Nga Xhevdet Shehu
Ditën e djeshme, në orët e para të mëngjesit, pas një gjendjeje të rënduar shëndetësore, u nda nga jeta në moshën 86-vjeçare kryetari i Organizatës Kombëtare të Veteranëve të LANÇ Rustem Peçi. Nuk po i them as Komandant, as Gjeneral. Po e quaj thjesht një Kapedan që e udhëhoqi me shumë dinjitet Organizatën Kombëtare te Veteranëve të LANÇ-it. Kështu e thërrisnim deri dje. Komandant dhe Kapedan.
Lamtumirë, Kapedan, Rustem Peçi!
Ishte padyshim një lajm shumë i trishtë për këtë organizatë të lavdishme që mban titullin “NDERI I KOMBIT’, për pasardhësit e veteranëve, për familjarët dhe të afërmit e dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe për tub gjithë ata që ndjekin dhe besojnë në idealet e së majtës progresiste.
Unë, si gazetar, kam patur një njohje personale dhe një miqësi të paharrueshme me Rustem Peçin. Kam biseduar shumë herë dhe e kam intervistuar sa herë më është dashur në interes të gazetës DITA, për çështje të luftës dhe mbrojtjes së një epoke që ai, jo vetëm e kishte përjetuar, po edhe besonte se ishte një nga faqet me të ndritura të historisë sonë kombëtare.
Unë jam dhe i vetmi gazetar që e kam intervistuar Rustem Peçin. Ndihem krenar nga ky fakt.
Ja si ka ndodhur:
Ishte data 24 shkurt 2021. Sapo kishte filluar vaksinimi anti-covid dhe të parët u vaksinuan mbi 80-vjeçarët. Rustemit i takonte të ishte ndër të parët që duhej vaksinuar. Por… Rustem Peçi nuk arriti që të vaksinohej. Pse…
Lexoni përshkrimin në vijim.
Dje, (më 23 shkurt) unë pata një bisedë të gjatë me Kryetarin e Komitetit Kombëtar të Veteranëve të LANÇ-it, Rustem Peçin. Takohemi shpesh së bashku, pimë kafe dhe diskutojmë për çështje nga më të ndryshmet që kanë të bëjnë me trashëgiminë tonë historike të Luftës së Dytë Botërore. Janë shqetësime natyrale të shoqërisë shqiptare dhe debatojmë se si mund të bëhen më mirë punët, se si mund dhe duhet të jemi më realistë dhe pse duhet të jemi të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm në mbrojtje të kësaj trashëgimie të vyer që kemi.
Mirëpo takimi i djeshëm ishte disi ndryshe. Ne llafosëm dhe diskutuam për një nga çështjet më akute të shoqërisë shqiptare dhe për mbarë botën, për pandeminë dhe ai më shpjegoi arsyet pse ai dhe shumë veteranë të tjerë të Luftës Antifashiste nuk e kanë marrë ende vaksinën.
Ishte e natyrshme që biseda e djeshme me kreun e veteranëve të LANÇ-it, përtej problematikës së Luftës së Dytë Botërore, opinioneve pro dhe kundër saj, të vërtitej rreth situatës aktuale të pandemisë dhe sidomos rreth zhurmës që po bëhet për fushatën e vaksinimit.
Sa të privilegjuar janë veteranët në këtë fushatë kundër pandemisë? – pyes si fillim për të hapur bisedën që çuditërisht do të vazhdonte gjatë.
Rustem Peçi përgjigjet shkurt dhe prerë:
Nuk ndihemi aspak të privilegjuar dhe nuk ka pse të privilegjohemi. Por duhet të jemi të qartë përballë situatës që ndodhemi: Ky virus është edhe më i keq se ballistët. Është tinëzar dhe nuk kursen askënd për bindje politike. Nga ky virus e kanë ngrënë edhe fukarenj edhe bosa, të majtë e të djathtë… Ballistët në fund të fundit ishin shqiptarë dhe e dinin shumë mirë me kë kishin të bënin. Prandaj dhe ne e fituam luftën dhe ata u mundën. Mirëpo, ky virusi i tanishëm nuk e dimë nga e ka origjinën dhe nga ç’krah na sulmon. Është një virus i lig. Por ne dhe bota do ta mundim.
Ne, veteranët, jemi pjesë e këtij populli që po kalon një pandemi të rëndë dhe nuk ka asnjë arsye që të trajtohemi si të privilegjuar. Ne veteranët jemi të disiplinuar, e kuptojmë situatën dhe kemi kaluar situata më të rënda se kjo. Ne kemi kaluar dhe fituar një luftë, sikurse ishte Lufta e Dytë Botërore. Edhe kjo është një luftë. Por nuk ka nevojë të mobilizohemi e të rrëmbejmë armët. Armët ne e kemi më të kollajtën gjë që mund të bëjmë. Tashmë jemi në kushte të barabarta me të gjithë qytetarët përballë një virusi që kërcënon mbarë njerëzimin, jo vetëm kombin tonë. Si veteranë ne kemi respektuar të gjitha masat që ka marrë qeveria dhe ministria e Shëndetësisë, ndaj dhe nuk ndihemi të rrezikuar, pavarësisht moshës që kemi.
E pyes se pse nuk është vaksinuar ende, pasi je kryetar i një organizate të nderuar të Veteranëve të LANÇ-it, i them.
Ma kthen menjëherë:
– Po ti Xhevdet a je vaksinuar?, më pyet Rustem Peçi.
– Jo, i them. Nuk më ka ardhur radha. Do të vaksinohen të parë ata mbi 80…
– Gabim! Shumë gabim! Ju gazetarët duhet të vaksinoheni të parët sepse jeni përditë në terren. Ju jeni baraz me mjekët, infermierët, policët dhe të gjithë ata që po e përballojnë këtë luftë. Askush nuk do të ankohej apo të akuzonte qeverinë pse po vaksinohen gazetarët. Askush nuk do të guxonte të thoshte se ky është një privilegj që po u bën Kryeministri! Sidomos ju të gazetës DITA duhet të trajtoheni me përparësi. Askush nuk do të thotë pse u vaksinuan këta gazetarë që u hapin sytë njerëzve edhe në kohët më të vështira. Ju të DITA-s e meritoni të ishit ndër të parët që duhej të vaksinoheshit… A e dini ju se ne veteranët mezi presim të gdhihet dita që të marrim gazetën DITA se na hap sytë dhe ka kurajon si asnjë gazetë apo medie tjetar që t’i thotë gjërat troç? Ju i thoni! Bravo ju qoftë!
Nejse. Le të kthehem te kthehemi te pyetja pse nuk jam vaksinuar ende si Kryetar i Veteranëve. Po ju përgjigjem: Unë jam një nga këta shokët e mi të luftës dhe të pasluftës. Nuk jam aspak i privilegjuar në këtë fushatë vaksinimi. Kur të më vijë radha, do ta bëj dhe unë vaksinën, si gjithë të tjerët. E kanë keqkuptuar kryeministrin për këtë punën e të privilegjuarve për disa personalitete. Ne mund të kemi njëmijë e një arsye të mos jemi të kënaqur me qeverinë dhe me kryeministrin, por jo deri këtu, sa ta fajësojmë për vaksinën. Ai po bën ç’është e mundur që ta shpëtojë popullin e tij nga kjo e keqe globale. Edi Rama, pavarësisht rezervave që ne kemi shfaqur për çështjen e Luftës dhe qëndrimin ndaj Ballit Kombëtar, por kjo nuk na pengon të themi se ai po e menaxhon shumë mirë këtë situatë që nga fillimi e deri më sot. Ashtu sikurse menaxhoi situatën e tërmetit të vitit të kaluar. Kaq i ka mundësitë. Është fatkeqësi të bësh politikë për të fituar vota me pandeminë. Mos i dëgjo edhe ca palo analistë që flasin veresie. Ne jetojmë këtu, e shikojmë situatën se si është dhe të gjithë mendojmë se si të dalim të fituar nga kjo e keqe. Mendoj se do ia dalim…
E theksoj këtë sepse po shikoj se janë disa parti e individë që duan të fitojnë vota duke luajtur me këtë fatkeqësi. Sikur ne nuk kemi qenë këtu dhe nuk i kemi parë se sa u është djegur barku atyre për popullin. Edi Rama ka njëmijë e një kusure, por ka edhe merita si askush tjetër në këta 30 vjet. Ishte ai që hoqi 80 e ca kioska rreth e rrotull muzeut historik Kombëtar ku të mbyste era e shurrës. Ishte ai që pastroi parkun Rinia dhe ndërtimet e paligjshme në të dyja anët e Lanës. Është ai që pastroi llumin e gjithë qyteteve të vendit dhe po bën ca reforma që nuk ia mbante askujt t’i bënte. Po kështu ne veteranët kemi mendimin se ai po e menaxhon për bukuri situatën e kësaj murtaje që ka prekur gjithë globin që nga dita e parë kur u shfaq…
I them kryetarit të Veteranëve se këto që po më thoni ngjajnë si një fushatë në favor të Edi Ramës për zgjedhjet e 25 prillit që i kemi në prag.
Jo, më thotë. Unë nuk po bëj fushatë për Edi Ramën dhe për Partinë Socialiste. Janë të tjerë ata që po e shfrytëzojnë këtë p-andemi për të fituar vota. Për turpin e tyre. Për 25 prillin, para Edi Ramës unë do të doja të përmendja dy emra të tjerë: Dy Erionët. Erion Veliajn dhe Erion Braçen. Pra Kryetarin e Bashkisë së Tiranës dhe zëvendëskryeministrin. Janë opikërisht ata që në krah të Edi Ramës kanë bërë ca punë të mira që kundërshtarët e tyre politikë as në ëndrra nuk i kanë parë. Unë i çmoj dy Erionët edhe për një fakt të thjeshtë: Ata janë pozicionuar qartë dhe vendosmërisht në krah të mbrojtjes së Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe unë gjej rastin t’i përshëndes dhe t’u shpreh mirënjkohjen edhe në emër të organizatës që përfaqësoj.
Rustem Peçi vazhdon rrëfimin e tij:
O miku im, Xhevdet! A e di se në çfarë rrethanash kemi kaluar dhe çfarë situatash kemi përballuar në këto vite? Vjen një ditë dhe njeriu bën bilancin e punës dhe të luftërave që ka përballuar. Ne veteranët jemi ndodhur në situata tepër të vështira disa gjatë këtyre viteve. Kemi përballuar revanshizmin e neoballistëve dhe neofashistëve që dolën si kërpudhat pas shiut. I kemi mundur se e vërteta historike është në anën tonë. Mirëpo ky virusi i tanishëm na ka bërë të jemi më vigjilentë: Ky është një armik i padukshëm dhe nuk dihet nga na vjen. Por ne veteranët jemi vigjilentë dhe të disiplinuar. Ne respektojmë masat, mbajmë maskat, kemi respektuar karantinën, kështu që virusi na merr të keqen…
E ndërpres Rustem Peçin dhe i them:
– Sidoqoftë, ju jeni kryetar i veteranëve dhe duhej të ishit vaksinuar ndër të parët, këmbëngul unë.
– Dëgjo, miku im, ma kthen ai, Po të tregoj një histori reale nga ish-Bashkimi Siovjetik. Në vitin 1955 në Sevastopol, u mbyt një karrocatë ushtarake shumë e madhe. 360 metra e gjatë dhe me disa kate. Kishte 3 mijë vetë në bord, ushtarë dhe oficerë. Karrocata ishte marrë nga italianët si dëmshpërblim për luftën e Dytë Botërore. Dikush i vuri një minë kësaj karrocate në fundin e saj. Situata u bë alarmante. Anija po mbushej me ujë. Por askush nuk e braktisi frontin e tij. Po përpiqeshin si e si të shpëtonin anijen. Pas nja tre orësh, anija filloi të fundosej. Ushtarët dhe ekuipazhi mbyteshin njëri pas tjetrit. Kur anija u mbyt, ata që kishin mbetur gjallë u hodhën në det e filluan të notonin. Të shpëtonte kush të shpëtonte. Në atë rrëmujë, duke notuar në det, ngrihet një zë i fortë: Më shpëtoni, jam Komandanti! Dhe komandanti me rreth 1200 vetë shpëtuan, pasi shumica u mbytën bashkë me anijen. Më pas u zhvillua një gjyq për shkakun e mbytjes së anijes dhe komandanti u dënua me burg. Thjesht për atë thirrjen: Më shpëtoni mua se jam Komandanti!
Edhe kjo është një luftë. Si? Edhe unë të thërras: Më vaksinoni mua se jam Kryetari! Jo. Nuk e bëj dot. Kur të më vijë radha. Po këtë nuk e bëri as Ziqiri Mero…
Dje, në lamtumirën që i dhamë Rustem Peçit, takova dhe 101 vjeçarin Ziqiri Mero. Ishte tejet i prekur… Na iku Komandanti!, i thashë.
Na iku kapedani!, më tha.
I dhashë të drejtë. Kapedanët janë të pavdekshëm.
***
E kam intervistuar shumë herë Rustem Peçin dhe jo rrallë herë jam penduar se e kam lodhur. Nuk u mburr asnjëherë si bir i gjeneralit të famshëm Shefqet Peçi. Ai kishte meritat e tij të vetëmjaftueshme.
Po sjell në vijim disa prononcime të Rustem Peçit që unë i kam marr ekskluzivisht për gazetën DITA:
Për Luftën Antifashiste:
Ajo luftë e madhe antifashiste mbetet një nga faqet më të ndritura të historisë sonë mijëravjeçare. Shqiptarët jo vetëm nuk do ta harrojnë, por vetëm do ta nderojnë atë luftë që ishte shpëtimtare për Shqipërinë dhe për shqiptarët si komb. Po, është e vërtetë se atë luftë e udhëhoqën komunistët, por jo të gjithë partizanët dhe dëshmorët që dhanë jetën në atë luftë ishin komunistë. Jo. Shumica e tyre dërrmuese ishin djem e vajza që e deshën atdheun me gjithë shpirt, deri sa dhanë edhe jetën. Janë pallavra ata që thonë se lufta jonë antifashiste ishte luftë vëllavrasëse, luftë civile që të vinin komunistët në pushtet. Jo. Ata që hedhin baltë mbi luftën janë kolaboracionistë të pushtuesve nazifashistë dhe pinjollë të tyre… Ata e kanë vendin në koshin e plehrave të historisë dhe nuk meritojnë asnjë respekt, çfarëdo justifikime të nxjerrin!
Në vitin jubilar të 75-vjetorit të çlirimit të atdheut:
Edi Rama duhet të reflektojë thellë dhe të veprojë urgjentisht. Të mos vazhdojë të shkojë më tutje me mendimin se sa të kem përballë dordolecin Berisha, këta (pra, ne veteranët dhe gjithë anëtarët e Partisë Socialiste) për Ramën do të votojnë. Ia them sinqerisht se ky është një mendim i gabuar, i kapërcyer. Socialistët dhe veteranët duan të shikojnë një Ramë të majtë, që të mbrojë interesat e atyre që e sollën dhe e mbajnë në pushtet. Prandaj thashë pak më parë që Rama të mos ua fërkojë kokën ballistëve, por edhe Berishës e Bashës, se atyre u ngrihen veshët shpejt. Ne kërkojmë nga Kryeministri të ndryshojë qëndrimin ndaj luftës, ndaj dëshmorëve… Deri tani Edi Rama është treguar i pavëmendshëm dhe shpërfillës. Mirëpo rruga është e gjatë… Gjithsesi unë mendoj se Edi Rama nuk ka rrugë tjetër veçse të përulet para asaj luftë antifashiste dhe dëshmorëve të saj. Sidoqoftë, ne si Organizatë e Veteranëve të Luftës do të bëjmë tonën: Do të vazhdojmë të përkujtojmë e të nderojmë me respektin më të madh të gjitha ngjarjet e luftës, dëshmorët e saj të lavdishëm në këtë 75 vjetor. Do t’i japim Luftës sonë Antifashiste Nacionalçlirimtare vendin e merituar, duan apo nuk duan politikanët!