhe HDL, nuk ben dot analizen e PSA ne gjak qe eshte e domosdoshme per moshat mbi 60 vjec per kontrollin e prostates, çdo 6 muaj deri ne nje vit, apo analizen per treguesit e tiroides (TSH,T3,T4) e shume e shume analiza te tjera te domosdoshme. A e dini se sa leke duhen qe te besh vetem nje analize te tille? Perse te mos na i garantoje shteti, te pakten pensionisteve dhe femijëve?
E di qe ju keni programe dhe do te me thoni – nëse do te denjoni te me jepni nje pergjigje – se te gjitha nuk behen menjehere, mbasi ju jeni votuar per t’i bere ndryshimet ne 4 vjet! Duke rene dakord, ne pergjithesi me kete, nuk mund te mos kembengul qe problem i asaj liste famekeqe e atij libri çnjerezor, duhet zgjidhur urgjentisht nje ore e me pare dhe kjo eshte plotesisht e mundshme, per te hequr nje njolle, qe edhe pse ju e keni trasheguar nga paraardhesit, vazhdimi i punes me ate ju ben po kaq fajtorë edhe juve qe e mbani ende.
I nderuar Minister! Nëse do te jetonte ende babai juaj, i respektuari Prof.Hamit Beqja dhe do t’i jepnit te lexonte kete leter, me siguri qe do te te fliste ashper, si dikur kur ishe femije dhe beje ndonje gabim te rende! E them kete, mbasi ai mbase nuk e ka perjetuar kete situate si ne, sepse ka patur fatin (e mire apo te keq, kete nuk e them dot!) qe te linde para brezit tim dhe mund te kete marre pjese ne lufte, e per rrjedhoje ka patur fatin per te gezuar te drejten e ilaçit te pare ne liste!
Dhe, per te qene serioze deri ne fund, ju lutem edhe nje here, ne emer te te gjithe fakir-fukarenjve pensioniste, hiqeni ate rregull poshterues te listave te ilaçeve prioritare, që nuk besoj se ekziston ne asnje vend te botes, perfshi edhe ate qe e quanim dikur ‘’bote e trete’’ dhe u vini detyre laboratoreve te Qendrave Shendetesore qe te marrin masa per te bere gradualisht (por jo ne kalendat greke) te gjitha analizat e domosdoshme, te cilat mjeket i dine me se miri!
Kam besim se do t’i merrni seriozisht keto qe ju shkruajta, mbasi kane te bejne me jeten e brezave qe kane dhene nje kontribut te madh per kete vend, por, qe ne perputhje me ligjin e jetes, tashme jane ne fazen permbyllese te saj! Ju keni ne dore qe te ndihmoni, per t’ua lehtesuar kete jete te varfer, ne menyre qe te mund te shtyjne edhe ca vjet te tjera!
Me respekt per postin qe keni dhe me shprese se do jepni zgjidhje te shpejte,
Prof.Asoc.Dr.Jorgji Hanxhari
ish inxhinier ne kantieret e naftes dhe ish pedagog ne Fakultetin e Gjeologjise e te Minierave.
Tirane, më 27.02.2016