Gjatë intervistës së saj për “Top Story”, Ambasadorja e BE-së në Tiranë, Christiane Hohmann ka dhënë një lajm të mirë për shqiptarët, ku është shprehur se BE-ja ka një paketë 80 milionëshe ndihmë direkte financiare për Shqipërinë që do të shpërndahet në dy ditët në vijim për kriza energjetike.
Zyrtarja e lartë u shpreh se në lidhje me mbështetjen energjitike për të ardhmen do të ndërtohet një fushë me panele diellore mbi një liqen në veri të Shqipërisë.
Në lidhje me zgjedhjet lokale të 14 majit, ambasadorja tha se më e rëndësishmja është që të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme, që të jenë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe rekomandimet e lëna nga ODIHR.
E vetmja gjë që ambasadorja shpreson është që të gjithë kandidatët në terren të partive politike të arrijnë standardet më të larta të integritetit personal.
Top Channel: Sa është fondi për mbështetjen e energjisë në të ardhmen?
Ambasadorja: Numrin specifik duhet të pranoj, nuk e kam në mendje, por vetëm tani kemi një paketë 80 milionëshe ndihmë direkte financiare për Shqipërinë që do të shpërndahet në dy ditët në vijim për kriza energjetike dhe kjo është e mundur për të ndihmuar në mbajtjen e çmimeve të menaxhueshme për qytetarët dhe gjithashtu për biznesin e vogël dhe shumë të cenueshëm. Pra, kjo është mbështetje për vetë qeverinë. Pastaj kemi zhvillimin e projekteve. Pra, kemi një fushë diellore që po zhvillohet në fakt në një liqen, pasi nuk po përdoret për asgjë tjetër. Mund ta vendosni në liqen, nuk keni nevojë të përdorni tokë të punueshme. Pra, ky është një projekt që është rreth 12 milionë euro, por kemi edhe të tjerë dhe ka disa investitorë që janë në këtë fushë, sepse është një përpjekje e përbashkët.
Top Channel: Është vendosur në cilin liqen?
Ambasadorja: Është një liqen që ndodhet në një hidrocentral, pra është një basen në veri. Është në veri, po.
Top Channel: Një nga projektet infrastrukturore të debatuara nga politika shqiptare është Porti i Durrësit. Zhvendosja nga pozicioni i tij tani në një zonë tjetër të qytetit të Durrësit. Thuhet që aty janë investuar fonde të Bashkimit Evropian, dhe gjithashtu, në pjesën e vjetër të portit, dhe që ato fonde janë investuar në një kohëzgjatje më të gjatë sesa jemi sot, pra do të ketë një ndërprerje të atij investimi dhe si do të vijojë ky projekt? A është Bashkimi Evropian, Komisioni, pro zhvendosjes së Portit të Durrësit nga ajo vendndodhje në një tjetër?
Ambasadorja: Mendoj se duhet t’i korrigjoj pak këta zëra, sepse ky ishte një projekt në kuadër të Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor, që ishte planifikuar për rinovimin e kalatës 1 dhe 2 në Portin e Durrësit. Pra, me ndryshimin e karakterit të përgjithshëm të portit, i cili nuk është më port tregtar, atëherë sigurisht që ky projekt bëhet i pavlefshëm, sepse titulli i tij nuk ekziston më. Pra, do të thotë, gjithashtu, që këto para nuk investohen, kështu që paratë nuk humbën, por nuk transferohen automatikisht në diçka tjetër. Ju duhet të paraqisni një projekt tjetër në Kornizën e Investimeve të Ballkanit Perëndimor dhe kjo nuk ka ndodhur. Pra, nuk më takon mua të gjykoj vendimin për zhvendosjen e portit në Porto Romano. Kjo nuk na takon ne, është një vendim kombëtar. Por nuk do të thotë që ai që ishte projekt në Durrës është automatikisht edhe projekt në Porto Romano.
Top Channel: Por a e ka nën survejim Komisioni Evropian atë që është mënyra e tenderimit të një porti të rëndësishëm si ky i Durrësit, më i rëndësishmi në Shqipëri, sa i përket prokurimit të punimeve, tenderimit të asaj vepre infrastukturore dhe ai që është konsideruar nga opozita një projekt me abuzime sa i përket portit si ndërtim real estate?
Ambasadorja: Sigurisht që tenderimi dhe prokurimi për portin e ri është diçka për të cilën kemi një Marrëveshje Stabilizim Asociimi ekzistuese me Shqipërinë, sipas së cilës vendi angazhohet gjithashtu që të procedojë procedura të tilla, t’i bëjë ato në mënyrën më transparente dhe me garë të hapur. Pra, këto janë parimet që në fakt vetë Shqipëria u angazhua t’i respektojë. Dhe prandaj po vëzhgojmë nga afër se çfarë po ndodh.
Top Channel: Vijmë në zgjedhjet e majit, zgjedhjet lokale. Si e shikoni marrëdhënien politike mes palëve? Çfarë prisni më shumë, çfarë mund të rregullohet në rregullat e lojës në fushatën zgjedhore? Kryeministri i vendit ka anunçuar rritje pensionesh, rritjen e pagës minimale. A është për ju kjo një shkelje e rregullave të lojës sa i përket rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it?
Ambasadorja: Rritjen e pagës minimale nuk e gjykoj unë, por e di që kreu i OSBE-së tashmë ka bërë një deklaratë për këtë. Pra, Kodi Zgjedhor është legjislacioni detyrues, që në fakt, është fanari për këtë. Mendoj se më e rëndësishmja për mua është që të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme, që të jenë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe rekomandimet e lëna nga ODIHR. E vetmja gjë që shpresoj është që të gjithë kandidatët në terren të partive politike të arrijnë standardet më të larta të integritetit personal, pasi në fakt janë ata që janë të interesuar të përmirësojnë jetën e njerëzve në bashkitë ku kandidojnë, të jenë drejtuesit e kësaj bashkie ose të jenë këshilltarë për atë bashki. Sepse është shërbim për qytetarët dhe qytetarët, nga ana tjetër, duhet të jenë në gjendje të bëjnë zgjedhjen e tyre lirisht, pa ndërhyrje të jashtme, dhe të kujdesen që kandidatët të cilët zgjedhin duan të ndryshojnë jetën e bashkive të tyre. Që ata të kenë agjenda reale që u shërbejnë atyre. Mendoj se këto janë gjërat më të rëndësishme dhe sigurisht që janë rolet. Pra, sigurisht që përdorimi i burimeve shtetërore për qëllime të fushatës elektorale është diçka që nuk shkon, pasi madje është e ndaluar në Kodin Zgjedhor. Pra, këto gjëra janë shumë të rëndësishme për ne. Dhe ju e dini që ODIHR, në fakt, ka vendosur të vijë me një mision të plotë për të vëzhguar këto zgjedhje, gjithashtu për të parë se ku ka pasur progres krahasuar me zgjedhjet e fundit kombëtare kur ata ishin këtu. Dhe unë mendoj se rekomandimet e tyre janë gjithmonë udhëzime shumë të mira për çka duhet të trajtoni si më të rëndësishme.
Top Channel: Është fuqizuar, në pikëpamjen tuaj, ligji për financimin e partive politike?
Ambasadorja: Nuk më takon mua ta gjykoj, në kuptimin që është çështje kombëtare. Financimi duhet të jetë transparent dhe i qartë dhe mendoj se kjo është pika më e rëndësishme këtu.
Top Channel: Jemi në fund të intervistës tonë. Si është dita juaj nga mëngjesi deri në darkë? Sa e zënë? Sa me aktivitete protokollare dhe sa realisht me shpirtin etik gjerman që keni të punës, ndani që në Shqipëri bëhet punë apo pihet kafe?
Ambasadorja: Oh, Zot! Agjenda ime standarde… 40 orë… nuk punoj kaq, punoj më shumë. Është diçka që varet nga ajo që bën. Mendoj se nuk është kohë e humbur, prandaj nuk është barrë për ta bërë. Dhe po, dua të them, unë dal nga shtëpia rreth orës 8 dhe më pas varet, nëse kam ndonjë aktivitet në mbrëmje. Unë ose qëndroj këtu në qytet gjithë ditën, ndonjëherë kam takime njëri pas tjetrit, janë shumë vizitorëve që vijnë, shkoj në aktivitete dhe gjithashtu, janë takimet e brendshme, sepse nuk bëhet fjalë vetëm për t’u dukur, por edhe për të folur me kolegët, sepse si mund të di gjithçka nëse nuk flas me kolegët e mi në Delegacion? Por mund të jenë edhe aktivitete në mbrëmje dhe atëherë sigurisht që nuk jam në shtëpi para orës 10.30–11.00.
Top Channel: Kjo ndodh shpesh?
Ambasadorja: Mua më pëlqen. Kjo ndodh të paktën 2-3 herë në javë, po. Kjo është diçka standarde, por është diçka që është pjesë e profesionit tim. Kjo është puna ime dhe mendoj se është krejtësisht në rregull. Nuk është barrë, sepse edhe kur ke një aktivitet në mbrëmje, ulesh me njerëzit ose je në një pritje dhe flet me njerëzit. Ne shpesh punojmë atje, jo vetëm që flasim pak për gjëra private, por flasim edhe për punën atje, sepse kjo është një mundësi për t’i zgjidhur shpejt gjërat. Ne kemi nevojë për këto aktivitete.
Top Channel: Një pjesë e mire e mjekëve, infermierëve dhe të rinjve shqiptarë kanë emigruar në Gjermani, në vendin tuaj. Për ju që luftoni dhe përpiqeni që Shqipëria të ketë kapacitetet e ndërtuara këtu, të sajat, po ndërkohë vendi juaj merr ndoshta kapacitetet më të mira profesionale që ne kemi, si e gjykoni këtë lëvizje? Kjo është lëvizje natyrale e tregut të punës, e marrëdhënieve normale të njeriut me mirëqenien apo në fakt do të duhej të ishte që këta mjekë dhe infermierë të mund të bënin jetën e tyre profesionale në vendin e vet? Dhe e mbyllim me këtë.
Ambasadorja: Më lejoni të theksoj se unë nuk jam ambasadori gjerman në Shqipëri, ai mund të flasë në emër të Gjermanisë. Ajo që do të doja të theksoja nga njëra anë, ajo që sapo përshkruat, po, ka një proces të natyrshëm për shkak të hendekut dhe ikjes së trurit që ndodh normalisht në shumë vende, por për mua është në fakt një detyrë për ta përshpejtuar këtu në Shqipëria, veçanërisht programin e reformës ekonomike, për të krijuar veçanërisht vende të reja pune që paguhen mirë dhe që në fakt, u ofrojnë njerëzve mundësinë të ndihen si në shtëpinë e tyre këtu në Shqipëri dhe të mos ndiejnë dëshirën për të shkuar diku tjetër. Unë mendoj se kjo është një sfidë për t’u arritur, pasi kur e mendon ekziston profesioni mjekësor, por ka edhe inxhinierë, po flasim për sektorin e IT-së ku të gjithë, pavarësisht nga cili vend je, kanë nevojë për ekspertë. Pra, si ta gjejmë sa më mirë një mënyrë për të krijuar mundësi të reja dhe më pas për të krijuar opsione dhe zgjedhje për njerëzit? Në BE është zgjedhje e lirë se ku dëshiron të punosh brenda Shteteve Anëtare të BE-së. Pra, kjo garë nuk përfundon me anëtarësimin në BE. Si gjermane mund të punoja edhe në Irlandë, mund të punoja në Portugali. Kështu që kjo lëvizje e lirë e fuqisë punëtore do të bëhet realitet, por mendoj se kemi ende shumë për të bërë këtu në Shqipëri, për t’u ofruar njerëzve mundësitë që të qëndrojnë këtu dhe të mos punojnë diku tjetër.
Top Channel: Cila është paga minimale në Bashkimin Evropian?
Ambasadorja: Në fakt janë shtetet anëtare që vendosin për këtë, nuk është një pagë minimale e përgjithshme në BE. Çdo shtet anëtar e vendos vetë.
Top Channel: Pak a shumë, le të themi?
Ambasadorja: Është rreth 10-15 euro, varet nga vendi.
Top Channel: Për orë?
Ambasadorja: Për orë
Top Channel: E mbyllim me këtë shifër që të paktën të arrijmë aty në vitet që vijnë dhe ekonomia shqiptare të mos detyrohet të iki nga minimumi në risorset e veta. Unë ju falënderoj shumë dhe kam bindjen se do të diskutojmë për çështje përmbajtjesore sërish, pa ju marrë shumë nga koha juaj e vyer. Faleminderit për gjithë mënyrën e bukur me të cilën bashkëbiseduat me ne.
Ambasadorja: Faleminderit shumë, jam këtu dhe jam e lumtur të flas përsëri me ju.
Top Channel: Faleminderit!
/s.f