Në një kohë që ndërkombëtarët bëjnë apel për dekriminalizim të Kuvendit të Shqipërisë, intelektualët e vërtetë duket se janë jashtë sallës plenare. Një ndër këta është edhe kreu aktual i Bashkisë së Kamzës dhe njëherësh kandidati i Partisë Demokratike për këtë bashki Xhelal Mziu. Pavarësisht akuzave të kampit kundërshtar, ai është një nga kandidatët më intelektualë në radhët e opozitës.
Në fakt, në bazë të CV që ai disponon, rezulton të jetë edhe kandidati më intelektual nga Partia Demokratike. Shumëkush mund ta ketë vënë në pikëpyetje Mziun për shkak të akuzave nga kampet kundërshtare, por ai i rrëzon këto me kualifikimet që ka.
Xhelal Mziu 48 vjeç ka qenë një nga studentët me rezultatet më të shkëlqyera në Fakultetin Ekonomik, Universiteti Bujqësor i Tiranës, ku dhe u diplomua në vitin 1993.
Edhe pse ai është dënuar pak muaj më parë me 2 vjet burg për akuzën e shpërdorimit të detyrës, dhe pabarazisë në tendera, ai zotëron gradën “Doktor”. Ai këtë titull e ka marrë po nga Universiteti Bujqësor i Kamzës rreth 20 vjet më vonë, në degën Financë-Kontabilitet.
Kualifikimet e tij janë të shumta, dhe po kaq të shumta janë edhe postet drejtuese që i ka mbajtur në të kaluarën. Besojeni ose jo, por kur mazhoranca i drejtohet si “intelektuali i PD”, nuk është një akuzë, pasi siç e tregon edhe CV-ja e tij, ai është me të vërtetë më intelektuali i opozitës nga kandidatët për bashki.
JA TË DHËNAT NGA CV E XHELAL MZIUT:
Është një prej veprimtarëve të lëvizjes studentore të viteve 1990-1991, që shpërfaqi idealin e një brezi të ri për ta bërë Shqipërinë si e gjithë Evropa. Në vitin 1991-2000 aktivizohet në strukturat e PD-së Kodër-Kamëz dhe Laprakë. Në vitin 2000 e në vazhdim ka qenë vazhdimisht pjesë e strukturave të PD-së Kamëz, duke u dalluar për aktivitetin dhe ambiciet e tij prej lideri. Në vitin 2005 ai do të zgjidhej kryetar i nëndegës PD Kamëz. Po këtë vit, z. Mziu zgjidhet anëtar i Kryesisë së PD-së Tiranë dhe anëtar i Këshillit Kombëtar të PDSH-së. Në vitet 2001 e 2003, z. Mziu ka anëtar dhe nënkryetar i KZZ dhe KZQV.
Në këto përvoja shërbimi e komunikimi me qytetarët, z. Xhelal Mziu u njoh në imtësi me shqetësimet e komunitetit dhe u dallua për vizionin e tij që kishte për Kamzën, gjë e cila e çoi që në 18 shkurt 2007 të zgjidhej kryetar i Bashkisë Kamëz, duke pasur edhe një mbështetje nga PDSH-ja.
Vizioni, menaxhimi, drejtimi dhe suksesi që pati në mandatin e parë çuan në rizgjedhjen e z. Mziu më 8 maj 2011 si kryetar i Bashkisë së Kamzës i mbështetur nga koalicioni “Aleanca për Qytetarin”.
Krahas aktivitetit të tij si kryetar bashkie, z. Mziu njëkohësisht është edhe anëtar i kryesisë së Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë.
Që nga periudha 2009-2010, z. Mziu i është kushtuar edhe arsimit universitar, duke qenë lektor i jashtëm në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Durrësit dhe gjatë vitit 2010 e në vazhdim, lektor i jashtëm në Fakultetin Ekonomik, UB Tiranë.
Karriera profesionale e z. Mziu ka filluar sapo mbaroi studimet e larta, në periudhën 1993-1995 si inspektor i Policisë Financiare Tiranë e për të vijuar në një tjetër eksperiencë në vitet 1996-1998 si revizor në Drejtorinë e Përgjithshme të BTA. Për një periudhë dyvjeçare z. Mziu ushtron profesionin si konsulent ekonomiko-financiar në sektorin privat tek një studio private dhe me emër. Ai do të spikaste në vitet 2003-2005 si drejtor i Drejtorisë së Ekonomisë e Financës në Bashkinë Kamëz, duke ushtruar profesionin e tij e për të vijuar më pas në vitet 2005-2007 si drejtor i Përgjithshëm i Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës dhe anëtar i Shoqatës së Ujësjellës-Kanalizimeve të Shqipërisë, ku gjatë vitit 2005-2006 do të bëhej president i Shoqatës së Ujësjellës-Kanalizimeve.
Kualifikimi
Shtator 1996: “Dokumentimi i kredisë tregtare dhe i kredisë së padeklaruar”, organizuar nga Instituti Ligjor për Zhvillim Ndërkombëtar.
Prill 2006: Tur studimor në Berlin, Bolonjë, Amsterdam për “Drejtimin dhe Menaxhimin e Ujësjellës-Kanalizimeve” (organizator GIZ).
2009: Certifikuar “Auditues i Brendshëm në Sektorin Publik” pranë Ministrisë së Financave.
2009: Kurs pasuniversitar për “Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci” organizuar nga Akademia Diplomatike Shqiptare.
2008-2010: Magjistratura “Politika, diplomacia dhe marrëdhëniet ndërkombëtare”
2010: “Shkolla e Demokracisë Lokale në Ballkanin Perëndimor”, organizuar nga Këshilli i Evropës.
2009-2010: Shkolla Shqiptare e Studimeve Politike, organizuar nga Këshilli i Evropës.
Studime pasuniversitare Studime pasuniversitare
2003-2005: Master në ekonomi për “Drejtim Ndërmarrjesh” UB Tiranë
2009-2010: Doktoratura “Vlerësimi i leverdishmërisë ekonomiko-financiare për realizimin dhe administrimin e investimeve publike”.
Vlerësime
Është vlerësuar si “Kryetari më i suksesshëm” për bashkëpunimet dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, duke bërë të mundur që Bashkia Kamëz të jetë përfituese e shumë projekteve dhe donacioneve të huaja si Banka Botërore, Banka Evropiane, KfW, IPA, projekte të BE-së, si dhe binjakëzime me vende të Bashkimit Evropian, si Maçerata, Itali; Jena, Gjermani; Kemalpasha, Turqi; dhe La Plata, Argjentinë.
“Mik i Komunës Lunxhëri” dhënë nga Komuna Lunxhëri për “Kontributin e dhënë për lartësimin e emrit Lunxhëri”.
Certifikate mirënjohjeje dhënë nga Federata Shqiptare e Mundjes për “Mbështetjen dhe kontributin e dhënë Federatës Shqiptare të Mundjes”.
Certifikatë dhënë nga Qendra e Zhvillimit Kamëz për “Krijimin e lehtësirave dhe fuqizimin e biznesit për zhvillimin e qytetit Kamëz”.
“Disku i Artë” dhënë nga spektakël-agjenci “Karabashi”.
“Ambasador i Paqes” dhënë nga Federata e Paqes Universale (FPU).
Prej vitit 2007 kryebashkiaku ka nisur një numër të gjerë reformash në fushat e ekonomisë, të financave, të shëndetit, të edukimit, të rendit publik etj. Në gjithë Kamzën është zbatuar një program për investime madhore në infrastrukturë, me fokus parësor ndërtimin e rrugëve dhe të infrastrukturës së teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, ndërkohë që teknologjia moderne dixhitale është futur në regjistrin e gjendjes civil, identifikimin e qytetarëve etj.