• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Sunday, December 21, 2025
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Kush i “ndezi” trëndafilat e Përmetit në Tiranë?

by Kristo Mërtiri
18/05/2023 08:37
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Kristo Mërtiri

47 Maje të Përmetit më trokasin përmes ndjesive të veçanta shpirtërore, personale e familjare, por edhe profesionale. Shpërthejnë njëherësh lulet dhe kabatë e gëzuara, qershitë faqekuqe dhe këngët e famshme të luginës bukurishumë të Vjosës që më rriti e i pret dhe përcjell me dhembshuri brigje më brigje. Ditën, por edhe natën me hënë e pa hënë. Dhëmbeli e Maja e Dritës në Nemërçkë, sikur duan të heqin me ngut “kapelet” vezulluese dimërrore të dëborës dhe të derdhin hijeshitë bio të natyrës së virgjër për njerëzinë. “Trëndafilat fletë-fletë” marrin sokakët poshtë e përpjetë. Bashkë me erën e borzilokut të dendur nëpër ballkone e avlli përmetare. Por edhe në gjokset gufuese të vajzave e djemve që dashurohen, fejohen a martohen në Maj ! Një muaj i bekuar që në ato vise të shenjta i thotë çdo vit pranverës “o dil, o të dal”. Gati 5 dekada kështu. Një refren origjinal, i cuditshëm e aspak i mërzitshëm a monoton. Edhe zogjtë sikur zgjedhin këngët më të mira. Aty, në këtë qytet të fisëm e nisa udhën e gazetarit profesionist. Dhe pata fat të bardhë ! Rrodhën ujëra e përrenj me bollëk, por unë mjaft gjëra vazhdoj t’i përjetoj njëlloj sot e kësaj dite, me të njëjtën ngarkesë emocionale. Këtu dhe matanë maleve, në emigracion. Përmetin e marr me vete. Kujtoj të gjallë e të vdekur, e sidomos ata që më flasin nga dheu lotëkripur i Bolëngës poshtë mollëve të ëmbla dhe ku hardhitë pikojnë dhimbje e mall në çdo stinë…

-Dëgjomë një cikë, miku im ! Ky përmetari i vogël që e pa dritën e Perëndisë këtu (djali im i madh), një ditë do rritet e do bëhet burrë. E bëre dasmën e tij, kudo që të ndodhesh me punë, pa më dërguar haber mua, do të bëj lanet(dhe fërkonte lehtë mustaqet simpatike)…Mos e vrit kaplloqen për orkestër e salltanete. Do të vij unë me çunat. Mua do më darovitësh vetëm me Nënen(kështu e thërriste rakinë Ustai i Fundit). E kam llafosur edhe me Kanon. Mos harro e t’u bëftë udha këngë, ngado që të shkosh !…

Ishte një lloj amaneti i veçantë i Laver Bariut të pavdekshëm, në mesin e viteve ’80 të shekullit që iku. Do filloja korrespondent i “Bashkimit” në Myzeqe. Atje gjeta shokun e shkollës së mesme Pedagogjike, Filip Çakuli, që me vallet e tij konkuronte edhe profesionistët. Se nuk ishte ekselent vetëm në mësime. Por mjerisht…e gjeta jo si gazetar, por si i dënuar padrejtësisht e poshtërsisht nga Tirana në Divjakë ! Dhe nuk u ndamë kurrë, megjithëse më thirrën e më këshilluan “shoqërisht” e zyrtarisht për t’u “distancuar” dhe gjoja për të mos paguar koston e “zbutjes” së luftës së klasave(mendoj se meriton një shkrim të veçantë ky episod irritues e trishtues për mua në atë kohë pa kohë). Dhe ja paradoksi e ironia bubulluese: Ai drejtues i lartë në Lushnje, më thonë se në Pluralizëm paska marrë ilegalisht Vërtetim nga Shoqata e të Persekutuarve Politikë dhe çau ferrën për në Amerikë a Kanada (?!). Por një fletë në bllokun tim të shënimeve, ka mbetur e paprekur dhe e papublikuar ende…Vitet rrodhën njeri pas tjetrit. Duhej të isha kthyer në Tiranë pas 3 vitesh, por mbrita pas gati 15 vjetësh ! Kur u martuan djemtë, usta Laveri ishte sëmurë. Nuk e njoftova. Mirëpo, si krushk i parë, te lokali i Gëzim Kames dhe ballë për ballë me Aurela Anastasin e bashkëshortin e saj; me “shqiponjën” e valles shqiptare Rexhep Çeliku e Zhani Cikon me Rudinën; thashë edhe dy fjalë zemre për miqtë e mi të munguar Mentor Xhemali e Laver Bariu (Kanerinës, gruas së Ustait, dikush ia kish rrëfyer në Përmet !). Pas pak çastesh, në mes të dasmorëve hyri befas një grup i vogël valltarësh me veshjen e këngët e Labërisë sime të dashur: ”Dy fjalë thoshte kapedani,/ Ja sheshi, ja mejdani !”…

Jo rastësisht i kujtova këto një mbrëmje Maji në Tiranë, javën e kaluar. Në sheshin para Galerisë së Arteve. Shesh që nuk besoj të ketë patur ndonjëherë aq shumë njerëz të ulur e në këmbë si adhurues të Sazeve të famshme nga ajo trevë e bekuar në këmbët e Dhëmbelit. Shumica, natyrisht ishin përmetarë të Tiranës ! Në atë mjedis të hapur, pa bileta e platera luksoze, gjeje edhe dashamirës nga Veriu e Shqipëria e Mesme, pa përmendur Jugun. Se historikisht, sazet e mirënjohura vetëm bashkojnë e hic nuk ndajnë. Fjala vjen, i pari monument i përmetarit të rrallë Abdyl Frashëri që “prishi një barrë flori” për mëmëdheun e kombin shqiptar, u ngrit e flet përjetësisht në këmbë sot e kësaj dite në kërthizë të Prizrenit !…Në Kryeqytet ra një shi i imët para dite. Dhe meraku i organizatorëve për atë mbrëmje të gëzuar, ishte i prekshëm. Sidomos te Edit Pula, vajza e piktorit Fisnik Pula. Brenda kuadrit dyjavor të një Projekti të REAS(4-20 Maj). Kabaja ndjellëse dhe aq e ëmbël e Josif Shukallarit, klarineta virtuoze derdhej pa pushim nëpër Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Shëtitore që mblodhi vetiu e dërgoi në koncert mjaft qytetarë që dilnin si të shushatur nga Polit(h)ika e daulleve elektorale nëpër ekrane e rrugë. Një mesoburrë, nën tingujt e sazeve kërcente bukur dhe për qejfin e vet gjatë tërë aktivitetit. Ngjante me një kupë qielli nga qyteti i luleve në zemër të Tiranës ! Moderatori i palodhur dhe pasionant, Qirjako, e di mirë se si mund të nderohet e respektohet vendlindja e tij buzë Vjosës. Çifti Nepton e Zana Mero, të cilët dikur paguan në kurriz padrejtësisht bashkë me të mirën Leonorë nga Leusa, ca qëndrime e vendime të cuditëshme moniste e jo pak hakmarrëse, gëzonin e duartrokisnin me shpirt. Por edhe përmetare-shkodrania me kontribute jo të vogla në Arsim, Dhora Lloja (Jance) etj. nuk mungon në asnjë veprimtari me rrënjë nga rrënjët e saj…

A e dini nga erdhën këta “dasmorë” gjithnjë të qeshur, me veglat e tyre muzikore dhe me zërin e tyre brilant ? Erdhën nga Brukseli, nga një Festival Ballkanik interesant ku konkurojnë përfaqësues jo dosido nga Bosnja, Serbia, Kosova, Bullgaria, Rumania e Shqipëria. Vecse një majë të vërtetë artistike e krenarie e arritën Sazet e Përmetit : i ftuan dhe hynë brenda në Parlamentin Evropian ! i shoqëronte vetë eurodeputetja emërmirë Tanja Fajon. Do liberalizoheshin vizat me BE-në ! Por kabatë dhe këngët e Përmetit tim e ngritën në këmbë atë parlament. Koncerti u kthye në një kartolinë kuptimplote nga Shqipëria, në një prezantim të vërtetë kulturor e artistik. Organizatori kryesor belg, Nikollë, njëkohësiht mikpritës zyrtar, është dashuruar me këto saze të mirënjohura kudo. Jo vetëm kaq, por është bërë edhe “nun” dhe i ka pagëzuar me emrin Bend(orkestër) Josif Shukallari ! Madje disa ftesa vijnë me emrin e tij. Katër herë kështu. Në një kuptim klarineta është bërë ambasadore krejt origjinale. Ku ta dinë ata deputetë evropianë se mjeshtri e miku im nga Draçova e Çarshovës nuk ka mbaruar akademira apo mastera frymëmarrëse me okë. “Mullixhiu”i dikurshëm, nisej çdo pasdite me biçikletë brigjeve të Vjosës në fillimvitet tetëdhjetë. Përfytyroni udhët e atëhershme dhe pengesa të tjera. i pari që e pikasi talentin ishte Llazo Vangjeli, njeriu që promovoi disa fëmijë të mrekullueshëm në breza.

Dhe “xhaxhi Llazo” nuk e thërrisnin vetëm vogëlushët e valleve në kopshte e shkolla, por edhe ne të rriturit. Mjaft prej tyre sot janë burra e gra me fëmijë, gjyshe e gjyshër brenda e jashtë Shqipërisë. Dhe djaloshit Josif i këndonte si nën buzë shpesh atë këngën e mocme popullore:”Aman millona, derman millona!”. Ky e prezantoi për herë të parë te Laveri. Por ustai ishte i rreptë dhe i sertë në mësim. Te ai nuk “pinte ujë” as shoku e as miku përballë magjisë së tij të paprekshme, përballë tempullit të kabave. Ashtu i lodhur, ardhur nga fshati ndoshta edhe me cërka mielli taze nga misri e gruri i bluar për bashkëfshatarët, punoi shumë e jo për lumë ! Ustait nuk i qeshte kollaj buza te kurset në Shtëpinë e Kulturës “Naim Frashëri”. Pas shumë kohësh, kur po ecte në trotuarin pranë asaj vatre të shquar që e katandisën keq horrat, të pabesët e hajdutët me cizme, ngadalësoi hapat e vuri njerën pëllëmbë në vesh dhe dicka dëgjonte si i ngrirë. Po dëgjonte seriozisht tingujt e nje klarinete. “O lako, ky është mullixhiu i Rrëzës”, kaq ishte vlerësimi i tij për Josifin. Vlerësim që mbahet mend gjatë…

Unë i kam njohur gati të gjithë, etër e bij artistë. Luljeta Ilia nga Kanikoli sot u bashkohet Sazeve duke ardhur nga Gjermania. Po ashtu Evgjenia; Donika; Ylli; Andi (djali i muzikantit Irfan dhe nip i Qemal Ponocit, mjeshtrit të madh të vreshtarisë; Elvis e Mikel Rrapaj nga Këlcyra ime e fëmijërisë; Teuta Pango, vajza e traktoristit të shkrimeve të mia; Genti Petro etj. Pa harruar ish kolegen time në TVSH, regjisoren Dhoksi Sahatci(Teta), që promovonte valle e këngë nga këto troje mirësimbuluar. Shpërthimi e “ndezja” e trëndafilave pa bujë e zhurmë reklamash në Tiranë, urtësia e qytetaria e tyre legjendë, mbase nuk i gudulisi hic veshët e politikanëve në Qendër. Aq më tepër në kulmin e makutërisë elektorale ! Se këta, sic pohon me të drejtë një miku im kurveleshas, “Lakmojnë gradat si qoftet,/ S’kanë as be, as fe, as gjak,/ Grinden për kolltukë e poste/ Sic grinden qentë në çanak”…

Next Post
Paralajmërimi i frikshëm i gjeneralit amerikan: Ukraina e poshtëroi, Putini mund t’i drejtohet armëve bërthamore”

Paralajmërimi i frikshëm i gjeneralit amerikan: Ukraina e poshtëroi, Putini mund t’i drejtohet armëve bërthamore”

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Zbulohen dosjet/ Motra e ‘viktimës’ së Epstein denoncoi abuzimet para 27 vitesh, por FBI heshti

Zbulohen dosjet/ Motra e ‘viktimës’ së Epstein denoncoi abuzimet para 27 vitesh, por FBI heshti

December 21, 2025
Kamioni i ngarkuar me agrume del nga rruga në aksin Levan-Tepelenë, lëndohet shoferi

Kamioni i ngarkuar me agrume del nga rruga në aksin Levan-Tepelenë, lëndohet shoferi

December 21, 2025
Garat me biçikleta elektrike, zhvillohet kupa e parë në vend me dy etapa dhe zgjati dy ditë

Garat me biçikleta elektrike, zhvillohet kupa e parë në vend me dy etapa dhe zgjati dy ditë

December 21, 2025
Nuk kanë nevojë për askënd, këto janë tre shenjat më të pavarura të horoskopit

Nuk kanë nevojë për askënd, këto janë tre shenjat më të pavarura të horoskopit

December 21, 2025
Që të parandalojmë pandeminë ekonomike

2.2 milionë shqiptarë jetojnë në botë/ Zaloshnja: Dekadën e fundit, shumë fëmijë të lindur jashtë vendit janë regjistruar në Shqipëri

December 21, 2025
Paralajmërimet për revolta te protesta kombëtare e Berishës, “blindohet” Kryeministria

Paralajmërimet për revolta te protesta kombëtare e Berishës, “blindohet” Kryeministria

December 21, 2025
Deri në 2030 Shqipëria do dalë 3 herë në tregjet ndërkombëtare! Eurobondi i parë në 2027 për të shlyer borxhet

Deri në 2030 Shqipëria do dalë 3 herë në tregjet ndërkombëtare! Eurobondi i parë në 2027 për të shlyer borxhet

December 21, 2025
45-vjeçari ka marrë plagë në gjoks dhe bark/ Zbardhen detaje nga plagosja me thikë në Durrës (EMRI)

45-vjeçari ka marrë plagë në gjoks dhe bark/ Zbardhen detaje nga plagosja me thikë në Durrës (EMRI)

December 21, 2025

Korrupsionin e shpëton vetëm një situatë politike bardhë e zi

December 21, 2025
Aksident mes dy makinave në autostradën Lushnje-Fier, njëra përfundon në barrierat ndarëse (FOTO)

Aksident mes dy makinave në autostradën Lushnje-Fier, njëra përfundon në barrierat ndarëse (FOTO)

December 21, 2025
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In