Në kujtim të një avokati që mbrojti viktimat shqiptare të agresionit serb, goditi me mprehtësi nacionalizmin serbomadh dhe ishte shembull i tolerancës në Ballkanin e helmuar nga racizmi dhe primitivizmi
Nga Enver Robelli/
Dragolub Todoroviqi hynte në kafenenë “Galerija” në Beograd si një stuhi e papritur. Nuk humbte kohë për të përshëndetur miqtë e tij, me të cilët takohej çdo ditë në orën 12:00. Lëshonte çantën, porosiste kafenë dhe menjëherë kalonte në temë. “A e keni parë çka ka thënë babai i kombit?”, pyeste ai. Dhe nuk e priste përgjigjen fare, por vazhdonte si një lum i rrëmbyeshëm ligjëratën e tij kundër shkrimtarit Dobrica Qosiq, ideologut të nacionalizmit serb. Të thuhet se ishte mahnitëse të dëgjoje ligjërimin e tij është pak.
Çdo fjalë e tij tingëllonte si aktakuzë e ndërtuar me fakte, analizë, ndriçim konteksti politik dhe historik. Dragolub Todoroviqi ishte i papërsëritshëm në zemërimin e tij kundër së keqes, kundër nacionalizmit serbomadh, kundër racizmit dhe primitivizmit. Nganjëherë të pranishmëve në kafenenë “Galerija” mund t’u jetë dukur sikur avokati Todoroviq i bart citatet në xhep dhe i nxjerr ato si magjistar bash në momentin kur duhet befasuar apo tronditur publikun. Ai ishte një kronist i jetës publike në Serbi – i interesuar dhe i informuar deri në detajet më të imëta për politikën, historinë, ekonominë, kulturën në përgjithësi, fushën e botimeve, përkthimeve, letërsinë.
I lindur në Çaçak, në Serbinë qendrore, Todoroviq studioi drejtësinë në Sarajevë në kohën e Jugosllavisë së Josip Broz Titos dhe pas karrierës si gjykatës u bë i njohur si avokat në proceset gjyqësore kundër kriminelëve serbë të luftës. Ai përfaqësoi familjen Bogujevci, e cila në vitin 1999 pothuaj ishte zhdukur nga forcat serbe në Podujevë, pastaj familjen Berisha nga Suhareka, vëllezërit Bytyqi, të mbijetuarit dhe familjet e viktimave të krimeve serbe kundër boshnjakëve të Sanxhakut, politikanin Vuk Drashkoviq, kundër të cilit shërbimi sekret serb inskenoi një aksident, me ç’rast humbën jetën disa bashkëpunëtorë të tij.
Duke qenë i angazhuar si avokat nga Fondi për të Drejtën Humanitare, Todoroviqi nuk i përfaqësoi viktimat vetëm para gjyqit, por edhe në opinionin publik – duke shkruar komente, analiza, polemika, ese kundër heshtjes së shumicës në Serbi mbi krimet e kryera nga Sllovenia në Kosovë.
Në çdo tekst, në çdo protestë, si dhe në çdo ligjëratë në kafenenë “Galerija” Dragolub Todoroviqi e theksonte se zanafilla e së keqes e konflikteve të viteve 90 gjendet në Beograd dhe inspiruesi i saj, ideologu i saj kishte një emër: Dobrica Qosiq. Për ta dokumentuar këtë Todoroviq shkroi “Librin për Qosiqin”. Ai i shihte katër dokumente programatike, të cilat e kanë përcaktuar politikën serbe që nga mesi i shekullit të 19-të: “Naçertanija” e Ilija Garashaninit, organizata “Bashkim ose vdekje” e Dragutin Dimitrijeviqit (i njohur si Apis), elaborati “Mbi shtetin tonë dhe kufijtë e tij” të Stevan Moleviqit dhe Memorandumi i Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve, i shkruar nga Dobrica Qosiqi.
Për 160 vjet, shkruante Todoroviq, në popullin serb, në politikë, shtet dhe shoqëri ekziston kontinuiteti i hegjemonisë, ekspansionit territorial, popullizmit, antimodernizmit, qëndrimit antiperëndimor, izolimit prej të gjitha rrjedhave të civilizimit, rusofilisë dhe katundarisë në kuptimin negativ.
“Më 11 maj 1911 në Beograd u themelua organizata ‘Bashkim ose vdekje’, në krye të së cilës ishte Dragutin Dimitrijeviqi, oficer, që si komplotist mori pjesë në vrasjen e Mbretit Aleksandër dhe gruas së tij Draga më 1903. Organizata u themelua me qëllim të realizimit të idealeve popullore të bashkimit të serbëve. Ajo ishte organizatë terroriste që kishte si cak bashkimin e të gjitha territoreve ku jetojnë serbët dhe pastaj bashkimin e tyre me Serbinë”, nënvizonte Todoroviq. Në këtë kontekst ai theksonte se që në vitin 1862, kur kryeministër ishte Garashanini, Serbia kishte kryer spastrimin e parë etnik të myslimanëve.
I botuar në shtator 1986 Memorandumi i Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve “është akti inicial” me të cilin filloi drama e popujve të Jugosllavisë me vrasje të tmerrshme, krime që s’mund të merren me mend, vuajtje të papara të civilëve (pleqve, grave dhe fëmijëve), rrethim dhe shkatërrim qytetesh, përndjekje dhe shpërngulje të rajoneve të tëra, kampe përqendrimi, dhunime, shkatërrim të objekteve kulturore, fetare dhe arsimore, zhdukje të pronës, djegie të qyteteve, fshatrave, maleve, arave dhe livadheve, vrasje masive dhe gjenocid.
Kur Dobrica Qosiqi në librin e tij për Kosovën, botuar pas bombardimeve të NATO-s, i goditi shqiptarët me këto fjalë raciste: “Ky llum social, politik dhe moral i Ballkanit tribal dhe barbar bën aleancë me Amerikën dhe Bashkimin Evropian kundër popullit më demokratik, më civilizues dhe më të arsimuar të Ballkanit – kundër popullit serb”, avokati Todoroviq ishte ndër të parët që përkrahu padinë kundër Qosiqit që dy aktiviste të të drejtave të njeriut në Beograd e dorëzuan tek autoritetet e drejtësisë.
Kur një politikan i Bosnjës kishte kërkuar që kundër Qosiqit të nisin hetimet për shkak të rolit të tij në krimet masive në atë vend, Todoroviqi ishte ndër të parët që ofroi argumentet. Ai thoshte: “Në kohën e eskalimit më të madh të luftës në Bosnjë, mes qershorit 1992 dhe qershorit 1993, Qosiqi ka qenë kryetar i Republikës Federale të Jugosllavisë dhe si i tillë Komandant Suprem i Armatës së Jugosllavisë. Armata e Jugosllavisë ka qenë thellë e involvuar në luftën në Bosnjë. (…) Serbët e Bosnjës në të ashtuquajturën Armatë të Republika Srpska kanë qenë vetëm fuqi e gjallë – ushtarë të thjeshtë.
Dobrica Qosiqi e ka bërë Radovan Karagjiqin prijës të serbëve në Bosnjë. Shumë transkriptime të bisedave të përgjuara mes atyre dyve, deklaratat e tyre mbi raportet mes tyre tregojnë se Radovan Karagjiqi ka qenë në lidhje shumë më të ngushtë me Qosiqin se sa me Milosheviqin. Për Karagjiqin, Qosiqi është autoriteti pakontestueshëm më i lartë. Dobrica Qosiqi ka qenë njëri nga mbështetësit më të mëdhenj dhe më këmbëngulës të shkëmbimit dhe ndarjes së territoreve dhe të së ashtuquajturës shpërngulje humane.
Në intervistën e gjatë dhënë (drejtorit të televizionit publik serb, RTS) Milorad Vuçeliqit për (gazetën) ‘Politika’ në gjysmën e parë të vitit 1991, Qosiqi angazhohej për përndjekjen dhe zhvendosjen e popullsisë. Në tetor të vitit 1992 në Gjenevë ai madje nënshkroi me (kryetarin e Kroacisë), Tugjmanin, një marrëveshje për shkëmbimin e territoreve dhe përndjekjen e popullsisë”.
Ndoshta në mesin e publicistëve serbë nuk ka autoritet tjetër përveç Dragolub Todoroviqit, që e ka studiuar dhe analizuar aq imtësisht biografinë e Dobrica Qosiqit. Një shkrim në gazetë nuk mjafton për të prezantuar të gjitha konstatimet e mprehta të avokatit Todoroviq për Qosiqin. Në një nga intervistat e tij të shumta thotë: “Qosiqi është konservator, nacionalist, por, njëkohësisht, edhe përfaqësues i komunizmit katundarçe, agrar.
Më i afërt është me Pol Potin se me Stalinin. Dikur kishte thënë se iu ka bashkuar Luftës së Dytë për shkak të katundareve serbe, që të përmirësojë pozitën e tyre. Dëshira e tij më e madhe ka qenë të jetë kryetar i kolkozit në (fshatin e lindjes) Velika Drenova… Shikoni, (poeti hungarez) Sándor Petőfi ka recituar vargje në barrikada, Che Guevara ka qenë mjek, pastaj ka shkuar në mal… Kurse Qosiqi përmirëson pozitën e katundareve! Ishte kundër vetëqeverisjes, e cila është një lloj shoqërie aksionare, kundër teknikës, veturës, kundër syzeve për diell… Në librin për (regjisorin) Miça Popoviq ka shkruar ese kundër automobilit; ka shkruar kundër nëndetëses amerikane, e cila vjen për të ‘vrarë popujt evropianë’, kundër mobilieve të firmës ‘Jugodrvo’… (…) Qosiqi ishte komunist ortodoks, përfaqësues tipik i rrymës konservatore, udbashe serbe”.
Dragolub Todoroviqi nuk e idealizonte Jugosllavinë, por ai kishte guxim të tregonte se ata që silleshin në vitet 90 si kundërshtarët më të mëdhenj të Titos, në fakt dikur kishin qenë shërbëtorë dhe adhurues të tij – njëri ndër ta ishte edhe Dobrica Qosiqi, i cili u skandalizua kur Tito nisi të pinte cigare puro, të përkrahë artin, të sjellë në Jugosllavi yjet e kinematografisë botërore, si Sophia Loren apo Gina Lollobrigida. Imazhi i femrës në botëkuptimin e Qosiqit ishte ai i katundares nga provinca serbe.
Viteve të fundit Todoroviqi vizitoi me punë dhe privatisht Prishtinën dhe Sarajevën, ai ishte i interesuar të mësonte sa më shumë për zhvillimet në rajon, në mënyrë që kur të kthehej në Beograd të ishte i armatosur me argumente dhe të shkruante një tekst apo më shumë tekste për të luftuar paragjykimet e nacionalistëve serbë kundër shqiptarëve, boshnjakëve dhe të tjerëve.
Në kujtesën kolektive të shqiptarëve të Kosovës Dragolub Todoroviqi duhet të jetë në një rend me socialdemokratët Dimitrije Tucoviq dhe Kosta Novakoviq, me arkitektin dhe ish-kryetarin e Beogradit, Bogdan Bogdanoviqin, me shkrimtarët Danilo Kish, Mirko Kovaç, Filip David e shumë të tjerë – serbë përparimtarë dhe disa prej tyre hebrenj si Kishi e Davidi, të cilët një jetë ia kushtuan shërimit të plagëve, pajtimit, humanizmit dhe bashkëpunimit mes njerëzve dhe kulturave.
“Shikoni”, thotë Dragolub Todoroviqi në një intervistë, “prej vitit 1968 deri më 1972 kam studiuar në Sarajevë dhe shumë mirë më kujtohen disa gjëra. Në (lagjen) Koshevo atëbotë ka pasur më shumë fansa të Cërvena Zvezdës (së Beogradit) se sa të Sarajevës; në relacionin Beograd-Sarajevë kishte tri fluturime gjatë ditës dhe dy herë në javë nga Zagrebi; aktorët serbë luanin në filmat e Hajrudin (“Shiba”) Krvavacit, Bato (Bahrudin) Qengiqit, Mirza Idrizoviqit; (moderatori nga Beogradi) Miça Orloviq udhëhiqte ngjarjet kulturore, këngëtarët nga Beogradi fitonin çmimet e para në festivale; (poeti) Rajko Petrov Nogo kishte recituar mbi kalë të bardhë para Teatrit Popullor, këndonte Neda Ukraden… Nuk kam përjetuar asnjë përbuzje. (…) Aty kam njohur (poetët) Mak Dizdarin, Izet Sarajliqin, (shkrimtarin) Dervish Sushiqin… (…) Profesorët e Fakultetit të Drejtësisë kanë qenë zotërinj të rëndë. (…) Në hotelin ‘Evropa’ kam pirë kafenë e parë në jetë…”.
Këtë Sarajevë tolerante të Dragolub Todoroviqit e kanë shkatërruar nacionalistët serbë. Kundër tyre ai luftoi pandërprerë si avokat dhe si publicist. Vdiq më 14 maj në Beograd.
Koha Ditore