Presidenti rus Vladimir Putin u ka propozuar luftëtarëve të grupit Wagner që një mercenar i rangut të lartë, i quajtur Andrey Troshev, të marrë komandën e milicisë private, duke zëvendësuar rebelin Yevgeny Prigozhin.
Sipas komenteve që Putin bëri për gazetën Kommersant, rezulton se lideri i Kremlinit ka krijuar një ndarje në hierarkinë e mercenarëve të Wagner. Putin duket se po çimenton përpjekjet për të limituar pushtetin e shefit të tyre Yevgeny Prigozhin, që nga kryengritja e dështuar kundër Moskës që ky i fundit inicioi muajin e kaluar.
Sipas Kommersant, midis zgjedhjeve të shumta për punësim që Putin i ofroi dhjetëra mercenarëve të Wagner-it në takim, njëra përfshinte vazhdimin e luftës nën komandantin e tyre të drejtpërdrejtë.
Ky njeri me profil të lartë është pikërisht Andrey Troshev, i cili njihet si ‘Sedoy’, që do të thotë burri me ‘flokët gri’.
“Dhe çfarë ndodhi atëherë?“, pyeti gazetari i Kommersant presidentin.
“Shumë njerëz tundën kokën [në mënyrë pozitive] kur iu thashë këtë”, u përgjigj Putin, duke lënë të kuptohet se mercenarët e Wagner janë dakord për një rokadë liderësh mes veti.
Por, kush është Andrey Troshev?
“Sedoy” është nofka e tij. Ai është një kolonel rus në pension dhe një anëtar themelues dhe Drejtor Ekzekutiv i grupit Wagner, sipas dokumenteve të sanksioneve të publikuara nga Bashkimi Evropian dhe Franca.
Sanksionet e Bashkimit Evropian në lidhje me situatën në Siri detajojnë pozicionin e Troshev si shef i shtabit të operacioneve të grupit Wagner në Siri, i cili mbështeti regjimin sirian.
Troshev ka lindur në prill 1953 në Leningrad, në ish-Bashkimin Sovjetik.
“Andrey Troshev është i përfshirë drejtpërdrejt në operacionet ushtarake të Grupit Wagner në Siri.
Ai ishte veçanërisht i përfshirë në zonën e Deir ez-Zor. Si i tillë, ai dha një kontribut vendimtar në përpjekjet luftarake të Bashar al-Assad dhe për këtë arsye mbështeste dhe përfitonte nga regjimi sirian“, thuhej në deklaratën e sanksioneve të BE.
Sanksionet e Mbretërisë së Bashkuar nga qershori 2022 thonë gjithashtu se “Andrey Nikolaevich Troshev ishte shefi ekzekutiv i grupit Wagner”.
“Prandaj, ai ka mbështetur regjimin sirian, ka qenë anëtar i një milicie dhe ka shtypur popullsinë civile në Siri”.
Një ndër bashkëpunëtorët e tij të ngushtë është themeluesi i Wagner, Dimitriy Utkin, i cili është gjithashtu një ish-oficer i inteligjencës ushtarake ruse GRU. Troshev është i lidhur gjithashtu me komandantët e grupit Wagner, Aleksandr Sergeevich Kuznetsov dhe Andrey Bogatov.
Ai është gjithashtu një ish-punonjës i njësisë speciale të reagimit të shpejtë të Distriktit Federal Veriperëndimor të Ministrisë së Brendshme Ruse dhe veteran i luftërave në Çeçeni dhe Afganistan.
Për shërbimin e tij në Afganistan, Troshev është dekoruar me dy Urdhra të Yllit të Kuq – një dekoratë e Bashkimit Sovjetik për shërbim të jashtëzakonshëm. Për shërbimin në operacionin në Çeçeni, atij iu dhanë dy urdhra Guximi dhe një medalje e Urdhrit të Meritës për Atdheun.
Troshev ishte mes atyre që u ftuan në një pritje në Kremlin në dhjetor 2016. Një fotografi, që besohet të jetë nga eventi i vitit 2016, u shfaq në mediat ruse në vitin 2017 dhe tregon Putinin përkrah Troshev dhe Utkin.
Sakaq një lëvizje e Putin për të emëruar të besuarin e tij Troshev në krye të Wagner, vjen në një kohë kur fati i Prigozhin mbetet i paqartë.
Prigozhin thuhet se kishte udhëtuar në Bjellorusi si pjesë e një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga presidenti bjellorus Alexander Lukashenko pas kryengritjes së dështuar, por presidenti bjellorus i tha CNN javën e kaluar se ai tani ndodhet në Rusi.
Pamjet që pretendojnë se tregojnë një bastisje të policisë në ambientet e Prigozhin në Shën Petersburg kanë ngritur gjithashtu pikëpyetje për statusin e tij, pasi shefi i Wagner nuk është parë në publik që nga 2 qershori.
/f.stafa