Pesëdhjetë mijë euro është dëmshpërblimi moral që kërkon Zhan-Mari Lë Pen, themelues dhe ish-kryetar i partisë së ekstremit të djathtë Fronti Kombëtar në Francë. Kërkesa në rrugë ligjore është bërë kundrejt Brahim Zaibatit, balerin profesionist, i njohur për lidhjen me këngëtaren Madona. Shkak është bërë një foto “selfie” e shkrepur nga 29-vjeçari gjatë një fluturimi të brendshëm 12 dhjetorin e shkuar, një ditë para raundit të dytë të zgjedhjeve rajonale.
Foton ku ka dalë i qeshur përkrah 87-vjeçarit në gjumë, balerini e postoi në rrjetet sociale me ftesën për të mos e votuar Frontin Kombëtar: “Hidheni nokaut, shkoni të gjithë të votoni nesër. Ta ruajmë Francën tonë vëllazërore”. Postimi u shpërnda e u pëlqye mijëra herë brenda pak orësh.
E në fakt, zgjedhjet e ditës së nesërme rezultuan një dështim i madh për partinë e ekstremit të djathtë dhe Lë Pen, siç shkruan revista “Public”, pretendon se fotoja në fjalë ndikoi në mënyrë domethënëse në këtë rezultat, transmeton Shekulli.
Për këtë, 87-vjeçari kërkoi 50 mijë euro dëmshpërblim moral si dhe një ndjesë publike. Duke qenë se asnjëra prej këtyre kërkesave nuk është plotësuar, ai ka vendosur të ndjekë rrugën ligjore. Brahim Zaibat ka qenë partner i Madonës nga viti 2010 deri në 2013-n. Pavarësisht ndarjes, ylli i popit i ka premtuar balerinit se do ta mbështesë në rast përballjeje ligjore me Lë Penin, me të cilin edhe ajo vetë ka pasur përplasje pak kohë më parë.