Nga Lorenc Vangjeli
Rrjetet sociale e masakruan barbarisht një deputete të parlamentit shqiptar. Gruaja e re, bionde e kuruar siç do të kishte bërë dhe një brune në vend të saj, e dalë nga listat e Partisë Demokratike e kishte pothuaj të pamundur të lexonte normalisht tekstin fjalimit të saj. Gabonte fjalët në shqiptim dhe dukej qartë dhe se nuk ishte e familjarizuar me kuptimin e tyre. Por ky nuk është faji I saj dhe gjithë kritikët që e quanin atë si bionde barsaletash, në thelb gabonin kur e konsideronin qesharake. Ajo thjesht nuk ndodhej në vendin e duhur. Njëlloj si një grua që shkon me fustan balloje për të bërë plazh, njëlloj si një burrë që shkon me kominoshe bojaxhiu në një ballo politike. Sa kohë qëndronte e heshtur, gruaja e parlamentit do të mund të komentohej për të krehurën, të veshurën, ecjen drejt sallës së seancave plenare dhe askush nuk do të kujtohej për teknologjinë e pabesueshme që kryetarët e partive, në këtë rast Basha I PD-së, kanë për të zgjedhur njerëzit e listave të tyre. Dhe askush nuk do të guxonte të quante qesharake zonjën që nuk dinte të lexonte, por do të vazhdonte të merte seriozisht bashën që e kishte zgjedhur. Kjo anë komike e çështjes nuk ka nisur sot. Ana tjetër dramatike ka kohë që ëhstë shfaqur gjithashtu. Pak vite më parë, në një moment ngërçi të politikës shqiptare, një konsensus tripolar mes palëve, i dha jetë një qëndrimi kontraversial politik, të njohur si ligji i dekriminalizimit. Një ligj i egër, i ashpër dhe ekstrem përtej ekstremit, por që në ato moment ishte ndoshta edhe përgjigja e vetme e mundshme. Një përgjigje që më shumë se ndaj realitetit konkret, ishte një reagim ekstrem në perceptimin për kriminalizmimin e politikës. Edhe pse më pas gjykata kushtetuese e klasifikoi ligjin si në përputhje me dokumentin themelor të shtetit, e drejta universale e njeriut për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur, është shkelur nga ligjvënësit shqiptarë. Madje edhe nga ata që do të bëheshin viktima të këtij akti politik dhe që e votuan edhe vetë.
Ai ligj dëshmoi atëherë dhe ulërin edhe sot pafuqinë morale të shoqërisë shqiptare për të detyruar tre – katër individë në Shqipëri – kryetarët e partive – që të mos peshkojnë në llum dhe të mos promovojnë individë me rekorde kriminale. Që të mos ftojnë në skenë individë që kanë marë diplomën e universitetit përpara se të mbarojnë shkollën e mesme. Ligji u duk se zgjidhi anën praktike të problemit, por duke qenë I përciptë dhe sipërfaqësor, duke qenë mjet për të kaluar lumin dhe jo moral I vetëdijshëm, ai ka dëshmuar vetëm njërën anë e medaljes. Duke tentuar të bëjnë diçka mirë atëherë, është bërë shumë keq e gjitha. Sot, për shkak të ligjit, politika e gjykon të shkuarën e individit me syzet e interesit të ditës. Ajo I citon si dëshmi nga Bibla apo Kur’hani vendimet e gjykatave të huaja, greke e italiane kryesisht. E pra, thjesht nuk është kështu. Shqiptarët e viteve 90-të, brezi i parë i emigrantëve që u katapultuan në një botë të huaj, papritur panë botën jo nga ekrani bardh e zi i RAI-t apo nga “njishi i sllavit”, por me sytë e tyre dhe me ngjyra.
Coca-Cola dhe Marlboro, simbolet të Perëndimit në psikologjinë e shqiptarit të kohës, por shpesh edhe ushqimi i përditshëm, ishte vetëm një xham vitrine larg. Dhe nuk dukej mëkat i madh për ta thyer atë.
Të mësuar me sapunin e zi të Rrogozhinës dhe seksin me miza që shihnin tek Electric Blue, vajzat e Perëndimit, të spërkatura me parfum dhe të qeshura për mirësjellje, ata i shihnin si ftesa për shkepje. Dhe ishin të bindur se ishte burrëri edhe ta rrihnin viktimën e kulturës së tyre të ndryshme, ndërkohë që shfrynin tensionin e tyre mbi to.
Të tjerë shqiptarë, i hynë rrugës së krimit për motive nga më të ndryshmet, por nuk bëhet fjalë për ta, por për një kategori krejt tjetër fatkeqësh. Qindra e mijëra shqiptarë janë dënuar më shumë sesa parashihte ligji, në rastin më të mirë dhe në pafajësi të plotë, në rastin më të keq, vetëm sepse ishin emigrantë të varfër shqiptarë. Ata vuajtën diskriminimin në një botë që ishte e huaj për ta, ata luftuan për mbijetesë, të braktisur nga atdheu dhe ranë shumë shpesh viktimë e racizmit, ksenofobisë dhe paragjykimeve që i parashihte fajtorë. Surpriza që sot marin nga Tirana, është se pikërisht kjo kategori individësh, kriminalizohet dhe i cungohet e drejta për t;u zgjedhur dhe për t’u reabilituar. Kjo ndodh vetëm për një arsye: sepse politika i përdor ata kur ka interes dhe i flak tutje me përbuzje kur ju zbulohet e shkuara. Por meqë e shkuara e kujtdo nuk blihet dot, e nesërmja duhet të jetë ndryshe. Për të këmbyer një ligj me vullnetin e kontrolluar nga morali i shoqërisë së tre – katër individëve. Atyre që vendosin për fatin e të gjithëve sot dhe jo duke nisur vetëm nga skedinat penale. Por përpara se të firmosin listën e deputetëve – sa për fillim – të bëjnë një test për shkrim e këndim të kandidatëve të tyre. T’ju bëjnë një diktim dhe nëse arrijnë të shkruajnë tre fjali bashkë, me vetëm 9 gabime drejtshkrimore, ta konsiderojnë testin e tejkaluar. Herët a vonë, kjo do të ndodhë. Por deri atëherë, kufiri mes ëngjëjve biondë dhe djajve brunë do të jetë tërësisht i padukshëm dhe shumëkush do të hasë në politikë djaj të pafajshëm dhe ëngjëj analfabetë.
JavaNews.al