Lame: Shpërblimi i ish-pronarëve, me paratë e legalizimeve
Të ardhurat nga legalizimet do të shkojnë për shpërlimin e ish-pronarëve. Deklarata është bërë nga Drejtori i Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Informale, Artan Lame, gjatë një konference për mediet ditën e sotme. Lame tha se ALUIZNI e ka tejkaluar planin vjetor dhe deri në fund të këtij viti, pritet që të realizohet mbi 160 për qind.
“Sot, pas një viti e gjysmë të operimit të kësa skeme, do të doja të publikoja disa shifra rreth realizimit të të ardhurave nga ky proces. Për periudhën maj-dhjetor 2014, u arkëtuan 307 milionë lekë. Ndërsa për periudhën janar-gusht 2015, janë arkëtuar 1,4 miliard lekë. Eshtë vendi të kujtoj se plani vjetor, sipas buxhetit të shtetit ka qenë 1 miliard lekë dhe, me këto ritme pagesash, parashikojmë që deri në fund të vitit ai të realizohet mbi 160%”, theksoi Lame.
Meqënëse një nga çështjet kryesore të procesit të legalizimeve mbetet koordinimi i legalizimeve me kompensimin e pronarëve, Lame tha se qytetarët duhet ta paguajnë truallin. “Një prej elementeve thelbësorë të procesin e legalizimeve, ka qenë dhe mbetet koordinimi i procesit të legalizimeve me atë të kompensimit të pronarëve që ju është zënë trualli nga këto ndërtime. I vetmi detyrim që ju mbetet qytetarëve që kanë ndërtuar në truall jo të tyrin, pra shtet apo me pronar, është pikërisht pagesa e truallit”, deklaroi Lame. Në këtë pagesë, qytetarët përfitojnë një sërë uljesh, pasi çmimi i truallit përllogaritet deri në 2.000 lekë/m2, pavarësisht nga vlera e tregut; ai përfiton ulje 20% për pagesë të menjëhershme dhe deri 50% nëse paguhet me letra me vlerë.
Duke iu referuar shifrave, Lame tha se, për periudhën maj – dhjetor 2014, u kompensuan 460 ish-pronarë, ndërsa për periudhën janar – gusht 2015, janë përfshirë në procesin e kompensimit 2290 ish-pronarë. Në fund, Lame bëri me dije se po punohet me një numër i madh kërkesash të ish-pronarëve që ju është zënë trualli me ndërtime pa leje dhe që kërkojnë përshpejtimin e procesit të legalizimit, me qëllimin që ata të përfitojnë kompensimin financiar për truallin e zënë.
Deklarata e plotë e kreut të ALUIZNI-t, Artan Lame
Një prej elementeve thelbësorë të procesin e legalizimeve, ka qenë dhe mbetet koordinimi i procesit të legalizimeve me atë të kompensimit të pronarëve që ju është zënë trualli nga këto ndërtime. Kujtoj këtu se i vetmi detyrim që ju mbetet qytetarëve që kanë ndërtuar në truall jo të tyrin, pra shtet apo me pronar, është pikërisht pagesa e truallit. Në këtë pagesë, qytetarët përfitojnë një sërë uljesh, pasi çmimi i truallit përllogaritet deri në 2.000 lekë/m2, pavarësisht nga vlera e tregut; ai përfiton ulje 20% për pagesë të menjëhershme; deri 50% mund të paguhet me letra me vlerë; etj.
Të gjitha këto parashikime kanë bërë që qytetarët e interesuar të përfshihen masivisht në procesin e pagesës së truallit, me qëllimin përfundimtar legalizimin dhe formalizimin e pronës së tyre. Sot, pas një viti e gjysëm të operimit të kësa skeme, do të doja të publikoja disa shifra rreth realizimit të të ardhurave nga ky proces. Për periudhën maj – dhjetor 2014, u arkëtuan 307 milion lekë. Ndërsa për periudhën janar – gusht 2015, janë arkëtuar 1,4 miliard lekë. Çshtë vendi të kujtoj se plani vjetor sipas buxhetit të shtetit ka qenë 1 miliard lekë dhe, me këto ritme pagesash, parashikojmë që deri në fund të vitit ai të realizohet mbi 160%.
Kontributin më të madh në arkëtimin e këtyre të ardhurave, e ka dhënë:
Drejtoria e ALUIZNI-t Tirana-1, në shumën 425 milion lekë.
Drejtoria e ALUIZNI-t Durrës, 370 milion lekë.
Drejtoria e ALUIZNI-t Vlorë, 133 milion lekë.
Drejtoria e ALUIZNI-t Fier, 101 milion lekë.
Drejtoria e ALUIZNI-t Tirana-3, 80 milion lekë.
Drejtoria e ALUIZNI-t Shkodër, 72 milion lekë.
Ndjehem realisht krenar me punën e bërë nga këto drejtori rajonale, por edhe nga i gjithë stafi i ALUIZNI-t, për tejkalimin e një objektivi të tillë.
Por nga ana tjetër, një realizim dhe tejkalim i tillë, është një shenjë e qartë e besimit të publikut tek procesi i legalizimit dhe tek skema e adoptuar nga qeveria e sotme për mënyrën e operimit. Po ku shkojnë këto të ardhura? Në zbatim të Ligjit 10239 të vitit 2010 “Për krijimin e Fondit Special të kompesimit të pronave”, e gjithë shuma e arkëtimeve, ka destinacion pagesën e pronarëve të shpronësuar nga procesi i legalizimit. Në këtë proces, edhe paratë që grumbullohen nga trualli shtet, shkojnë për të plotësuar shpërblimin e ish-pronarëve.
Më konkretisht, për periudhën maj – dhjetor 2014, u kompensuan 460 ish-pronarë. Ndërsa për periudhën janar – gusht 2015, janë përfshirë në procesin e kompensimit 2290 ish-pronarë. Veç kësaj, shteti, përmes ALUIZNI-t, kontribuon edhe në paqen sociale midis shqiptarëve, duke grumbulluar paratë nga parcelat e zëna dhe duke jua shpërndarë pronarëve të tyre. Dhe duke shmangur në këtë mënyrë përplasjen midis tyre.
Edhe nga kjo pikëpamje duhet thenë se procesi i legalizimeve ka krijuar besim edhe tek kjo shtresë qytetarësh, e cila prej vitesh ishte zënë në kurthin pa dalje që truallin as e gëzonte dot se ju ishte zënë, e as mund të kompensohej sepse procesi i legalizimeve kishte ngecur.
Nëpër drejtoritë tona rajonale, si edhe në drejtorinë e përgjithshme, janë depozituar një numër i madh kërkesash të ish-pronarëve që ju është zënë trualli me ndërtime pa leje dhe që kërkojnë përshpejtimin e procesit të legalizimit, pikërisht me qëllimin që ata të përfitojnë kompensimin financiar për truallin e zënë. Të gjithë këtë proces, në një kuadër më të gjerë, ne e shohim si pjesë e reformës së madhe të Qeverisë Shqiptare për formalizimin e pronës dhe ekonomisë shqiptare.









