Nga Lorenc Vangjeli
Edi Rama e Ilir Meta janë takuar me dy drejtuesit e shqiptarëve të Maqedonisë Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi, njëri në pushtet dhe tjetri në opozitë në vendin fqinjë. Një javë mbas përgjakjes së Kumanovës në një provë force të ushtrisë dhe policisë maqedone me një grup shqiptarësh, ka ende shumë teori konspirative, pikpyetje, të fshehta, dilema dhe dritëhije mbi atë çfarë ka ndodhur. Deri dhe në vënien në dyshim të të vdekurve, që zyrtarisht numërohet të jenë 22 të tillë. E vetmja gjë për të cilën bien dakort të gjithë është që vetë Maqedonia nuk është më ajo që ishte dhe që duhet të jetë ndryshe duke nisur nga e nesërmja e atyre ditëve të përgjakshme.
Sot, së paku dy drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptar, me siguri kanë një ide më të qartë të asaj çfarë ndodhi, së paku sipas versionit të Ahmetit dhe Thaçit, por gjithashtu dhe një ide më të qartë se çfarë mund të pritet të ndodhë. Politika dhe sidomos diplomacia, më shumë se gjithçka tjetër është komunikim dhe parashikim. Por në këtë rast, për fat të mirë, komunikimi bëhet në të njëjtën gjuhë, në shqip.
Prej më shumë se një jave tashmë, faktori ndërkombëtar ka rikthyer në vëmendje Marrëveshjen e Ohrit, e cila 14 vjet më parë i dha fund një konflikti të ashpër në Maqedoni. Kësaj here nuk ka Deja Vu; kësaj here mund të shihet se çfarë nuk ka funksionuar në vënien në jetë të kësaj marrëveshjeje, të cilën e quajnë në të njëjtën kohë edhe shpëtim, edhe një krijesë të vdekur.
Nesër në Shkup është paralajmëruar një protestë e opozitës, e cila merr shkas nga një seri e pabesueshme përgjimesh, të cilat dëshmojnë një qeverisje minimalisht të korruptuar të Gruevskit. Nuk dihet se çfarë kanë biseduar katër shqiptarët Rama, Meta, Ahmeti dhe Thaçi sot në Pogradec. E rëndësishme është të kuptohet se mes shqiptarëve që zakonisht në foklor i këndojnë armëve, po aq sa lagja e Trimave, si banesë, ju nevijitet, në mos më shumë, oda e të urtëve. Që dinë të komunikojnë dhe sidomos, edhe të parashohin se çfarë do të duhej të bënin. Java e ardhshme do të jetë vendimtare për Maqedoninë në veçanti, por do të ketë ndikim të fortë dhe në të gjithë rajonin. Së paku katër shqiptarë besohet se kanë një ide më të qartë se çfarë do të ndodhë. Për shkak të komunikimit. Në shqip.