Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i ka dërguar një letër Ambasadores Yuri Kim në lidhje me çështjen “Babalja”.
Në letrën e siguruar nga Top Channel nga burime diplomatike, Basha thotë se PD-ja publikisht përmes Ervin Salianjit ka paraqitur prova për përfshirjen e Agron Xhafajt në trafik.
“Pavarësisht këtyre zhvillimeve, nën presionin politik të qeverisë, sistemi drejtësisë dështoi të bëjë dhe përfundojë një hetim për këto krime të dyshuara, përfshi tentativat për t’i mbuluar ato, me përfshirjen e zyrtarëve të lartë të policisë dhe politikanëve nga PS”.
Kryedemokrati Basha shpalos edhe shqetësimin për atë që ndodhi me gjyqin e ish deputetit Ervin Salianji.
“Gjyqi prodhoi shkelje flagrante të ligjit, nga një gjykatës haptas i lidhur me partinë në pushtet duke dënuar përfaqësuesin e PD Ervin Salianji dhe gazetarin investigativ Jetmir Olldashi me akuza absurde për raportime të rreme”.
Bashkë me këtë letër kreu i PD Basha ka dërguar edhe një material përmbledhës për atë që e quan abuzim pushteti dhe presion politik, që ndëshkoi denoncuesit e një krimi për të mbrojtur autorët e krimit.











