Nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Valentina Leskaj, njëherësh edhe zëvendëspresidente e Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës, gjatë punimeve të sesionit të vjeshtës së AP të KE-së, (të zhvilluara këtë javë) ka ngritur si shqetësim mungesën e vizitës së raportuesit për Kosovën, Agustín Conte, i cili raportoi pikërisht për këtë shtet, por duke mos kryer asnjë vizitë në Kosovë.
Nisur nga fakti se Conte e kreu vizitën e parë në Serbi dhe ende nuk ka shkuar në Kosovë, ndërkohë që është raportuesi i Kosovës e jo i Serbisë, Leskaj inkurajoi Conte të vizitojë Kosovën dhe të zhvillojë kontakte me autoritetet kosovare, me përfaqësues të shoqërisë civile dhe faktorë të tjerë, duke reflektuar në raportin e APKE-së edhe progresin që ka shënuar Kosova. Në një intervistë për KosovaPress, Leskaj tregon me detaje replikën e saj me raportuesin spanjoll Conte.
Ndërkohë në të njëjtën linjë mendimi me zonjës Leskaj ka qenë edhe nënkryetari i Parlamentit të Kosovës Xhavit Haliti i cili edhe ai ka bërë replikë me Conte. Duket se nga kritikat e palës shqiptare raporteri Conte ka vendosur të vizitojë Kosovën këtë javë, në datat 5-7 tetor.
Pas vizitës që do të zhvillojë në Kosovë do të përpilohet një raport i ri nga ana e z.Conte, dhe që do të paraqitet në mbledhjen më të afërt të Komitetit të Politikave dhe Çështjeve të Demokracisë, e cila pritet të mbahet në Paris.
Ajo tha se Conte më tepër se një vlerësim për punën dhe progresin që ka bërë Kosova, foli në fakt më shumë për sundimin e ligjit për luftën kundër korrupsionit dhe natyrisht fuqizimin e institucioneve demokratike. Ndërsa vetë zëvendësresidentja e AP të KE-së dhe nënkryetarja e Kuvendit, Valentina Leskaj ka theksuar se duhet reflektuar në raportin e AP të KE-së progresi që ka shënuar Kosova në drejtim të kapërcimit të sfidave me të cilat përballet si një shtet i ri demokratik.
Leskaj vuri në dukje përparimin e Kosovës në rrugën e konsolidimit demokratik, duke demonstruar vullnet dhe angazhim të qartë ndaj vlerave evropiane, si dhe për stabilitetin në rajon.
Lidhur me pyetjen nëse kjo mungesë e vizitës së raportuesit spanjoll Conte, ka qenë e qëllimshme, Leskaj tha se nuk gjykon pozicionin e tij po veprimet, pasi një raport i Këshillit të Evropës nuk mund të përpilohet nisur nga preferenca apo zgjedhje personale të raportuesve.
“Unë në fakt nuk dua të gjykoj pozicionin e reporterit por gjykoj natyrisht veprimet e tij. Fakti që reporteri Conte ka bërë vizitën e parë në Serbi dhe jo në Kosovë, natyrisht që nuk është normale për mua dhe kjo është arsyeja që kam reaguar dhe besoj që nuk është normale për standardet e Këshillit të Evropës”, tha Leskaj./KosovaPress/