Në Shqipëri, gjyqtari i Sarandës Rasim Doda u dënua disa javë më parë nën akuzën e korrupsionit.
Ai ishte denoncuar nga sipërmarrësi Hasan Bushi, i cili tha se gjykatësi i kishtë kërkuar 80 mijë euro në këmbim të një vendimi në favor të tij. Siç del nga bisedat e përgjuara mes gjykatësit, sipërmarrësit dhe avokatit të këtij të fundit, gjykatësi i kishte dhënë sipërmarrësit paraprakisht kopjen e një vendimi në favor të tij, por që më pas, sipas dokumenteve gjyqësore, ai e përmbysi, pasi sipërmarrësi nuk pagoi shumën e kërkuar. Prokuroria provoi në gjyq se në kompjuterin e gjykatësit Doda, kishte dy vendime të ndryshme dhe se kopja e vendimit që dispononte sipërmarrësi, kishte dalë nga printeri i zyrës së vetë gjykatësit. Materiali është bashkëpunim i Zërit të Amerikës dhe rrjetit BIRN.
Pas vitesh të tëra gjyqtar në Sarandë, Rasim Doda kaloi në anën tjetër të peshores së drejtësisë, pasi u akuzua për korrupsion dhe më 24 tetor ai u shpall fajtor nga gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda.
Në vendimin e gjykatës thuhet:
“I pandehuri Rasim Hysen Doda shpallet fajtor për kryerjen e korrupsionit pasiv të prokurorëve, gjyqtarëve dhe funksionarëve të drejtësisë, parashikuar në nenet 319 të Kodit Penal dhe dënohet me 4 vjet e 6 muaj burgim. Të pandehurit Rasim Doda i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për 3 vjet. Ky vendim fillon te zbatohet pas vuajtjes së dënimit me burgim”.
Sipas dosjes hetimore të Prokurorisë për Krime të Rënda, qëBIRN e disponon, Doda akuzohet se i kërkoi një ryshfet prej 80 mijë eurosh sipërmarrësit Hasan Bushi, për t’i dhënë një vendim në favor, për një konflikt civil mbi ndërtimin e dy pallateve në zonën e kanalit të Çukës, e cila shqyrtohej prej dy vitesh në gjykatën e Sarandës.
Materialet e Prokurorisë tregojnë se një ditë para seancës përfundimtare të çështjes, më 19 prill të vitit 2015, gjykatësi Doda u takua me sipërmarrësin Bushi dhe i tregoi dispozitivin e vendimit në favor të tij,nëse do të paguante shumën e kërkuar.
Ja si e tregon sipërmarrësi Bushi bisedën me gjykatësin kur ky i kërkon pagesën:
“Më foli, më dha faqen e fundit të vendimit, ka qenë faqja 20, … e mbaj mend, e dispozitivit të vendimit dhe më tha: ‘Ky është vendimi i fundit për nesër’! Më vajtën sytë menjëherë atje ku ishte përfundimi. Ishte në favorin tim. Më tha: ‘Ky është vendimi’! I thashë faleminderit. Por tha‘Hidhu’! Ma bën në pëllëmbë të dorës dhe njëçikë me zë, afër, sepse ishim shumë afër me njëri-tjetrin, ‘80 mijë Euro’. I ngre dy [cepat] e xhaketës dhe i them ‘unë jam [trokë] s’kam’. ‘Naa vendim’ më tha, [duke ngritur gishtin e madh të dorës] ‘s’ka vendim’.”
Më 20 prill, gjykatësi Doda shpalli vendimin në favor të palës kundërshtare. Menjëherë më pas, sipërmarrësi Bushi e kallëzoi gjyqtarin në Prokurori dhe në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Ai mori autorizim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për të regjistruar më pas një bisedë me gjyqtarin Doda në zyrën e këtij të fundit.
Nga përgjimi në zyrën e gjykatësit Doda:
Doda: “E ke gati, hajde shikoje vendimin në kompjuter. E kam bërë gati që atë ditë dhe do ta jap. Hajde këtu! Mos më shkruaj SMS mua ti se nuk se si të më shkruash SMS. Mos më shkruaj SMS mua ti o zotëri, kaq po të them”.
Bushi: “Unë të shkruaj. Edhe telefoni”.
Doda: “Mos më shkruaj. Vetëm me mua s’e kap ti, kaq po të them. Je malësor, je mashtrues. Kujt i përdor mashtrues ti ore”?
Bushi: “Po, po. Se tjetër më dhe mua, dhe tjetër…..”.
Doda: “Ky është vendimi, që ka shpallur zyrtarisht gjykata. Zyrtarisht…Se ç’ke bërë vendime ti, me gjithë atë mashtruesin tënd atje, nuk e di unë.”
Bushi: “Po s’është e imja, më fal, ka dalë nga juve”.
Doda: “Kush e ka nxjerrë”…
Bushi: “Ma dhe ti oooo”!
Doda: “Hajde shikoje vendimin. Vendimin e ke të arsyetuar dhe hajde”.
Bushi: “Po mirë, ma fotokopjo të bëj në Apel”.
Doda: “Kur të qitet dosja nga sekretarja, do të shkojë në Apel”.
Bushi: “Rasim, unë të ofrova miqësinë”…
Doda: “Vazhdo tani, ik tani, nuk dua miqësi as me ty as…unë dua të zbatoj ligjin. Ik vazhdo, ik vazhdo, hajde”!
Ndonëse në video gjyqtari Doda këmbëngul se ka zbatuar ligjin, një telefonatë e përgjuar më 23 prill mes tij dhe avokatit të kallëzuesit, Flamur Laze, e paraqitur si provë në proces nga nga Prokuroria, hedh hije dyshimi mbi vendimin e tij.
[Përgjim i bisedës telefonike mes gjykatësit Doda dhe avokatit të sipërmarrësit Flamur Laze].
Doda: “O Flamur, dëgjo, ai miku që mban ti për mbrapa erdhi dhe më shantazhoi në zyrë. Ato letrat që mban ai paçavure në dorë”…
Laze: “Ia bëra të qartë para se të thuash ti, i thashë s’ke punë të shkosh më. Nuk më dëgjon, le të bëjë ç’të dojë tani”.
Doda: “Ai le të bëjë ç’të dojë, por përgjegjësia është mbi ty, në rregull. Se ai nuk mund të tallet me mua, se unë nuk do t’i jap atij 2 milionë euro, siç do ai në kurriz të popullit, kundrejt 10 milionë lekëshit…”!
Gjyqtari Doda, i cili u intervistua nga BIRN pak ditë para se të shpallej fajtor nga gjykata, hedh poshtë akuzat, ndërsa pretendon se e gjithë historia është një kurth i ngritur kundër tij nga prokurorë, gjyqtarë e deri tek ish-ministri i Drejtësisë. “Vetëm një herë jam takuar me këtë person, në momentin kur ai, i pajisur me mjete përgjimi nga Prokuroria e Krimeve të Rënda ka ardhur në zyrën time dhe ka krijuar një bisedë të imponuar në ambientet e zyrës sime. Gjatë procesit gjyqësor kam konstatuar se kjo është komplet një kurth i ngritur ndaj personit tim. Atë ditë, para se të shpallja vendimin, jam marrë në telefon dhe kam komunikuar me shtetasin Hasan Bushi, pasi unë nuk ia njihja telefonin dhe ky person më ka ofruar shumën prej 10 milionë lekësh në telefon, gjë të cilën unë kam shkuar për ta denoncuar në Prokurorinë e Sarandës dhe më është mohuar e drejta për ta bërë kallëzimin, për faktin se unë isha gjyqtar aty dhe duhet ta bëja në një rreth tjetër.”
Prokuroria e Krimeve të Rënda argumentoi në Gjykatë se gjyqtari Rasim Doda kishte dy vendime në kompjuterin e tij; njërin pro dhe tjetrin kundër Hasan Bushit. Si provë, Prokuroria ofroi dokumentin e rikuperuar nga kompjuteri i gjyqtarit dhe ekspertizën e printerit, që vërtetonte se dispozitivi që ndodhej në duart e Hasan Bushit ishte printuar në zyrën e gjyqtarit. Ish-gjyqtari Rasim Doda është ndër të paktët raste të denoncuar dhe të dënuar për korrupsion në radhët e sistemit shqiptar të drejtësisë.
Denoncuesi i tij, Hasan Bushi thotë se nuk ndjehet mirë, edhe pse Gjykata e Krimeve të Rënda i dha të drejtë. “Me vendimin që dha Gjykata e Krimeve të Rënda nuk ndjeva ndonjë satisfaksion moral të madh, absolutisht. Madje më erdhi keq, më vjen keq që pse të ndodhë nga mua. Ai ta mendonte në fillim, gjyqtari të mendonte në fillim për fëmijët e tij dhe pastaj për fëmijët e mi”, thotë sipërmarrësi Bushi. Dënimi i gjyqtarit Doda për veprën penale të korrupsionit nuk është ende përfundimtar. Palët pritet të ballafaqohen sërish në Gjykatën e Apelit për një vendim të formës së prerë.