22 vjet në treg kur dhe u hodh për herë të parë në qarkullim si monedhë fizike, euro në Shqipëri është konsideruar si valuta më e fortë. Por me ecurinë e ekonomisë shqiptare dhe ndikimet nga faktorët gjeopolitikë, zhvlerësimi i euros ka vijuar me ritme të pandalshme, duke vendosur në vështirësi shumë sektor por duke favorizuar dhe disa të tjerë.
Me rënien e pandemisë Coronavirus, kryesisht pas vitit 2020, monedha europiane nisi të zhvlerësohet nga niveli i 123 lekëve duke pësuar luhatje të vazhdueshme. Vetëm në tre vitet e fundit, euro ka humbur më shumë se 24 lekë, ose mbi 20% të vlerës së saj.
Rritja e investimeve të huaja direkte, ndikimi i remitancave por dhe bumi turistik janë faktorët që ndikuan më së shumti në tatëpjetën që euro ka marrë. Ekspertët shpjegojnë se sasia e euros në qarkullim, apo ajo që ndryshe njihet si oferta, është shumë më e lartë sesa kërkesa, ose nevoja për euro.
“Kjo është një tendecë 2 ose 3 vjecare të forcimit të lekut dhe rënies së euros në tregjet valutore shqiptare. Kemi të bëjmë me një ekuilibër të ri që shkaktohet nga një mori faktorësh por thënë në një fjalë të vetme nga sasia e lartë e euros në treg. Vin nga shumë burime, turizmi, investimet e huaja, bilanci tregtar por dhe paratë me origjinë kriminale që kanë krijuar një ekuilibër të ri të euros që reflektohet në këto kurse këmbimi. Kjo ëhstë një tendecë që nu duket se ka stopuar për të krijuar një qëndrueshmëri”, thotë për A2 CNN eksperti i ekonomisë, Adrian Civici. “Ajo që u mësua gjatë 2023 luhatjet e ndjeshme në periudha afatshkurtra. Kemi pasur lëvizje të konsiderueshme në periudha afatshkurtra gjë që në 2024 u stabilizua disi pavarësisht se ky trend vijoi rënien edhe këtë vit.
“Marrim periudhë krahasimi 2020 pasi ka më shumë se 2-3 vite që monedha euro është nënçmuar dhe mbiçmuar leku. Kemi një rënie prej 20%. Për shkak të shifrave të larta dhe prurjeve të larta në euro janë detyruar të rritin çmimin. Pikërisht menaxhimi i euros informale do të shkonte drejt një situate më të stabilizuar”, thotë për A2 CNN Eriola Hoxha, eksperte ekonomie.
Edhe pse ka pasur rritje të flukseve valutore nga rrugët zyrtare, nuk janë të vetmet që e kanë bërë të pandalshme tatëpjetën e euros. Kanalet informale janë ato që kanë shtuar ndjeshëm eurot në treg, edhe pse sasia e tyre mbetet e pamatshme.
“Informaliteti diskutohet shumë. Për shkak se tregu imobiliarë, turizmi një pjesë e mirë e produkteve blihen në euro por nëse flasim për kanalet informale vështirë të këmbehen. E ka relativisht të vështir por ndikon dhe në mënyrë indirekte. Por duhet të kemi një gjë parasysh te informaliteti këtu ndërhyn paraja informale dhe ajo kriminale”, thotë Dritan Vakaj, Shoqata e Agjencive të Këmbimit Valutor.
“Ne aktualisht jemi një vend me 2 monedha dhe kërkohet një vendim i natyrës strategjike nëse do marrim një seri masash për të kufizuar përdorimin informal të pagesave transaksioneve për t’i dhënë hapësirën e nevojshme lekut dhe për të ndikuar në kursin e këmbimit. Dhe rekomandimet e FMN dhe eksperiencat nga vende të tjera përderisa ke një monedhë tjetër që luhatet dhe nuk ke kontroll, ka momente kur forcimi me efekte pozitive ashtu si dhe e kundërta”, thotë Civici.
Përdorimi në masë i euros në ekonomi ka humbësit dhe përfituesit e tij. Ata që kanë humbur janë kryesisht eksportuesit, që aktivitetin e kanë në euro dhe shpenzimet në lek; me humbje kanë dalë individët që kanë pagën apo të ardhura të tjera në euro; familjet që marrin para të afërmit emigrant, si dhe ata që kanë depozita në banka në këtë monedhë.
Të dhënat tregojnë se për 11 mujorin e këtij viti, eksportet arritën vlerën e 347 miliardë lekëve, duke u tkurrur me 13.9% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më pare.
“Do kemi përkeqësim akoma më të madh të gjendjes ekonomike, jo vetëm të sektorit eksportues, është lokomotiva kryesore e ekonomisë mbi 30% e GDP. Janë 200 mijë njerëz të lidhur me eksportet. Ky kthim mbrapsht i eksporteve do të reflektohet dhe në pjesë të tjera të ekonomisë. Janë duke vuajtur dhe një krizë likuiditeti është dhe më e rrezikshme pasi shpeshherë bizneset nuk falimentojnë për shkak të mungesës së kapitalit, rentabilitetit, por mungesës së likuiditetit. Të cilat të përkthyera në shifra të kuptueshme për publikun paaftësi për të rritur pagat, për vende të reja pune, paaftësi për produkte më konkuruese. Nga ana tjetër kanë filluar të ndjejnë dhe sektor të tjerë”, thotë për A2 CNN eksportuesi Alban Zusi.
Ndërkohë që kanë përfituar ata që kanë kredi në euro, pasi do të paguajnë më pak për këstet mujorë; importuesit që do t’i blejnë më lirë mallrat dhe shërbimet, si dhe qeveria, që do të paguajë më pak për borxhin e jashtëm.
Për të stabilizuar situatën por dhe mbajtur nën kontroll kursin e këmbimit Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë disa herë në tregun valutor nëpërmjet tërheqjeve direkte. Për shkak të zhvlerësimit të fortë të euros këtë vit, Banka e Shqipërisë ka blerë gjatë 9 muajve afro 542.3 milionë euro, ku 313.7 prej tyre u tërhoqën jashtë ankandeve zyrtare vetëm për të frenuar rënien e euros.
Vetëm gjatë tremujorit të tretë të vitit që përkon me fluksin e turistëve të sezonit veror që shtojnë edhe sasinë e euros në treg, Banka tregon se ka blerë 270.50 milionë euro, nga të cilat janë blerë 176.10 milionë euro për të ndalur zhvlerësimin e euros dhe 94.4 milionë euro me qëllim rritjen e rezervës valutore. Por përtej këtyre blerjeve euro në korrik-gusht-shtator, preku vlerat më të ulëta, duke zbritur nën kuotën e 100 lekëve. Një vijë e kuqe tashmë e shkelur dhe që sinjalizon çdo ditë për rënie të reja të vlerës së euros.
“Shqipëria ka adoptuar që në 1992 sistemin e kursit të lirë në treg dhe Banka e Shqipërisë nuk ka instrumente për të mbajtur një kurs të stabilizuar por me ndërhyrje indirekte, mund të kontribuojë në një stabilizim të kursit të këmbimit”, thotë Adrian Civici, ekspert ekonomie.
Euroizimi i ekonomisë në një përqindje të lartë të sektorëve bëri që Banka e Shqipërisë t’i kthehet politikës së 2017-ës, atë të fokusimit vetëm në monedhën kombëtare. Në kushtet e prezencës së lartë të kësaj valute në ekonomi, ekspertët theksojnë se do të sillte një efekt kundërciklik, të një euro nën 100 lekë.
“Politika që ka bërë Banka deri më sot është Brenda logjikës së tregut. Personalisht jam kundër deklaratës për detyrimin. Është e pamundur për ta bërë por dhe në aspektin logjik do jepte efektin e kundërt. Tentojmë të mbajmë kursin në vijë, por nga ana tjetër në kushtet të tilla euro do të binte edhe më poshtë. Pyetja a ishte e suksseshme kjo politikë. Unë hyj tek ata ekspertë që mendojnë se kjo politikë s’ishte e mirë. Besoj verbërisht tek forca e tregut. Rregullat në treg i vendos kërkesë-oferta. Nëse 80-90% e agjentëve ekonomikë duan të përdorin euron, Banka Qendrore e ka të pamundur të notojë kundër rrymës së sjellë tregu”, thotë Artan Gjergji, ekspert ekonomie.
“Banka e Shqipërisë e ka bërë të qartë ne nuk kemi rol ndërhyrës në treg për shkak të rëndësisë ka rol mbikëqyrës por tregu mbetet i lirë. Sesi do e gjej ekuilibrin kjo është objekt I kërkesës dhe ofertës”, thotë Vakaj.
Euro nën kuotën e 99 lekëve është tashmë normaliteti i ri. Kjo do të thotë se agjentët ekonomikë, si bizneset dhe qytetarët, duhet të riorientojnë planet dhe vendimet financiare me një euro të dobët në këto nivele ose edhe më poshtë.
Kjo valutë përdoret sot si monedhë në shumë transaksione të brendshme në sektorë të rëndësishme të ekonomisë shqiptare, si sektori financiar, ku një pjesë e konsiderueshme e depozitave dhe kredive janë në këtë valutë; në tregun e pasurive të patundshme, në shitjen dhe dhënien me qira të pronave; në turizëm, por edhe tek një pjesë e shërbimeve.
“Me euron kaq të lartë në ekonomi, rreziku nga kursi i këmbimit vazhdon të jetë eminent dhe mekanizmat për ta mbajtur në kontroll janë të limituara për sa kohë kemi një treg të lirë dhe tregu vazhdon të mbetet i lirë”, thotë Dritan Vakaj, Shoqata e Agjencive të Këmbimit Valutor
Në kushtet që ndodhet tregu dhe ekonomia, askush nuk mund të bëjë parashikime për kursin e këmbimit. As të thotë se kur do të stopojë rënia e euros, apo në çfarë vlerash do të arrijë ajo.
Ajo që dihet me siguri është se e ashtuquajtura monedhë e fortë nuk është më e fortë dhe se një euro e zhvlerësuar është tashmë normaliteti i ri./A2