Rusia ka vënë veton ndaj një rezolute të propozuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, lidhur me sulmin e dyshuar kimik në Siri. Votimi u krye në Këshillin e Sigurimit të OKB, e tani pritet edhe votimi për rezolutën ruse.
“Nëse ju keni marrë vendim për të kryer një përpjekje të paligjshme ushtarake, ne shpresojmë që t’i thërrisni mendjes dhe arsyes. Ju do të jeni përgjegjës për veten tuaj”, paralajmëroi ashpër i dërguari i Rusisë në OKB, Vassily Nebenzia.
Rusia dhe SHBA kanë kërkuar një votim veç e veç mbi projekt-rezolutat e tyre mbi Doumanën, ku ndodhi sulmi që shkaktoi përplasje e tensione të mëdha. Presidenti amerikan, Donald Trump ka dënuar të hënën sulmin e supozuar me armë kimike në zonën e kontrolluar nga rebelët në Siri, duke thënë se mund të vendosë për një përgjigje ndaj këtij sulmi në 24 apo 48 orët vijuese.
Duke folur në një takim me kabinetin e tij, Trump ka deklaruar se është duke biseduar me liderët ushtarakë për të kuptuar se kush ka qenë përgjegjës për sulmin, Rusia, qeveria e presidentit sirian Bashar al-Assad, Irani, apo të gjithë së bashku.
Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se ka mundësi që sulmi i 7 prillit në Siri të ketë qenë sulm kimik.
Sipas të dhënave ka mundësi që substanca të ketë qenë “agjent asfiksues” apo “agjent nervor i ndonjë lloji të ngjashëm”. (Panorama)