Gazeta zyrtare e PD, Rilindja Demokratike, ka reaguar me një shënim të shkurtër pak minuta pasi publikoi një lajm ku kërkohej që PD të ndahet nga ish-lideri historik, Sali Berisha.
Fillimisht gazeta fshiu linkun e lajmit të publikuar në Facebook, për të fshirë më pas edhe lajmin nga faqja e webit.
Teksa nxiton ta quajë Berishën “burrë shteti”, gazeta shkruan se publikimi i qëndrimit të Jonila Godoles nuk ka lidhje me qëndrimin e gazetës. Sipas gazetës kjo lidhet me fjalën e lirë, një argument që nuk duket bindës, pasi lajmi u fshi nga faqja e gazetës, shkruan “Shqip”
“Asgjë nuk na lëkund nga besimi se Berisha në funksionet e tij të të bërit shtet dhe opozitar, në të gjithë dimensionin e tij politik mbetet burrë shteti, por fjala e lirë është tjetër, pasqyrimet e saj janë tjetër dhe qëndrimet mbi to krejt tjetër. Mirënjohje të gjithë lexuesve për sygjerimet e tyre”, thuhet në reagimin e RD-së.
Nuk dihet nëse kemi të bëjmë me “kërcënim”, apo “vetëreflektim” të gazetës.
Çfarë ndodhi sot?
Gazeta Rilindja Demokratike, si rrallë herë publikoi sot një deklaratë kundër Sali Berishës. Ishte pedegagia dhe studiuesja Jonila Godole, e cila vetëm një ditë pas marrjes së postit si drejtuese e Sekretariatit për të Përndjekurit Politikë në Partinë Demokratike, kërkoi që PD të ndahet përfundimisht nga Sali Berisha.
Kjo është hera e parë në fakt që gazeta zyrtare e selisë blu, publikon një deklaratë të një zyrtari të tyre që kërkon largimin e Sali Berishës nga PD.
“Vendimi i z. Berisha është vendim personal i tij. Çdo forcë politike tregon pjekurinë e vet pikërisht në këto lloj momentesh të rëndësishme.
Kjo do ta çojë PD përpara ose jo, këto janë kosto që do t’i mbajnë ata. Unë kam thënë që bota ka treguar që dhe personalitete të mëdha, të cilët kanë qenë absolutisht të rëndësishëm për gjithë Evropën, ku kam sjellë në vëmendje rastin e ish-kancelarit gjerman Helmut Kohl, në një moment të caktuar partisë i është dashur të marrë një vendim, që të ndahej prej tij, por duke respektuar kontributin e tij deri në fund.
Këto janë vendime që i marrin partitë vetë. Këto janë modele që unë i kam sugjeruar. Nëse mua do më pyesin sot nga brenda PD, patjetër që do ta sugjeroj këtë dhe do flas hapur. Por kjo është pjesë e PD, duhet të tregojë se është vërtet një parti që e meriton të vijë në pushtet. Unë shpresoj shumë që PD të bëjë zgjidhjen e tyre”, deklaroi më herët Godole.
Lajmi u publikua nga organi zyrtar i PD dhe u pasqyrua gjërësisht në media, pasi kjo ishte hera e parë që gazeta zyrtare e selisë blu, publikoi një deklaratë të një zyrtari të tyre që kërkon largimin e Sali Berishës nga PD.
Gjithsesi “fjala e lirë” në PD zgjati vetëm pak minuta, pasi lajmi që kritikonte Sali Berishën u fshi me urgjencë./m.j