Çfarë po bën Turqia e Erdoanit në viset shqiptare është një lloj pushtimi fetar dhe “kulturor” me qëllim të dominimit total edhe politik. Kjo strategji destruktive është e kundërta e bashkëpunimit me kombin shqiptar. Është koha e fundit të rezistohet kundër këtij pushtimi!
Nga Enver Robelli
Ditëve të fundit Turqia ka shtuar presionin kundër Kosovës dhe Maqedonisë për të ekstraduar persona që regjimi i Rexhep Taip Erdoanit i quan «terroristë të lëvizjes Gylen». Apetiti i Ankarasë për të kapur sa më shumë kritikë të sistemit arbitrar të Erdoanit në Ballkan është shtuar pasi vitin e kaluar «shteti i thellë» në Kosovë, i kontrolluar nga Partia Demokratike e Kosovës e Hashim Thaçit, kidnapoi dhe ia dorëzoi shërbimit sekret turk gjashtë të ashtuquajtur gylenistë. Ende është e paqartë se çfarë krimesh kanë kryer këta njerëz, përveç se mund të kenë qenë kundërshtarë të Erdoanit, i cili prej vitesh është duke zhvilluar një luftë kundër ish-mikut të tij Fetullah Gylen.
Si në Kosovë ashtu edhe në Maqedoni po rritet presioni që autoritetet të mbyllin shkollat e lëvizjes Gylen, të cilat qeveria turke i kishte lavdëruar si institucione të mira arsimore. Por kjo ka qenë para se Gyleni të kritikonte Erdoanin dhe klanin e tij për korrupsion dhe para se një grup oficerësh, me gjasë të afërt me lëvizjen Gylen, në korrik 2016 tentuan që me grusht shteti të largojnë nga pushteti Erdoanin.
Puçi për të rrëzuar një qeveri legjitime për fat të mirë dështoi. Por tentimi për puç ishte i mirëseardhur për Erdoanin për të filluar pastaj një fushatë kundër çdokujt që e kritikon atë – pa marrë parasysh a është gylenist apo jo. Përpjekja për puç, tha atëbotë Erdoan, është «dhuratë e Allahut». Erdoan «në emër të Allahut» po keqtrajton që nga viti 2016 kritikët e tij dhe tash «në emër të Allahut» po kërkon që në viset shqiptare të hapen sa më shumë shkolla të «Fondacionit Maarif», një institucion i kontrolluar direkt nga qeveria turke.
Tiranës, kryeqytetit të Shqipërisë, Erdoan po ia dhuron një xhami, por para se të inaugurojë këtë objekt gjigant kulti (thuhet se është xhamia më e madhe në Ballkan), autokrati turk, përmes hafijeve të tij, u përpoq të imponojë një kandidat të tij në postin e kryemyftiut të Shqipërisë. Për fat të mirë nuk ia doli. Një dhuratë të ngjashme si Tiranës Erdoani po ia bën edhe Prishtinës: një xhami. Krerët e Bashkësisë Islame të Kosovës, një turmë injorantësh me vetëdije të ulët kombëtare, kur filloi lufta në Siri e përvetësuan agjendën e islamistëve turq, të cilët thoshin se në Siri po mbrohej «toka e shenjtë e Shamit», pra krerët e Bashkësisë Islame të Kosovës i refuzuan të gjitha projektet elegante arkitektonike për xhaminë e re në Prishtinë dhe pranuan «dhuratën» e Diyanetit turk, trupës parafetare të Erdoanit për pushtimin fetar dhe «kulturor» të viseve shqiptare. (Sa i përket Sirisë: në të vërtetë populli sirian fillimisht u ngrit në këmbë kundër regjimit diktatorial të Bashar al-Asadit, por këtë luftë fisnike e të drejtë me kalimin e kohës e devijuan dhe degraduan islamistët me agjendat e tyre gjoja hyjnore).
Përveç presionit ndaj Kosovës, Maqedonisë dhe Shqipërisë që të heqin dorë nga sovraniteti i tyre dhe të shndërrohen faktikisht në vilajete turke, qeveria e Ankarasë po intensifikon propagandën e pafrenueshme fetare. Mjafton të përcillen pak lajmet e agjencisë gjysmështetërore të lajmeve Anadolu Agency. Në takt pothuaj ditor postohen lajme që lidhen vetëm me fenë. Ja disa tituj: «Shkup, organizohet program i leximit të Kur’anit», «Përkundër autizmit, 16 vjeçari Ozan bëhet hafiz dhe mëson gjuhët e huaja», «Muslimanët në Bullgari ruajnë Kur’anin e punuar me dorë si pasurinë më të madhe», «Kurani me shkronja të qëndisura, atraksion për qindra mijëra njerëz», «Turqi, Kurani 500 vjeçar kthehet në Pallatin Topkapi», «Turqi, ekspozohet Kur’an-i tetëshekullor i shkruar me dorë», «Në muzeun në Tokat të Turqisë ekspozohet Kuran i shkruar me dorë që daton nga viti 1190», «Shkup, program me rastin e Natës së Miraxhit», «Programi që u organizua në xhaminë Murat Pasha në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, filloi pas faljes së namazit të akshamit», «Në 40 shtete dhe 10 gjuhë shpërndahen 108 mijë Kur’an-i Kerim», «Kaligrafisti nga Gaza shkruan Kuranin me përmasa të mëdha».
Si në çdo shtet demokratik edhe në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni është e garantuar liria e praktikimit të fesë, por agresiviteti me të cilin Turqia po përpiqet të islamizojë edhe politikën dhe çdo pore të jetës është tejet i rrezikshëm. Sepse islamizimi i politikës lidhet me agjendat turke për dominim në Ballkan. Kjo politikë nuk dallon shumë nga tendencat e nacionalistëve maqedonas apo serbë që në çdo kthesë e kodër të vendosin një kryq për të treguar kështu epërsinë ndaj të tjerëve. Por përkundër kryqeve dhe xhamive, kurseve të Kuranit dhe meshave ortodokse jeta e qytetarëve të vendeve të Ballkanit nuk po ndryshon për së miri – dhe këtë e tregon emigrimi masiv i viteve të fundit.
Është koha e fundit që Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia së bashku të zhvillojnë një strategji të përbashkët për t’iu përgjigjur politikave të dëmshme turke në rajon. Ankaraja prej vitesh ka mobilizuar mercenarë në mesin e imamëve dhe politikanëve minorë që gati çdo ditë thonë se Perandoria Osmane vetëm e ka administruar Ballkanin, domethënë nuk paskësh qenë fuqi pushtuese, por në të vertetë e tillë ka qenë dhe sipas historianëve seriozë nuk ka lënë pas asnjë shenjë civilizimi në rajon përveç ndonjë ure, hamami, xhamie, ndonjë dyqani me qerpiç dhe zanatçiu të hallvës.
Në kohën kur Turqia në mënyrë dramatike po afrohet me Rusinë dhe po pështynë mbi aleatët perëndimorë, politikanët në Shkup, Tiranë e Prishtinë duhet të kenë një përgjigje mbi orientimin afatgjatë. Një gjë është e qartë: lirinë dhe shtetësinë e Kosovës, Maqedonisë dhe Shqipërisë në masë të madhe (në mos tërësisht) e garantojnë aleatët perëndimorë. Turqia e Erdoanit ka një agjendë tjetër: «Ai po na shikon si pjesë të ummas, të bashkësisë mbarëbotërore myslimane, dhe po synon të na instrumentalizojë në rast nevoje edhe kundër Amerikës.
Por pa Amerikën ne nuk do të ishim shtet». Kështu thoshte ditë më parë një gazetar boshnjak në tarracën e hotelit «Europa» në Sarajevë. Pikërisht për shkak të kësaj politike destruktive turke ky gazetar kishte braktisur punën në Anadolu Agency. Një Turqi tjetër, ajo që po e kundërshton Erdoanin, mund të jetë aleate e vendeve të Ballkanit një ditë. Kjo e Erdoanit jo. Për fat të mirë rreth 50 për qind e turqve nuk pajtohen fare me politikat e Erdoanit, i cili me gjasë kujton se edhe kursin e lirës turke mund ta ndryshojë me ndihmën e Allahut.