Nga Sokol Berberi*
Kushtetuta, si ligji themelor i shtetit, mishëron vlerat dhe parimet thelbësore të qeverisjes demokratike, të cilat, nëdrejtime të caktuara, qëndrojnë në një gjendje tensioni dhe konkurrimi midis tyre. Kështu, pushtetet duhet të jenë të ndara,por edhe të balancuara, sistemi duhet të krijojë mundësi të barabarta demokratike për përfaqësim politik, por njëkohësisht duhet të marrë në konsideratë qeverisjen efektive, organet kushtetuese kanë pavarësi funksionale, por duhet edhe të japin llogari dhe të jenë të përgjegjshme, etj.. Po ashtu, edhe të drejtat themelore kushtetuese evokojnë pretendime legjitime që mund të jenë në konflikt midis tyre. Njëkohësisht, vetë Kushtetutaofron standarde dhe rregullime specifike për zgjidhjen e këtyre tensioneve dhe për harmonizimin e interesave kushtetuese legjitime. Ka një qëndrim të konsoliduar të jurisprudencës kushtetuese, sipas të cilit çdo dispozitë e Kushtetutës duhet të interpretohet në mënyrë që të jetë e pajtueshme me parimet themelore kushtetuese, për arsye se të gjitha normat dhe standardet kushtetuese formojnë një sistem të vetëm, koherent dhe harmonik. Natyra e Kushtetutës, koncepti i kushtetutshmërisë, nënkupton që Kushtetuta nuk mund të ketë kontradikta të brendshme. Pohimi se Kushtetuta ka ‘zbrazëti’apo ‘boshllëqe’nuk është në përputhje me këtë premisë tëinterpretimit kushtetues.
Në vijim, fokusi në këtë shkrim kufizohet vetëm te çështja e garancive funksionale të organeve kushtetuese ndaj përgjegjësisë dhe procedimit penal, në mënyrë të veçantë tekushtet e pezullimit nga detyra në këtë aspekt.
Garancitë ndaj procedimit penal për organet kushtetuese kanë dimension kushtetues. Këto garanci synojnë të harmonizojnë interesin publik për pavarësinë funksionale të organit me përgjegjshmërinë penale të subjektit përkatës, në respekt tëparimit të barazisë përpara ligjit dhe llogaridhënies. Kushtetuta parashikon rregullime specifike në varësi të natyrës së organit kushtetues. Në këtë kuptim, këto organe mund t’i grupojmë nëdy kategori: a) organet kushtetuese të pavarura jo-politike, qënuk e marrin mandatin nga zgjedhjet demokratike; dhe b) organet kushtetuese që burojnë nga zgjedhjet politike (në nivel qendror dhe vendor).
Në kategorinë e parë përfshihen, ndër të tjera, Gjykata Kushtetuese (GJK), Gjykata e Lartë (GJL), Prokurori i Përgjithshëm (PP), Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ), Këshilli iLartë i Prokurorisë (KLP), Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD), si dhe gjyqtarët dhe prokurorët e juridiksionit të posaçëm dhe tëpërgjithshëm. Për të gjitha këto organe Kushtetuta parashikon shprehimisht kushtet e pezullimit nga detyra si rrjedhojë e procedimit penal. Kështu: për anëtarin e GJK-së pezullimi bëhet nga vetë GJK-ja (neni 128, pika 3 e Kushtetutës); për anëtarët e KLGJ-së, të KLP-së, për PP dhe për ILD-në pezullimi nga detyra bëhet me vendim të GJK-së (respektivisht nenet 147/c, pika 3, 149/c, pika 3, 147/e, pika 4 të Kushtetutës). Për gjyqtarët dhe prokurorët pezullimi nga detyra bëhet, respektivisht nga KLGJ-ja dhe KLP-ja (nenet 140/3 dhe 148/d pika 4, tëKushtetutës). Pra, siç vërehet, për të gjitha këto organekushtetuese të pavarura, pezullimi nga detyra si rrjedhojë e procedimit penal, nuk vendoset nga gjyqtari i juridiksionit tëposaçëm apo të zakonshëm.
Për kategorinë e dytë, ku përfshihen organet kushtetuese që burojnë nga zgjedhjet politike (Kuvendi dhe qeveria në nivel qendror, këshillat dhe kryetarët e bashkisë në nivel vendor), ka rregullime specifike lidhur me procedimin penal, që i përgjigjen natyrës së këtyre organeve.
Për deputetë dhe anëtarët e qeverisë ka garanci ndaj procedimit penal, që mbulohen nga imuniteti. Ministri gëzon imunitetin qëKushtetuta i njeh deputetit, sipas neneve 73 dhe 103 të Kushtetutës. Duhet theksuar se imuniteti është garanci institucionale dhe nuk duhet të shihet si privilegj individual. Imuniteti nuk nënkupton shmagie nga përgjegjësia penale e deputetit/ ministrit. Me ndryshimet kushtetuese të vitit 2012, imuniteti është i kufizuar dhe mbulon vetëm ndalimin earrestimit ose të heqjes së lirisë në çfarë do lloj forme tëdeputetit/ ministrit, e ushtrimit të kontrollit personal ose tëbanesës ndaj tyre, pa autorizimin e Kuvendit. Ndërsa për fillimin e procedimit penal, për marrjen e masave procedurale të tjera, për marrjen të pandehur dhe gjykimin, nuk kërkohet paraprakisht autorizimi nga Kuvendi. Mandati ideputetit/ministrit mbaron kur dënohet me vendim gjyqësor tëformës së prerë për kryerjen e një krimi.
Kushtetuta nuk ka parashikuar mundësinë e pezullimit nga detyra të deputetit/ministrit, si rrjedhojë e procedimit penal.Megjithëse kjo masë procedurale bie brenda konceptit tëimunitetit, në një kuptim të gjerë, për shkak të pasojës që sjell për funksionimin e institucionit, do të duhej të kishte parashikim të veçantë. Nëse kushtetutbërësi do kishte bërë vlerësim tëndryshëm, do e kishte parashikuar edhe këtë instrument në këto dispozita, siç është rregulluar për organet e tjera kushtetuese tëpërmendura më lart. Nisur nga premisat e interpretimit kushtetues, atë që nuk ka dashur ta bëjë kushtetutbërësi nuk mund ta bëjë ligjvënësi, duke e konsideruar si ‘zbrazëti ose heshtje të Kushtetutës’. Mbi këtë bazë arsyetimi, në vitin 2012 u ndoq rruga e amendamentit kushtetues për ndryshimin e përmbajtjes së imunitetit dhe jo rruga e ligjbërjes së zakonshme.
Megjithatë, nuk mendoj se imuniteti kushtetues përbën argumentin kryesor si arsye për ndalimin e pezullimit nga detyra të deputetit/ministrit. Kuvendi dhe qeveria burojnë nga zgjedhjet demokratike dhe, për rrjedhojë, janë organe përfaqësuese tësovranitetit të popullit. Kushtetuta nuk e lejon pezullimin apo bllokimin e qeverisjes. Ky parim është mbizotërues nëKushtetutë. Për këtë qëllim, Kuvendi qëndron në detyrë deri nëmbledhjen e parë të Kuvendit të ri të zgjedhur (neni 65 iKushtetutës) dhe Kryeministri dhe ministrat janë të detyruar tëqëndrojnë në detyrë deri në formimin e Këshillit të Ministrave pasardhës (neni 106 i Kushtetutës).
Ministri, përveç cilësisë si anëtar i organit kolegjial të Këshillit të Ministrave, është dhe organ kushtetues monokratik. Aktet kushtetuese, për të cilat ministri ngarkohet nga ligji, nuk mund të nxirren nga Kryeministri apo Këshilli i Ministrave, apo t’idelegohen nga qeveria një organi tjetër. Në ushtrimin e kompetencës kushtetuese normative, ministri nuk mund tëzëvendësohet as nga zëvendësministri. Ministri shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit dhe ky dekret i dërgohet Kuvendit për miratim (neni 98 i Kushtetutës). Edhe nëse ministri është shkarkuar sipas këtij parashikimi, ai është i detyruar nga Kushtetuta të qëndrojë në detyrë deri nëkonfirmimin e pasardhësit. Pezullimi nga detyra i ministrit me vendim gjykate, bazuar në parashikime extra kushtetuese, për nga pasojat që sjell, mund të barazohet me aktin e shkarkimit. Për këto arsye, kjo konsiderohet ndërhyrje jo kushtetuese në kompetencat e Kryeministrit, Presdidentit dhe Kuvendit, dhe në kundërshtim me ndarjen dhe balancimin e pushteteve.
Prokurori dhe gjyqtari kanë detyrimin për të vlerësuar dhe respektuar standardet kushtetuese dhe konventore që mund të lidhen me çështjet konkrete në praktikën gjyqësore. Kur ligji mbi të cilën bazohet zgjidhja e çështjes së shtruar përpara gjykatës krijon implikime kushtetuese/konventore, gjykata, sipas rastit, përcakton ligjin/standardin e zbatueshëm sipas hierarkisë së burimeve, bën interpretim pajtues të ligjit me Kushtetutën/Konventën ose vë në lëvizje kontrollin kushtetues. Lidhur me parashikimin e nenit 242/2 të KPP, mendoj se gjykata duhet ta interpretojë këtë dispozitë në harmoni me standardet kushtetuese të përmendura më lart duke konkluduar se përjashtimi shtrihet jo vetëm për organet e zgjedhura, por për të gjitha organet kushtetuese, duke përfshirë dhe ministrin.
Ky interpretim nuk cenon kompetencat dhe interesin legjitim të prokurorisë dhe të gjykatës së posaçme për të mbrojtur integritetin e hetimit dhe të procedimit penal. Përkundrazi, zbatimi i një instrumenti procedural penal si masë ndaluese ndaj ministrit, ndërkohë që Kushtetua nuk e lejon, nuk i shërben pavarësisë së tyre. Fuqia e tepërt, siç historia institucionale dëshmon, mund të sjellë vetëdëmtim dhe cenim të legjitimitetit.
*Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese











