Tensionet në veri të Kosovës janë përshkallëzuar, teksa së fundmi kanë dhënë dorëheqjen edhe kryetarët e komunave me shumicë serbe. Pas zhvillimeve të fundit me tensione në veri të Kosovës, ka reaguar edhe Shefi i Diplomacisë Europiane, Josep Borrell i cili ka bërë thirrje që dy vendet të përmbaheshin me veprime që mund të destabilizonin gjendjen.
Në deklaratën e BE-së bëhet thirrje që dy vendet të përmbahen nga çdo veprim që mund të destabilizojë gjendjen. Kosovës dhe Serbisë i është bërë edhe njëherë thirrje që të respektojnë marrëveshjet e arritura, në mënyrë që mos të bëjnë hapa pas, për normalizimin e marrëdhënieve të dy vendeve.
“Tërheqja e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje e mosmarrëveshjeve aktuale. Ajo ka potencialin për të përshkallëzuar më tej tensionet në terren”, thuhet në deklaratë.
Ndër të tjera BE-ja i ka bërë thirrje Kosovës që të themelojë Asociacionin e komunave serbe, duke thënë se ky është obligim ligjor i Kosovës.
“Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar Marrëveshjen e Brukselit dhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që Asociacioni duhet të krijohet. Prandaj, themelimi i saj është obligim ligjor për Kosovën. Dështimi i vazhdueshëm për të zbatuar këtë obligim cenon parimin e sundimit të ligjit dhe dëmton reputacionin dhe kredibilitetin e Kosovës”, thuhet në reagim.
Përveç kësaj në reagim kërkohet edhe shtyrja e afatit për targat ilegale.
/e.d