Koalicioni qeverisës pritet ta përmbyllë mandatin aktual pa iu dhënë zgjidhje dy prej tri temave më të mëdha – krijimit të ushtrisë dhe përmbylljes së demarkacionit me Malin e Zi.
Ndërkaq, përkushtimin do ta orientojë në themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, shkruan Koha Ditore.
Me kërkesë të deputetit të AAK-së, Daut Haradinaj, Kryesia e Kuvendit ka vendosur të hënën që në seancën e radhës të debatojë për Forcën e Sigurisë (FSK).
Të enjten do të mbahet seanca, në të cilën do të trajtohen plot 22 çështje. Përfaqësuesit e partive në pushtet nuk kanë shprehur pritjen që në të të ndodhë vendimmarrja për statusin e FSK-së.
Kryeparlamentari Kadri Veseli, i cili e drejton subjektin kryesor në pushtet, Partinë Demokratike, ka thënë se krijimi i ushtrisë nuk mund të bëhet njëanshëm, pa pëlqimin e komunitetit ndërkombëtar.
Në të njëjtën linjë ka folur edhe Ismet Beqiri, shef i Grupit parlamentar të partisë që udhëheq me Qeverinë – Lidhjes Demokratike. (b.an)