Me debate ka nisur kjo seancë e kësaj të hëne.
Ndërsa kreu i Kuvendit, Niko Peleshi, nisi punimet e seancës dhe i dha fjalën deputetit të PS-së, Klevis Jahaj, nga salla u dëgjuan kundërshtime nga pala e PD-së.
Ishte kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i cili u duk se nuk ishte dakord me nisjen e seancës, ndërsa nga ana tjetër vijonte mbledhja e Komisionit të Ligjeve.
Sipas tij po u ‘mohohet e drejta e marrjes pjesë në seancë e anëtarëve që janë në komision”.
Peleshi tha se këto dy agjenda nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën dhe se seanca mund të vijonte normalisht.
“Seanca parlamentare është më e rëndësishme se çdo mbledhje komisioni. Nuk mund ta zhvendosim seancën”, u shpreh ai.
Seanca lidhej me diskutime për shqetësimet e qytetarëve, me fjalime e punime që në rend dite parashikonin 4 orë, por vëmendja u përqëendrua te protesta e të enjtes, fjalimet politike, SHISH dhe ish-drejtoresha Vlora Hyseni.
Berisha e mbështeti diskursin e tij politik si gjithnjë tek aktualiteti politik dhe sulmet ndaj qeverisë dhe kryeministri Rama.
Ai paralajmëroi socialistët në sallë se “do përfundoni si ai”.
“Ju, në vend se të spostoni çdo gjë nga agjenda dhe të sillni këtu debatin për goditjen fatale përfundimtare të shtetit shqiptar nga narkoshteti, asgjësimin përfundimtar të shtetit shqiptar nga narkoshteti i Ramës. Ju bëni sikur po derdhni lot krokodili, për ata qytetarë që ju urrejnë, që ju i përçmoni, që i vidhni, të vjedhur dhe të mjeruar nga qeveritarët tuaj, që ju i mbroni këtu për vjedhjet që kanë bërë. Nuk ka patur kurrë një parlament të shpërfytyruar, si ky parlament. Çfarë jeni ju, avokatë të akteve të tilla, sepse vetë një pjesë e juaj është anëtare bandash? Tani bëheni avokatë të Vora Hysenit. SHISH-i është një institucion, jo person. Ju vini mbi interesat e shqiptarëve. Shefen e shërbimit informativ e rekrutojnë mafiet. Ku e gjeni ju këtë moral? Skllevër të padrinos, ky parlament duhet të zhduket sa më parë, jo përfaqëson, por shkelmon çdo interes të shqiptarëve. Si mundet?! (Drejtohet nga pala socialiste në sallë) Pusho, mos fol ti atje. Lëri ato qëndrime histerike”, tha Berisha mes të tjerash nga foltorja.
Kurse kreu i grupit të PS, Taulant Balla, u shpreh se modelin “Pasqyrë Albania” tani po e ndjekin edhe SHBA-të, pasi vetë presidenti amerikan ka prezantuar për administratën amerikane platformën “Mirror Usa” (Pasqyra SHBA).











