Vetëm pak minuta sapo është mbyllur mbledhja e Asamblesë Kombëtare të PS-së, grupi nismëtar i lëvizjes për Demokraci në PS ka publikuar platformën e tij politike. Anëtarë të kësaj lëvizje politike janë Rexhep Mejdani, Maqo Lakrori, Ben Blushi, Mimoza Hafizi, Suzana Akrama, Ndre Legisi, Petrit Ago, Namik Kopliku. Në këtë dokument vihet theksi në cënimin e demokracisë së brendëshme brenda partisë më të madhe qeverisëse.
Javanews publikon dokumentin e plotë
HYRJE
Ne, një grup socialistësh, mendojmë se për shumë vite, që prej krijimit e më pas, PS ka qenë partia me demokraci të brendshme më të zhvilluar se çdo forcë tjetër politike e vendit. Liria e fjalës dhe vota e lirë në parti, vendimmarrja kolegjiale dhe zbatimi nga të gjithë i parimeve e rregullave të përcaktuara në Statutin e PS, mundësuan një parti me demokraci funksionale dhe elektorale, bazuar në solidaritetin njerëzor, e aftë për të qeverisur vendin e për të përballuar sfidat e kohës, pjesë integrale e Internacionales Socialiste dhe Partisë së Socialistëve Europianë. Eksperienca ka provuar se sa më demokratik ka qenë funksionimi i partisë sonë, aq më mirë e ka kryer ajo misionin e saj, si në opozitë ashtu dhe në qeverisjen qëndrore e vendore; ky funksionimi demokratik i ka shërbyer PS edhe për të mësuar nga gabimet e për t’i korrigjuar ato.
Hartimi dhe zbatimi i platformës sonë bazohen në parimin : ”Partia garanton dhe mbron për të gjithë anëtarët e saj lirinë e shprehjes së mendimeve, pikpamjeve dhe platformave që synojnë zbatimin dhe përmirësimin e Programit dhe Statutit” (Statuti i PSSH – Kreu 1 ”Parimet themelore”, Neni 2 ”Liria e mendimit në parti”, Pika 1”).
DEMOKRACIA E BRENDSHME DHE NATYRA E PS
Sot demokracia e brendshme në PS është thellësisht e dëmtuar. Rrjedhimisht po deformohet çdo ditë vetë natyra e partisë tonë. Statuti, ligji i saj i brendshëm, është shkelur e vazhdon të shkelet thuajse në gjithë parimet dhe rregullat kryesore. Organizatat socialiste dhe forumet drejtuese nuk janë mbledhur rregullisht, nuk ka patur e as ka vendimmarrje kolegjiale, por personale. Në vend të solidaritetit njerëzor është bërë zotërues individualizmi ekstrem, në vend të fjalës së lirë po sundon heshtja nga frika e pasojave dhe në funksion të interesit personal. Në vend të zgjedhjes së lirë bëhen emërime të paracaktuara nga “lart”. Në vend të votës së lirë e të fshehtë në zgjedhjet brenda partisë, janë ndeshur manipulime e falsifikime të vullnetit të votuesve. Në vend të frymës shoqërore në komunikim, sot zotëron arroganca dhe diktati. Sistemi i vlerave njerëzore është zëvendësuar me vlerësimin sipas pasurisë dhe prurjeve financiare, të hapura e të fshehta. Deri edhe simbolet e partisë, ndonëse të përcaktuara qartë në Statut, janë transformuar e shtrembëruar. Tjetërsimi i qëllimshëm e hap pas hapi i natyrës së PS, i fshehur pas «reformimit » të saj apo «Rilindjes», po sjell humbje të besimit tek PS dhe shuarje të shpresës për të ardhmen. Një parti në shërbim të popullit apo një parti në funksion të oligarkëve? Kjo është çështja!
Aktualisht në PS është krijuar gjendje absurde edhe në një drejtim tjetër. Një gjendje e panjohur më parë në historinë e saj gati 25 vjeçare. Janë tejkaluar të gjitha afatet kohore të përcaktuara në Statut për zgjedhjen e institucioneve drejtuese. Rrjedhimisht, të gjitha institucionet drejtuese të PS kanë rënë jo vetëm ”de facto” por edhe ”de jure”! Të ligjshëm ”de facto” dhe ”de jure” sot janë vetëm të pazgjedhurit – anëtaret dhe anëtarët e partisë, organizatat socialiste dhe Partia Socialiste e Shqipërisë, si institucion i bashkimit të tyre vullnetar. Janë në fuqi edhe Statuti e Programi i PS, dy dokumentat bazë, të cilët askush nuk i ka shfuqizuar ”de jure”. Në këto kushte, e gjithë vendimmarrja e ligjshme partiake është vetëm në dorën e anëtarëve të partisë dhe të Organizatave Socialiste; sot, autoritet tjetër të ligjshëm vendimmarrës brenda partisë nuk ka, përfshirë Asamblenë Kombëtare, Kryesinë dhe Kryetarin, të cilëve u ka skaduar mandati!
DEMOKRACIA NË PARTI DHE QEVERISJA E VENDIT
Mungesa e demokracisë së brendshme në PS, po dëmton çdo ditë edhe qeverisjen e vendit në emër të socialistëve shqiptarë, të elektoratit të majtë dhe progresistëve në përgjithësi.
Një parti me demokraci që funksionon rregullisht, analizon politikisht e në mënyrë të organizuar qeverisjen që i bëjnë vendit përfaqësuesit e saj, sjell edhe mendimin e komunitetit, pjesë e të cilit janë anëtarët e partisë, mbledh edhe mendimin e teknokratëve, akademikëve dhe eruditëve të tjerë brenda e jashtë vendit. Mbi këtë bazë ajo propozon zgjidhje për problemet madhore të vendit, detyron politikisht zbatimin e programit të saj dhe mbështet çdo ndërmarrje pozitive të qeverisjes qendrore e vendore. Gjithashtu, një parti që funksionon rregullisht e në mënyrë demokratike, kritikon gabimet në qeverisje dhe mosmbajtjen e premtimeve elektorale, vepron në mënyrë të organizuar për korrigjimin e tyre, denoncon paaftesinë e korrupsionin e qeveritarëve e të administratës dhe, me fuqinë që sjell bashkimi, detyron që individët e paaftë, ose të korruptuar, ose që janë njëherësh edhe të paaftë edhe të korruptuar, të largohen pa humbur kohë nga detyrat përfaqësuese dhe qeverisja. Kështu, një parti funksionale i shërben mirëqeverisjes, i ofron vendit një zhvillim të qëndrueshëm dhe mbron politikisht qeverisjen e socialistëve nga keqpërdorimi e degradimi. Rezultatet konkrete në ushtrimin e pushtetit e të qeverisjes nga 2013 e deri sot, provojnë se trajtimi i partisë thjesht si një instrument elektoral dhe moszbatimi i parimit ”parti funksionale” – çka është e përcaktuar qartësisht në Statutin e PS – kanë si pasojë edhe devijimin nga programi ynë i majtë demokratik.
Fuqia njerëzore dhe energjia që gjeneron demokracia e brendshme tremb vetëm ata individë që kanë synuar, kapur e përdorur partinë dhe shtetin për pushtet personal e pasurim të paligjshëm. Pikërisht kësaj kategorie i intereson një parti e paralizuar, pa identitet dhe pa përgjegjësinë e vetpastrimit të vazhdueshëm. Pra, i interesojnë individë të paorganizuar, sepse vetëm individin veçmas mund ta joshin, ta trembin dhe, kur nuk tërhiqet, edhe ta depersonalizojnë e ta shtypin me çdo mjet. Të interesuarit që të mos ketë parti funksionale, as vendimmarrje kolegjiale, as votë të lirë në parti, pra që të mos ketë demokraci të brendshme, janë korrupsioni, krimi i organizuar, paaftësia dhe servilizmi.
LËVIZJA PËR DEMOKRACI NË PARTINË SOCIALISTE
Partia Socialiste është produkt kolektiv dhjetravjeçar i qindramijë kontributeve individuale, nga të gjitha shtresat shoqërore dhe brezat, nga e gjithë Shqipëria. Prandaj Partia Socialiste është edhe pasuri kombëtare. Interesi publik dhe interesat kombëtare kërkojnë që kjo pasuri e çmuar politike e njerëzore të vazhdojë të përmbushë misionin e saj historik dhe njëherësh të mbrohet nga përpjekjet e një grushti oligarkësh për tjetërsimin dhe keqpërdorim e saj. Asnjëherë nuk është vonë që çdo socialist, çdo individ e grupim shoqëror i interesuar për dobinë e kësaj pasurie kombëtare, të angazhohet për ta rivendosur demokracinë në PS. Për këtë arsye ne, një grup socialistësh, e kemi emërtuar nismën tonë «Lëvizja për Demokraci në Partinë Socialiste».
OBJEKTIVAT E LËVIZJES
Objektivat e lëvizjes sonë janë
- Funksionimi demokratik i PSSH, bazuar në respektimin e plotë të Statutit të saj nga çdo anëtar dhe forum drejtues, rikthimi i solidaritetit dhe frymës shoqërore në parti, ringjallja e shpresës e besimit te Partia Socialiste.
- Mbrojtja e identitetit dhe vlerave të PS, të përcaktuara nga Statuti dhe Programi i saj, nga çdo deformim, që mund t’i bëhet në emër të “reformimit”, apo të “një PS –je të rilindur”, por që cënon demokracinë e brendshme dhe tjetërson natyrën e majtë demokratike të PSSH.
- Mbështetja politike e reformave për :
- Fuqizimin e institucioneve shtetërore demokratike, që garantonjnë shtetin e së drejtës dhe shmangin çdo përpjekje për ndërtimin e një regjimi oligark.
- Zhvillimin e një ekonomie me rritje të qëndrueshme, që ngjall e ushqen shpresë për çdo familje, biznes e investim, partnere me ekonomitë e përparuara të vendeve të tjera dhe që i mundëson shtetit të jetë solidar me shtetasit e vet.
- Plotësimin e të gjitha standardeve e detyrimeve nga ana e Republikës së Shqipërisë, si anëtare e NATO-s dhe për antarësim në BE.
- Aftësimin e shtetit për të shërbyer e mbrojtur interesat kombëtare dhe të drejtat themelore të çdo shqiptari, kudo që jeton e kurdoherë që të jetë e nevojshme.
- Realizimi dhe korrigjimi i premtimeve elektorale të shpalluara në zgjedhjet parlamentare 2013 dhe vendore 2015. Ridimensionimi sidomos i masave për punësim, luftën kundër pabarazisë, solidaritetin dhe të drejtën e secilit për një jetë më të mirë.
- Mbështetja politike në luftën kundër korrupsionit dhe kapjes së politikës e shtetit nga oligarkët. Një grusht individësh – disa të pasuruar nga vjedhja shumëvjeçare e pasurisë kombëtare, e disa të tjerë duke shfrytëzuar funksionet e larta shtetërore e partiake – po përqëndrojnë në duart e tyre të gjithë vendimmarrjen reale, përcaktuese për fatet e vendit e të popullit tonë. Prandaj, krahas zbatimit të ligjit për dekriminalizimin dhe ligjit për reformimin e sistemit të drejtësisë, pa lejuar që hajdutët në krye të politikës të fshihen pas largimit të personave që përcaktojnë ky ligj e kjo reformë, PS duhet të ndërmarrë nismën ligjore ”ad-hoc” për verifikimin dhe publikimin e pasurisë materiale e monetare të secilit politikan, ”të majtë” e ”të djathtë”, fillimisht të atyre që kanë kryer ose kryejnë funksionet e presidentit, kryetarit të Kuvendit, kryeministrit, ministrit, deputetit dhe kryetarit të bashkisë. Ky proces duhet të përmbyllet me dërgimin e këtyre çështjeve në gjykatë, për të ligjëruar sekuestrimin e pasurive të paligjshme dhe dënimin sipas ligjit të cilitdo që ka abuzuar.
- Marrja e nismave ligjore nga përfaqësuesit e PS në Kuvend për forcimin e natyrës parlamentare të Republikës së Shqipërisë dhe shmangien e rrezikut për vendosjen e regjimeve autoritare. Këtu përfshihen edhe rishikimi i sistemit zgjedhor dhe korrigjime të tjera të nevojshme të ndryshimeve të gabuara që u bënë në Kushtetutën e vendit në vitin 2008 dhe që dëmtuan vetë bazat e shtetit demokratik.
- Përgatitja për fitoren e zgjedhjeve të 2017 nga e majta e bashkuar demokratike, me integritet dhe aftësi të plota qeverisëse, krejtësisht e çliruar nga kapja prej oligarkëve, korrupsionit dhe paaftësisë.
PROPOZIMET TONA PËR PLOTESIME NË STATUT DHE NË PROGRAMIN E PARTISË
Ne propozojmë që në Statutin e PS, të bëhen disa plotësime në shërbim të funksionimin të brendshëm demokratik.
- Përcaktimi i instrumentave për realizmin e parimit «Parti me demokraci funksionale»:
a – Mocionet për qeverisjen qëndrore e vendore, që përgatiten e miratohen sipas rastit nga OS, AS, AKS, Kongresi ose me referendum nga anëtarësia e partisë dhe simpatizantët e saj;
b – Cdo formë tjetër demokratike, përmes së cilës anëtarët dhe simpatizantët e PS ushtrojnë vullnetin e vet mbi pushtetarët “e vet”.
- Largimi nga partia dhe nga funksionet përfaqësuese i të inkriminuarve, të korruptuarve dhe oligarkëve.
- Largimi nga partia dhe nga funksionet përfaqësuese për:
a – mosrespektim të vendimmarrjes kolegjiale, në mënyrë të përsëritur e të qëllimshm;
b – manipulim dhe falsifikim votash në parti, kurdo që të verifikohen këto;
c – zbatim kriteresh që zëvendësojnë sistemin e vlerave njerëzore të individit (aftësia, integriteti) me pasurinë personale ekonomike e financiare.
- Si rregull, kufizimi i mandateve drejtuese në jo më shumë se dy (për funksionet e kryetarëve të AS, AKS, PS) dhe ndarja e funksioneve partiake nga ato shtetërore ekzekutive, me qëllim që të angazhohen sa më shumë potenciale njerëzore dhe të shmanget përqëndrimi i përfaqësimit dhe i pushtetit vetëm në pak individë.
- Ligjërimi i së drejtës për oponencë kolektive, si një garanci strukturore potenciale, që mund të aktivizohet në proporcion me votën e drejtpërdrejte të anëtarëve të partisë dhe që shërben për mbrojtjen e demokracisë së brendshme dhe shtimin e aftësive vetkorrigjuese të PS.
- Garantimi strukturor i transparencës për burimet financiare të partisë dhe përdorimin e tyre.
Gjithashtu, për të përforcuar natyrën socialiste të partisë, bazuar në parimin laburist ”Të barabartë në mundësinë e vetëndryshimit”, ne propozojmë që në Programin themelor të shtohet përcaktimi: ”Partia Socialiste e Shqipërise synon një shtet që është solidar me shtetasit e vet, jo vetëm në garantimin në parim të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, por edhe në krijimin e mundësive materiale për realizimin e tyre, të paktën në nivelin e domosdoshëm për ushqim, strehim e veshje, shërbim shëndetsor, arsimim, punësim dhe lëvizje të lirë jashtë vendit për çdo shtetas të Republikës së Shqipërisë”.
RRUGA E VEPRIMIT TONË PËR RIVENDOSJEN E DEMOKRACISË NË PARTINË SOCIALISTE
Rruga e nisur për rikthimin e demokracisë në PS, përkon në kohë me periudhën përgatitore të Kongre-
sit të partisë. Aq më mirë, sepse mundëson që të qartësohen më shumë gjendja dhe perspektiva.
Rikthimi në funksionimin demokratik të partisë më të madhe në vend nuk arrihet me një fushatë ”riformatimi” të OS dhe mbledhjen e një Kongresi, që zgjedh ose rizgjedh disa drejtues! As me fushatat e atyre, që befas ”harruan” ”Rilindjen” dhe kanë filluar të përgjërohen për Partinë Socialiste, për ”hapjen” dhe shtimin e rradhëve të saj (edhe pse dihet që PS ka qenë e hapur prej ditës së parë të krijimit të saj). Funksionimi demokratik kërkon një proces mjaft më të thellë dhe transparent! Në kongresin e një partie që qeveris vendin prej gati tre vjetësh, shkohet pas një analize të thellë e jo pas takimeve mediatike, nëpër salla ku nuk dëgjohet fjala e atyre që qeverisen, por vetëm monologë të atyre që qeverisin. Në kongres shkohet për të marrë vendime madhore në interes të PS dhe të vendit, e jo për shfaqjen ”demokratike” të rradhës. Prandaj Kongresi nuk është një akt i vetëm, i një apo dy ditëve. Është shumë më tepër se kaq! Pjesë e tij, madje përcaktuese, është gjithë veprimtaria përgatitore. Kjo parakupton paraqitjen, njohjen, krahasimin dhe diskutimin e ideve, propozimeve, platformave nga të gjithë anëtarët e PS. Gjithashtu edhe njohjen e vlerësimin e tyre nga opinioni publik. Përgatitja finalizohet me projekte konkrete që i paraqiten Kongresit për vendimmarrje.
Vetëm një proces i tillë përgatitor do të mundësonte Kongresin e duhur dhe do të ishte një hap i madh përpara për rikthimin e funksionimit demokratik të Partinë Socialiste. Një proces i tillë përgatitor, i finalizuar me vendimmarrjet e Kongresit, do të kishte një ndikim të rëndësishëm pozitiv në gjithë shoqërinë shqiptare dhe në klimën politike në vend. Prandaj, është edhe e drejtë e ligjëshme edhe përgjegjësi e anëtarëve të PS, kudo në Shqipëri dhe në emigracion, që:
- Të shqyrtojnë platformën e Kongresit të ardhshëm dhe projekt – përmirësimet në Program e në Statut, që do t’i propozohen Kongresit të partisë për diskutim e miratim. Gjithashtu bëhen propozime konkrete edhe nga vetë OS. Bazuar në Statutin e PSSH, është e lirë paraqitja e çdo platforme që sjell zhvillim, sikurse është edhe platforma për ”Demokraci në Partinë Socialiste”. Aq më tepër, që kjo përmban të gjithë elementët e domosdoshëm për përgatitjen e një Kongresi shumë të rëndësishëm jo vetëm për PS, por sidomos për të sotmen dhe të ardhmen e Shqipërisë. Këtë rëndësi e ka përcaktuar qartë vota popullore për të majtën shqiptare.
- Të analizojnë funksionimit e brendshëm në parti (OS, Asamble vendore, AKS, Kryesi) dhe shkeljet e Statutit, për gjithë periudhën nga kongresi i kaluar e deri sot. Të nxjerrin edhe përgjëgjesitë individuale të drejtuesve partiakë nga OS deri te kryetari i Asamblesë Kombëtare dhe Kryetari i Partisë Socialiste.
- Të analizojnë qeverisjen e vendit në tërësi nga 2013 e deri sot (ekonomia, financat, punësimi, arsimi, shërbimi shëndetësor, etj.) dhe qeverisjen vendore nga 2015 e deri sot. Mbledhjet e OS bëhen të hapura për publikun. Në këto mbledhje duhet të marrin pjesë edhe persona që qeverisin në emër të PS (deputetë e këshilltarë vendorë, qeveritarë dhe kryebashkiakë). Së pari, këta duhet të raportojnë për qeverisjen dhe tu përgjigjen pyetjeve të anëtarëve të partisë e pjesëmarrësve të tjerë në këto mbledhje; së dyti, duke mbajtur përgjegjësi morale dhe ligjore për vërtetësinë, duhet të tregojnë publikisht pasuritë personale dhe burimet e tyre.
- Me fuqinë që sjell bashkimi dhe me autoritetin e ligjshëm që i jep Statuti secilit anëtar dhe OS, duhet të anulojnë çdo emërim të diktuar nga ”lart” të kryer gjatë fushatës zgjedhore aktuale dhe të mos lejojnë që lloj lloj ”koordinatorësh”, të cilët nuk kanë asnjë autoritet të ligjshëm partiak, as miratim të mëparshëm nga forumet kolegjiale të partisë, të bëjnë presion të hapur ose të mashtrojnë OS dhe anëtarë të caktuar të partisë me premtime për punësim e lehtësi të tjera, me qëllim që të diktojnë emrat e personave të paracaktuar nga ”qendra” si drejtues partiakë vendorë dhe delegatë të Kongresit.
- Të zgjedhin ose rizgjedhin me vullnet të lirë përfaqësuesit e tyre në forumet drejtuese të partisë, duke filluar nga kryetari i organizatës deri te delegatët e Kongresit.
Deri tani, nuk është plotësuar asnjë nga parakushtet e lartpërmendura, që kërkon një proces përgatitor normal zgjedhor e vendimmarrës. Objektivi i oligarkëve është i qartë: të vendosin sa më shumë njerëz të caktuar prej tyre në të gjitha strukturat drejtuese partiake vendore dhe përmes një shumice delegatësh, gjithashtu të diktuar prej tyre, por ”të zgjedhur demokratikisht” nga baza e partisë, të votojnë në Kongresin e ardhshëm tjetërsimin përfundimtar të PS – nga një parti e solidaritetit njerëzor dhe forcë që demokratizon e shpie përpara shoqërinë, në një instrument të bindur politik në duart e oligarkëve pseudosocialistë. Këtë lloj instrumenti e kanë të domosdoshëm, me qëllim që ”në emër të socialistëve dhe votuesve të majtë”, të ruajnë edhe për shumë kohë pushtetin dhe pasurimin e tyre të paligjshëm.
Socialistët dhe gjithë progresistët e tjerë të Shqipërisë, që janë mijëra herë më të shumtë se sa një grusht oligarkësh, nuk mund të njohin asnjë lloj kongresi të manipuluar! Përkundrazi, për të shpëtuar Partinë Socialiste nga tjetërsimi e keqpërdorimi dhe për ta sjellë atë në parametrat e një force politike misionare, që qeveris vendin me aftësi e drejtësi, do të organizojnë referendum me socialistët dhe progresistët e tjerë! Referendumi është zbatim i demokracisë së drejtpërdrejtë dhe organi më i lartë vendimmarrës i partisë sonë. Organizimi i tij bazohet në Statutin e PS. E drejta për referendum është një nga garancitë themelore për funksionimin demokratik në çdo parti anëtare të Internacionales Socialiste dhe simore europiane të PS. I gjithë procesi përgatitor i këtij referendumi dhe votimi përfundimtar do të shërbejnë që në mënyrë demokratike dhe vendosmërisht, socialistët të bëjnë një hap të madh përpara për pastrimin e vendimmarrjes politike dhe të qeverisjes së vendit nga korrupsioni, paaftësia, mashtrimi dhe servilizmi. Në kohë të mjaftueshme përpara votimit referendar, anëtarët e partisë dhe opinioni publik do të disponojnë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për vlerësimin e gjendjes (arritjet, gabimet, përgjegjësitë, korrigjimet) dhe përcaktimin e ecurisë së mëtejshme të partisë sonë.
ORGANIZIMI DHE AGJENDA E VEPRIMIT
Veprimi i Lëvizjes ”Demokraci në Partinë Socialiste” do të kryhet me transparencë të plotë për opinionin publik, vendas e të huaj. Fillon me shpalljen e kësaj platforme dhe do të vazhdojë me takime të hapura direkte në mbarë vendin. Po ashtu edhe përmes rrjeteve sociale online e në çdo formë tjetër që mundëson komunikim dhe shkëmbim vlerësimesh e idesh. Nga ky bashkëbisedim, platforma e lëvizjes sonë do të pasurohet e ngrihet në nivelin e një plan-veprimi që integron mendimin dhe vullnetin e shumicës. Lëvizja jonë do të vazhdojë deri sa ky plan të realizohet plotësisht.
Demokracia në partinë e socialistëve të Shqipërisë do të fitojë! Kjo fitore do t’i shërbejë popullit për një jetë më të mirë, do t’i shërbejë Atdheut për integrimin e plotë në familjen e madhe euroatlantike!
Tiranë, 20 shkurt, 2016
Anëtarët e AKS:
Rexhep Mejdani, Maqo Lakrori, Ben Blushi, Mimoza Hafizi, Suzana Akrama, Ndre Legisi, Petrit Ago, Namik Kopliku