Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Evis Kushi ka ftuar në një takim falënderimi një pjesë të maturantëve me rezultatet më të mira në maturën shtetërore të këtij viti. Kanë qenë 40 nga maturantët më të mirë me mesatare 10, të cilët janë ftuar në mjediset e MASR.
Ministrja Kushi i ka falënderuar maturantët për rezultatet e shkëlqyera në provimet e maturës, përkushtimin dhe punën që kanë bërë gjatë këtij viti të vështirë shkollor.
“Do të kisha dashur që t’i ftonim të gjithë ata që i kanë marrë të katër provimet dhjeta, pasi janë më shumë se sa kaq, por vendi nuk na e mundësonte këtë. Unë doja që këtë takim ta zhvillonim pikërisht këtu, në mjediset e MASR, sepse për këtë institucion nuk ka krenari më të madhe sot, se sa ju, për rezultatet, për punën, për përkushtimin, sakrificën që keni treguar gjatë këtij viti” -është shprehur Kushi.
Ajo theksoi se falë punës së nxënësve dhe mësuesve të tyre në të gjitha shkollat e vendit, u arrit të mbyllej me sukses ky vit shkollor. Ministrja tha se për maturantët u tregua kujdes që të bënin mësim në klasë, pasi ky vit ka qenë një vit vendimtar për të ardhmen e tyre.
“Shumë prej jush do të shkojnë në universitete këtu në Shqipëri, por disa të tjerë do të shkojnë në universitete të tjera prestigjioze në Evropë apo Amerikë. Atyre që do të studiojnë jashtë dua t’u uroj shumë suksese dhe rrugëtim të mbarë, por do t’iu lutesha që kur të mbarojnë të vijnë përsëri në Shqipëri. Natyrisht është herët për ta marrë këtë vendim” – ka dhënë mesazhin e saj ministrja.
Për ata që kanë vendosur të rrinë në Shqipëri, ministrja Kushi ka përcjellë mesazhin e rëndësishëm se po bëhen përpjekje të jashtëzakonshme me universitetet në vend, për ta rritur cilësinë në arsimin e lartë. Ajo përmendi se vitet e fundit është ndërmarrë një reformë e madhe në arsimin e lartë, por akoma ka shumë punë për të bërë. Një nga mekanizmat që po përdoret për të rritur cilësinë e arsimit të lartë është bashkëpunimi dhe partneriteti i ngushtë me universitetet më prestigjioze evropiane.
“Konkretisht, ne po punojmë për të hapur programe studimi të përbashkëta apo të dyfishta, që diplomat tuaja të kenë të njëjtën vlerë si diplomat e bashkëmoshatarëve tuaj në vendet e tjera të Evropës. Ne e dimë shumë mirë që ata maturantë të shkëlqyer që vendosin të shkojnë dhe studiojnë jashtë vendi, shkojnë sepse duan cilësinë më të mirë të mundshme. Gjithmonë do të ketë nga ata që do të shkojnë të studiojnë jashtë vendit, sepse edhe nga shtete të tjera të zhvilluara ka të rinj e të reja që shkojnë dhe shkollohen në shtete të tjera. Por ne nuk duam që studimet jashtë vendit të jenë një zgjedhje e detyruar” – tha ministrja.
“Kjo është sfida jonë më e madhe, pra që të kemi universitete prestigjoze, të kemi diploma që kanë vlerë. Për studentët tanë nuk është nevoja të shkojnë jashtë Shqipërie, kur të njëjtën diplomë mund ta marrin edhe këtu në Shqipëri, madje me kosto më të ulëta. Së shpejti, MASR do të firmosë marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin Teknik të Stambollit (ITÜ), dhe shumë shpejt do të ketë një filial në Shqipëri për programe që lidhen me Informatikën dhe Inxhinierinë”, u shpreh ajo.
Ministrja Kushi theksoi se në institucione të ndryshme e ka shumë të rinj e të reja me rezultate të shkëlqyera që kanë filluar punë dhe po japin një kontribut shumë të rëndësishëm në institucione. Jo vetëm studentët ekselentë që punësohen nëpërmjet platformës “Punë të Mbarë”, por edhe të diplomuarit e tjerë kanë mundësi punësimi. Programi Kombëtar i Praktikave të Punës është një mundësi që u jepet të rinjve të sapo diplomuar për tre muaj praktikë në një institucion, organizatë apo biznes, dhe me pas atyre me performancën më të mirë u lidhet një kontratë 1-vjeçare pune.
g.kosovari