Presidentja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde, nuk synon të kandidojë për presidente të Francës në zgjedhjet e vitit 2027.
Në një intervistë për gazetën La Croix, Lagarde e cilësoi kandidimin si “një ide aspak të mirë”. Ajo shpjegoi se presidenca është një angazhim shumë i ndryshëm nga drejtimi i Bankës Qendrore Evropiane dhe kërkon shumë energji e sakrificë.
“Jam 70 vjeç”, tha Lagarde.
Ajo tha se do të vijojë të angazhohet në mbrojtje të interesit evropian dhe të kontribuojë në debatet që do t’i paraprijnë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2027.
Lagarde po mendon gjithashtu për përfundimin e mandatit të saj në krye të BQE-së. Ajo nuk e ka përjashtuar mundësinë që të largohet disa muaj para përfundimit zyrtar të mandatit, në tetor 2027.
Megjithatë, ajo ka theksuar se do të jetë ende në detyrë gjatë vitit 2027 dhe se, nëse largohet më herët, bëhet fjalë vetëm për disa muaj. Tre emra janë përmendur si kandidatë për pasuesin e saj: spanjolli Pablo Hernández de Cos, holandezi Klaas Knot dhe gjermani Joachim Nagel.











